• |
ide | kryesore

HuffingtonPost: Krimi shqiptar dhe lidhjet e forta me politikën

Arkiva, Lajme, Të fundit
politikës



“Toka e Shqiponjave” duhet të përballet me praninë e një shkalle të lartë të korrupsionit. Rasti më përfaqësues i marrëdhënies mes politikës së korruptuar dhe krimit të organizuar është dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Nga Vincenzo Musacchio, HuffingtonPost Italia

Duke analizuar marrëdhëniet mes krimit të organizuar shqiptar dhe italian në lidhje me trafikun e drogës dhe marrëdhëniet me politikën, del në pah një fakt shqetësues. Falë këtyre lidhjeve një pjesë e madhe e drogës shqiptare mbërrin në Itali. Këtë e vërtetojnë konfiskimet gjithnjë e në rritje të lëndëve narkotike. Në Shqipëri ka ende plantacione kanabisi në fusha të hapura. Droga shqiptare mbërrin në Itali nëpërmjet brigjeve të Adriatikut, disa mbetet në Itali dhe disa drejtohet drejt shumë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Afërsia gjeografike midis Italisë dhe Shqipërisë ka lehtësuar ndër vite zhvillimin e kanaleve të drejtpërdrejta midis grupeve kriminale puliane dhe shqiptare, me referencë të veçantë për furnizimin, ruajtjen dhe tregtimin e substancave narkotike. Ka pasur gjithmonë kontakte të vazhdueshme midis grupeve kriminale shqiptare me degë në Itali dhe grupeve kriminale puliane, duke iu referuar veçanërisht konsorciumeve që veprojnë në zonën e Foggia-s, në zonën e Barit dhe në zonën e Salentos me degëzime të qëndrueshme në territorin shqiptar. Është e vërtetë që në Shqipëri ka ndërlidhje mes trafikantëve të drogës dhe politikës.

Fatkeqësisht, “Toka e Shqiponjave” duhet të përballet me praninë e një shkalle të lartë të korrupsionit. Kjo ka ndodhur si me qeverinë e djathtë ashtu edhe me atë të majtë. Rasti më përfaqësues i marrëdhënies mes politikës së korruptuar dhe krimit të organizuar është dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me 5 vite burg nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Tahiri ishte ministër i Brendshëm në Shqipëri në qeverinë e dytë “Rama”, nga viti 2013 deri në vitin 2017, kur u detyrua të braktiste detyrën për shkak të akuzave për përfshirje në trafik droge.

Ndërlidhjet ekzistojnë edhe me mafiozët tanë. Të dhëna objektive na ndihmojnë t’i konfirmojmë ato. Hetime të shumta nisën që nga dosja e Guardia di Finanza e Katanias, me operacionin e quajtur “Rosa dei Venti”, që çmontoi një rrjet kriminal italo-shqiptar të akuzuar për importimin e tonëve me kanabis nga Shqipëria në Itali për mbi 20 milionë euro. Që atëherë, ishim në vitin 2018, deri më sot kapjet e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali janë shumëfishuar me shifra eksponenciale.

Në vitin 2023 në Brescia një sekuestrim i madh me vlerë mbi 3 milionë euro i dha një goditje të rëndë një shoqate italo-shqiptare që importonte drogë në Itali. Në Treviso u sekuestruan gjithsej 420 kilogramë drogë me vlerë të shitjes me pakicë që vlerësohet në mbi 34 milionë euro. Në Romë tashmë qarkullon droga kryesisht shqiptare dhe mbizotërojnë kartelet “shqiptare”.

Ka edhe disa trafikantë shqiptarë droge me lidhje në Itali. Moisi dhe Florian Habilaj, të konsideruar si drejtues të kartelit të Vlorës dhe tashmë të njohur për autoritetet gjyqësore dhe policore italiane. Vëllezërit Habilaj trafikonin drogë drejt Italisë dhe Greqisë. Marrëveshja e fshehtë mes politikës dhe trafikantëve përfshin natyrisht edhe Italinë. Hetimet e Europol-it dhe policisë greke ndaj Klement Balilit treguan se ai ishte kreu i një karteli të madh droge, gjithashtu me lidhje me Italinë.

Pjesë të qeverisë “Rama” janë përfshirë në fenomene të ngjashme kriminale. Jo vetëm qeveria “Rama”, por edhe ata para tij. Për të kuptuar përfshirjen e politikës mund të marrim si shembull rastin e Klement Balilit të arrestuar për trafik ndërkombëtar droge në vitin 2006. Pronar i hoteleve të shumta luksoze në bregdetin shqiptar, atij iu besua transporti në rajonin e Sarandës në vitin 2014. Ai u shpall në kërkim për shkak se ndaj tij ishte lëshuar një fletarrest ndërkombëtar. Sot ai është një i dënuar pasi iu dorëzua drejtësisë shqiptare në këmbim të një uljeje të madhe të dënimit.

Pyetja që shtrohet është pse një qeveri emëron një mafioz në një rol kaq të rëndësishëm strategjik? Sepse fitimet nga trafiku dhe tregtia e drogës janë të mëdha dhe paratë e drogës janë gjithashtu joshëse për politikanët. Në Shqipëri, partitë politike dhe fushatat elektorale shpesh financohen me të ardhura nga trafiku i drogës. Krimi i organizuar, politika dhe ekonomia janë shpesh të ndërlidhura në një rrjet të ndërlikuar interesash të përbashkëta dhe një sërë përfitimesh reciproke.

Ashtu siç ndodhi në Itali, edhe në Shqipëri organizatat kriminale më të rëndësishme kanë arritur të hyjnë në politikë, ekonomi, financa, media dhe aktivitete sociale e kulturore. Ata kontrollojnë territorin, krijojnë mirëqenie, prodhojnë investime dhe gjithashtu ndikojnë aktivisht në politikën shqiptare. Qeveria shqiptare duhet të zbatojë ndryshime serioze ligjore në të ardhmen e afërt, duke filluar nga Kodi i Procedurës Penale, për të forcuar masat represive ndaj anëtarëve të organizatave mafioze. Modeli për të marrë frymëzim është padyshim ai i luftës kundër mafies italiane.

Prandaj do të jetë e nevojshme të forcohet siguria e burgjeve; luftimi i krimit të organizuar dhe lidhjeve me politikën dhe botën ekonomike; të luftohet korrupsioni në mënyrë efektive; të përdoret izolimi total i të burgosurve të rrezikshëm për të parandaluar komunikimin e tyre të jashtëm me organizatat kriminale; të bëhet më efektiv sistemi i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive të mafias.

Një tjetër nga problemet me të cilat do të përballet Shqipëria është sistemi i saj gjyqësor, i cili duhet të reformohet dhe përmirësohet, duke e mbrojtur atë mbi të gjitha nga korrupsioni dhe ndërhyrjet politike që cenojnë besueshmërinë dhe efektivitetin e saj. ©HuffPost, përshtati në shqip LAPSI.al

SHIKO EDHE VIDEON POSHTE:



4 Comments

  1. DONI ME PER BELULI, ku jeni ju, patronazhiste, hajdute, drogmene, servile, lapanjoze, na komentoni ndonje mashtrim bodrumi te bunkerit te sektit, kundervijuni se do merni honorarin e atyre parave te droges.Ne mos, na hidhni ndo nje koment kuturru sic e keni zakonin si oktapode qe ini.

  2. Mirë mo mirë por Italia zyrtare si në kohën kur ishte e majta e tani që është e djathta nuk kanë reaguar e nuk po reagojnë kundër kryetrafikantit Rama. Përkundrazi për interesat të vogla meskine të tyre bëjnë një marrëveshje thellësisht antishqiptare për emigrantët me kryetrafikantin për t’a mbajtur në pushtet dhe ky të vazhdojë të drejtojë këtë trafik akoma drejt Italisë!!!

  3. pse svini foton e Berishes ne kopertine si te lidhur me krimin??? Krahu tij i armatosur me Brecanin ne krye eshte ne burg per trafik droge e pastrim parashe. Berisha vete zoteron 19 kulla ne mes te Tiranes, i biti do ndertoje kullen me te larte ne ballkan. I bini ne qafe kot Tahirit te shkrete qe i beri 2 vite burg te mira . Berisha do duhej te ishte ne balline te faqes si perfaqesues i lidhjes se politikes me krimin e organizuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *