• |
ide | kryesore

Shqiptarët, të fundit në rajon për trajnime pune

Arkiva, Lajme, Të fundit



“Shqiptarët janë shpërfillës kur vjen puna tek të mësuarit përgjatë gjithë jetës. Sipas një raporti të Fondacionit Europian të Trajnimeve, vetëm 0.7% e popullisë nga mosha 25-65 vjeç ka marrë pjesë në trajnime në vitin 2022.”

Trendi ka ardhur në rënie vit pas viti, duke bërë që vendi ynë të jetë i fundit në rajon për pjesëmarrjen më të ulët në të nxënit gjatë gjithë jetës. Një nga arsyet, sipas ekspertëve të karrierës është fakti se shumica e popullsisë janë me arsim 9-vjeçar.

Erion Muça, ekspert i Karrierës dhe Punësimit: Ky target grup nuk e ka emancipimin, vizionin për t’i dhënë rëndësinë e nevojshme edukimit apo formimit përgjatë gjithë jetës si një element dhe komponent i rëndësishëm që të jesh profesionist.

Mungesa e meritokracisë, po ashtu sipas ekspertëve ndikon në dëshirën e ulët për të investuar në avancimin e aftësive.

“Këtu në Shqipëri mund të bëhesh i suksesshëm duke mos qenë i kualifikuar apo përditësuar….”

Rëndësia minimaliste që vetë bizneset i japin trajnimit të stafit ka po ashtu pasojat e veta.

“Punonjësit me arsim të lartë, e kanë shumë të vështirë të rriten dhe të zhvillohen në karrierë për efekt të mbingarkesave në punë dhe mosinvestimit nga sipërmarrjet nga ana e tyre. Këta profesionistë mbeten në vendnumëro, në mos mbrapa sa i përket përditësimit të tyre.”

Në vendet e BE-së, gati 12% e popullsisë 25-64 vjeç marrin pjesë në trajnime duke i dhënë kështu rëndësi përditësimit të njohurive përgjatë gjithë jetës./Tv Klan



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *