• |
ide | kryesore

Sëmundjet që mund të vrasin më shumë njerëz se bombat në Gaza

F1, Planet
Gaza



Sëmundjet e patrajtuara mund të vrasin më shumë njerëz në Gaza sesa bombardimet nëse sistemi shëndetësor nuk rivendoset në Gaza, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Diarreja dhe infeksionet e frymëmarrjes janë të përhapura në mesin e fëmijëve në godinat e mbipopulluara të OKB-së, ku janë strehuar pothuajse 1.1 milion njerëz.

Pacientët me sëmundje kronike si kanceri gjithashtu nuk po marrin asnjë trajtim.

Paralajmërimi vjen pasi armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e pestë, pasi u ra dakord për një zgjatje prej 48 orësh.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara arrin që 20 gra dhe fëmijë të tjerë izraelitë të mbajtur peng në Gaza të lirohen në këmbim të 60 grave dhe adoleshentëve palestinezë në burgjet izraelite.

Të hënën, 11 pengje dhe 33 të burgosur u liruan në ditën e katërt dhe të fundit të marrëveshjes fillestare, duke e çuar totalin në 50 pengje dhe 150 të burgosur të liruar.

Nëntëmbëdhjetë shtetas të huaj, njëri prej të cilëve ka nënshtetësi izraelite, janë dorëzuar gjithashtu nga Hamasi sipas marrëveshjeve të veçanta.

Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza dhe vendosi një bllokadë në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit më 7 tetor, në të cilin u vranë të paktën 1200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.

Qeveria e drejtuar nga Hamasi i Gazës thotë se më shumë se 14,800 njerëz janë vrarë në territor që nga fillimi i luftës.

OKB vlerëson se më shumë se 1.8 milionë njerëz në Gaza janë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë shtatë javëve të fundit. Rreth 60% e tyre janë strehuar në 156 objekte që i përkasin agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Unrwa.

Zëdhënësja e OBSH-së, Dr.Margaret Harris tha në një konferencë shtypi në Gjenevë se pas një vlerësimi të gjendjes së strehave të OKB-së, ishinn konstatuar shpërthime të sëmundjeve infektive, me raste të diarresë tek fëmijët e moshës pesë vjeç e lart mbi 100 herë më shumë se nivelet normale deri në fillim të nëntorit.

Nuk ka asnjë trajtim për ta, tha ajo, pa të cilin në veçanti foshnjat mund të përkeqësohen dhe të vdesin shumë shpejt.

Sipas OKB-së, vetëm pesë spitale janë pjesërisht funksionale në veri të Gazës, zonë që ka qenë fokusi i ofensivës tokësore izraelite.

Tetë nga 11 spitalet janë funksionale në jug, ku ushtria izraelite ka urdhëruar civilët të largohen. Vetëm një prej këtyre spitaleve ka kapacitetin për të trajtuar rastet kritike të traumës ose për të kryer operacione komplekse.

“Përfundimisht, ne do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundja sesa po shohim nga bombardimet nëse nuk jemi në gjendje të rivendosim [së bashku] këtë sistem shëndetësor,” paralajmëroi Dr. Harris.

Duke iu drejtuar gazetarëve me video nga Gaza, zëdhënësi i Unicef-it, James Elder, raportoi se kishte parë spitale plot me fëmijë me plagë të tmerrshme lufte.

Ai përshkroi se kishte parë një fëmijë që i mungonte një pjesë e këmbës së tij të shtrirë i patrajtuar në dyshemenë e spitalit për disa orë për shkak të mungesës së stafit mjekësor. Fëmijë të tjerë të plagosur ishin shtrirë në parkingje dhe kopshte jashtë, tha ai.

Fëmijët e zhvendosur dhe familjet e tyre po vuajnë gjithashtu për shkak të mungesës së strehimit dhe veshjeve të duhura për t’i mbrojtur ata nga moti me shi dhe i ftohtë aktualisht në Gaza.

Sipas zyrtarëve amerikanë, gjatë katër ditëve të para të armëpushimit, 800 kamionë me ndihma hynë në Gaza, disa prej tyre arritën në veri. Kjo është një rritje në krahasim me ditët e mëparshme, por është ende vetëm një pjesë e vogël krahasuar me numrin e zakonshëm të ndihmave që hyjnë normalisht në Gaza.

Agjencitë e OKB-së thonë se në kushte të tilla, rifillimi i luftimeve duhet të jetë i paimagjinueshëm, ata po bëjnë sërish thirrje për një armëpushim të përhershëm.

Kryeministri i Izraelit ka premtuar se ushtria e tij do të “realizojë qëllimet tona me forcë të plotë” kur të përfundojë armëpushimi.

Megjithatë, ministria e jashtme e Katarit tha të martën se do të përdorte zgjatjen e armëpushimit për të kërkuar një “armëpushim të qëndrueshëm që do të çonte në negociata të mëtejshme dhe përfundimisht një fund… të kësaj lufte”. 

“Ne po punojmë me atë që kemi. Dhe ajo që kemi tani është dispozita e marrëveshjes që na lejon të zgjasim ditët për aq kohë sa Hamasi është në gjendje të garantojë lirimin e të paktën 10 pengjeve,” i tha zëdhënësi Majed al-Ansari gazetarëve në Doha.

Ai shtoi se ndërmjetësit shpresonin të merrnin informacion nga Hamasi për më shumë se 150 izraelitë dhe shtetas të huaj që ende mbahen peng, të cilët përfshijnë fëmijë deri në 10 muajsh si dhe një numër ushtarësh.

Një burim i lartë i Hamasit në Katar tha për BBC se jo të gjithë pengjet civile ishin në duart e tij. Disa ishin me grupe më të vogla të armatosura si Xhihadi Islamik Palestinez, i cili si Hamasi klasifikohet si organizatë terroriste nga Izraeli, Britania e Madhe dhe fuqitë e tjera perëndimore.

Sipas burimit, Hamasit i duhet më shumë kohë për të mbledhur informacione dhe për të kontaktuar njerëzit. Komunikimi është shumë i vështirë për shkak të dëmtimit të rrjetit të telekomunikacionit dhe mungesës së karburantit për ta furnizuar atë.

Ansari tha gjithashtu se ishin raportuar vetëm “shkelje minimale” të armëpushimit.

Por dy orë pasi ai foli, ushtria izraelite tha se tre bomba ishin shpërthyer pranë trupave të saj në dy zona të ndryshme në veri të Gazës në kundërshtim me marrëveshjen.

“Në një nga lokacionet, terroristët gjithashtu hapën zjarr ndaj trupave, të cilët u përgjigjën me zjarr. Një numër ushtarësh u plagosën lehtë gjatë incidenteve,” shtoi ajo.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se kishte pasur “fërkime” në veri dhe se luftëtarët e tij ishin përballur me një “shkelje të qartë” të marrëveshjes së armëpushimit nga trupat izraelite.

Të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime u raportuan më herët në qytetin veriperëndimor të Gazës.

Një gazetar lokal i tha BBC-së se dhjetëra njerëz të zhvendosur po përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në zonën Sheikh Raduan kur iu afruan pozicioneve të ushtrisë izraelite dhe se një tank dhe trupa izraelite qëlluan të shtëna paralajmëruese. Një person është plagosur dhe një ndërtesë është goditur nga një predhë, thanë ata.

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *