• |
ide | kryesore

Video/ Shembje sensacionale në Bundesligë: Bayern Munich shkërmoqet 5-1 në Frankfurt

Sport, Video
Bayern



Raundi i katërmbëdhjetë i Bundesligës do të kujtohet nga kolapsi i bujshëm i Bayern Munich. Skuadra e Tuchel shkatërrohet 5-1 nga Eintracht Frankfurt. Dina Ebimbe (dygolësh), Marmoush, Larsson dhe Knauff ishin vendimtarë, i kotë goli i Kimmich për bavarezët. Në ndeshjet e tjera, Union Berlin i rikthehet fitoreve pas tre muajsh. Kryeqytetasit imponohen 3-1 ndaj Mönchengladbach, ndërsa sukses në shtëpi edhe për Werder Bremen, 2-0 ndaj Augsburg. Freiburg mundi me vështirësi 1-0 Wolfsburgun në transfertë, Heidenheim-Darmstad mbyllet 3-2.

REZULTATI QË NUK MENDOHEJ NË BUNDESLIGA…

Sensacionale humbja e Bayern Munich, i mposhtur 5-1 në Eintracht Frankfurt. Pas dymbëdhjetë minutash lojë, vendasit kaluan në mënyrë të bujshme në avantazh. Gabimi i Mazraoui, favorizoi Chaibi që goditi traversën, pastaj diagonalja fituese ishte e Marmoush. Egjiptiani shënoi golin e tij të shtatë në sezon. Eintracht dukeshin më lart edhe fizikisht, por me kalimin e minutave bavarezët u rritën. Në minutën e 25′ Kane iu afrua barazimit, por në kundërsulm të besuarit e Toppmoller gjetën golin e dytë. Në minutën e 31′, Knauff shërbeu për Dina Ebimbe, që dyfishoi epërsinë, duke befasuar një Neuer aspak perfekt. Skuadra e Tuchel e ndjeu goditjen dhe pesë minuta më vonë pësoi edhe golin e tretë. Një gabim i Kimmich, një kundërsulm i nisur dhe i përfunduar nga Larsson, i cili shënoi 3-0 me një diagonale me të majtën. Në minutën e 44′ Kimmich i dha shpresë skuadrës së tij, duke ngushtuar diferencën në 3-1 me një goditje të bukur nga jashtë zonës.

Lexo më tej: Video/ Dortmund i bën ‘nder’ Bayern: ndalet Xabi Alonso, Leverkusen rrezikon kreun

Në fillim të pjesës së dytë, një tjetër kundërsulm i rrufeshëm nga vendasit, të cilët bënë poker në minutën e 50′ me dygolëshin e Dina Ebimbe. Bayern ishte praktikisht i pafuqishëm dhe drejt kohës së shtesës erdhi edhe 5-1 në minutën e 60. Asisti i dytë i Marmoush ishte këtë herë për Knauff, i cili fiksoi shifrat në 5-1. Bayern mbetet me 32 pikë, ende -3 pas Leverkusen. Eintracht, nga ana tjetër, ngjitet në 21 pikë, në vendin e shtatë.

NDESHJET E TJERA

Kthehet te fitorja Union Berlin, që mposht Gladbach 3-1. Mungonte prej 3 muajsh suksesi i kryeqytetasve, që kapërcejnë rrezikun dhe dalin nga zona e rënies. Volland me penallti, Hollerbach dhe Kaufmann siguruan rezultatin para se Plea të shënonte golin e nderit për miqtë. 10 pikë për Union, ndërsa Gladbach është në vendin e 10 me 6 pikë më shumë. Fitore e thjeshtë për Wrder, 2-0 kundër Augsburg. Stark dhe Ducksch shënuan një gol në çdo pjesë loje. Sukses i Freiburg, që mposhti Wolfsburg në transfertë falë golit të vetëm të Gregoritsch në minutën e 74′. Humbet me përmbysje Darmstad i Gjasulës, në shtëpinë e Heidenheim, por lojtari i kombëtares kuqezi ka luajtur 90′ si qendërmbrojtës.

Bundesliga Germany

Eintracht Frankfurt 5-1 Bayern Munich
FC Heidenheim 3-2 Darmstadt
Union Berlin 3-1 Borussia Monchengladbach
Werder Bremen 2-0 Augsburg
Wolfsburg 0-1 Freiburg



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *