• |
ide | kryesore

Ishte në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 49-vjeçari shqiptar në Madrid

Lajme, Të fundit



Një 49-vjeçar shqiptar u arrestua ditën e sotme në Madrid, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar. Ismail Zeneli, alias Luan Sadria, akuzohet nga GJKKO për vepra penale kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të grupit kriminal. Interpol Tirana po vijon punën për ekstradimin e Zenelit drejt Shqipërisë. Emri i Zenelit doli edhe në përgjimet e Sky Ecc, ku u kap edhe ish-drejtori i policisë Erzen Breçani. Këto përgjime nxorën edhe emrin e djalit të Breçanit që bashkëpunonte me Ervin Matën, të dy në kërkim nga GJKKO.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me partnerët spanjollë, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të operacionit “Madridi”, u lokalizua dhe u arrestua në Madrid, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 49-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për vepra penale kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të grupit kriminal.

Si rezultat i sigurimit të inteligjencës policore, nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të saj, në kohë reale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, Policia spanjolle organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Madridi”.

Në kuadër të këtij opeacioni u lokalizua dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi I. Z. alias L. S., 49 vjeç.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në nëntor të vitit 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Interpol Tirana vijon punën për ekstradimin e shtetasit I. Z. alias L. S., në vendin tonë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *