Inter mposhti 4-0 Udinese në javën e 15 të Serie A, duke iu përgjigjur suksesit të Juventus një ditë më parë. Zikaltrit rifitojnë kështu me autoritet kryesimin e tabelës. Të besuarve të teknikut Inzaghi iu desh vetëm një pjesë loje për të zgjidhur situatën ndaj friulanëve, duke goditur shtyllën në minutën e 10′ me Martinez, përpara se të shënonin në portën e Silvestrit tre herë mes minutave 37′ dhe 44′ me një penallti të Calhanoglu, një diagonale të Dimarco dhe golin e Thuram. Reagimi i Udinese ishte i pavlefshëm në pjesën e dytë, me golin e Lautaro Martinez në minutën e 85′ që plotësoi suksesin e Inter.
Inter dha spektakël, fshiu Udinese nga fusha (4-0) dhe rikthehet në krye të renditjes, që Juventus i kishte marrë mbrëmjen e kaluar duke mposhtur Napolin. Ishte nata krejtësisht e zikaltërve, me zjarrin e skuadrës së Inzaghi që ngrohu një San Siro të kapur nga ngrica, por e mbushur si zakonisht. Penalltia e Calhanoglu, një diagonale e shkëlqyer në goditjen e Dimarco dhe Thuram: tre gola në harkun e 7 minutave, zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë. Lautaro dhe shokët e tij të skuadrës impresionuan me rrjedhshmërinë e manovrës, cilësinë, intensitetin dhe qëndrueshmërinë. Mesazhi për kampionatin është i qartë: dueli për titullin do të jetë me Zonjën sepse Milan dhe Napoli janë shumë larg. E këtë vit Inzaghi nuk ka ndërmend të humbasë yllin e dytë.
Lexo më tej: Video/ Muriel gol me takë në minutën e 95′: Milan rrëzohet ndaj Atalantës, largohet kreu
PARALAJMËRIM PËR KAMPIONATIN
Nëse Inter vazhdon të dominojë siç bëri kundër bardhezinjve të Cioffi, nuk do të jetë e lehtë për konkurrencën ta kapërcejë. Edhe këtë herë Inter rrezikoi pak dhe prodhoi mundësi të vazhdueshme falë mbivendosjeve dhe depërtimeve të studiuara në stërvitje. Orkestra e Inter nuk u ndal as kur kaloi 2-0 përpara dhe bëri 3-0 para minutës së 45′ me Thuram. Me urinë e atyre që duan të sigurojnë rezultatin sa më shpejt për t’u përqendruar në Champions League dhe në vendin e parë në grup që do të luhet të martën kundër Real Sociedad në San Siro. Skuadra aktuale është sigurisht skuadra më e mirë e epokës Inzaghi. Për performancën, lojën e shprehur dhe konkretizimin. Juventus është ende aty, -2, por në mënyrë të pashmangshme duhet të shqetësohen dhe të shpresojnë për një rënie forme të “armiqve” të tyre historikë.