• |
ide | kryesore

I riu shqiptar padit qeverinë britanike: Aplikoi një politikë sekrete kundër nesh

Arkiva, Lajme, Të fundit
shqiptar



Në Gjykatën e Lartë të Britanisë së Madhe është zhvilluar këtë të enjte një seancë mjaft interesante. Shkak është bërë padia e një 20-vjeçari shqiptar që ka paditur qeverinë britanike se iu mohua e drejta e qëndrimit në Britani për më shumë se 1 vit për shkak të një “politike të fshehtë dhe të paligjshme” të qeverisë kundër emigrantëve.

Shqiptari, emri i të cilit nuk u bë publik, pretendon se mohimi i të drejtës për të qëndruar në vend shkeli të drejtat e tij njerëzore dhe për këtë ai kërkon dëmshpërblim. Në gjykatë ai u përfaqësua nga avokatët Chris Buttler KC dhe Zoe McCallum të cilët janë angazhuar në mbrojtje të shqiptarit nga shoqata “Asylum Aid”.

Kjo shoqatë ka bërë pretendime se qindra viktima të trafikimit që përpiqen të fillojnë një jetë të re në Britani kanë vuajtur edhe si rezultat i një “politike të brendshme sekrete” të hartuar nga dy ministret e brendshme britanike Priti Patel dhe Suella Braverman.

“Asylum Aid” thotë se nga fillimi i vitit 2022 deri në prill 2023, Home Office operoi këtë “politikë sekrete” për të penguar dhënien e të drejtës për të qëndruar në Britani të të paktën 1600 viktimave të konfirmuara të trafikimit dhe skllavërisë moderne. Avokatët që përfaqësuan shqiptarin i thanë gjyqtarit se ka dalë në dritë një “keqpërdorim serioz i pushtetit”.

Avokatët e qeverisë i kundërshtuan pretendimet. Sipas tyre, shkak ishte vonesa e procedurave dhe jo ndonjë politikë “sekrete”. Avokatët që përfaqësonin shqiptarin i paraqitën akuzat me shkrim. Sipas tyre, ka pasur një politikë që u jepte leje viktimave të skllavërisë moderne të qëndrojnë në Britani, në përputhje me një konventë evropiane kundër trafikimit.

Avokatët thanë se në tetor 2021, vendimi i një gjyqtari të Gjykatës së Lartë kërkonte që Zyra e Brendshme t’u jepte viktimave të njohura të skllavërisë moderne leje për të qëndruar aty ku kishin bërë një kërkesë azili. Sipas tyre, Home Office e ka mohuar një të drejtë të tillë. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *