• |
ide | kryesore

“Nuk goditet penalltia në ato kushte”: Abilaliaj nervoz për atë që ndodhi në Kukës, Nica: “Duhet të fitonim ne”

Sport
Abilaliaj


“Duke pasur parasysh lojën që bëmë, nuk i konkretizuam rastet për të marrë tre-pikëshin. Kjo gjë na dëmton. Penalltia në fund. Bie shtyllë, por nuk kisha parë që të mbyllej loja në këtë farë mënyre”. Arbër Abilaliaj, njeriu i barazimeve duke qenë se sapo ka marrë të gjashtin radhazi, është i pakënaqur me mënyrën si u menaxhua situata e fundit e ndeshjes. Me rezultatin 1-1, Partizani humbi penalltinë e goditur nga Murataj pasi tifozët e Kukësit vërshuan në fushën e lojës, për të protestuar për 11 metërshin e minutës së 98′.

“Zakonisht ne i paracaktojmë tre goditës – sqaroi Abilaliaj -, por nuk mund të goditësh penalltinë në kushte të tilla. Ajo ndikoj te gjendja psikologjike e Valit (Murataj). Njerëzit janë të zgjedhur që më parë, por i vetmi që ishte gati për të goditur ishte Vali”. Abilaliaj sqaroi më pas edhe zëvendësimin e Hadrojit dhe situatën e ndërlikuar fizike të skuadrës: “Ishim të detyruar të zëvendësonim Hadrojn përsëri për një dëmtim. Atanaskoski po luante i dëmtuar dhe kjo na jepte limite në shtyrjen përpara. Edhe Maguette dhe Mehmeti kishin harxhuar shumë energji në pjesën e parë”.

NICA: “NDESHJEN DUHET TA FITONIM NE”

“Jam i kënaqur nga çunat me atë që treguan, pasi ishim të ekuilibruar në të gjitha zonat e fushës. Besoj se loja jonë me pak përvojë dhe nëse do të ishim më të qetë dhe të kujdesshëm, ndeshjen duhet ta fitonim ne”. Stavri Nica, tekniku i Kukësit, ka keqardhjen për një rezultat që me 1-0 e arritur 11 minuta nga fundi mund të ishte administruar ndryshe. “Barazimi ishte shumë i shpejtë dhe kjo erdhi se nuk patëm vëmendjen e duhur. Patëm një rast të pastër që duhet të përfundonte të rrjetë dhe do të zgjidhej ndeshja. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm me sulmuesit e Partizanit, pasi me një lëshim mund të shkosh edhe në humbje”.

Lexo më tejMurataj dënon Partizanin, humb penallti në minutën e 101′: protesta e tifozë në fushë në Kukës

Nica pastaj e thelloi konceptin: “Momenti i përvojës ndikoi te barazimi. Skuadra duhet të shkurtohet shumë që të krijojë ekuilibrin në fushë. Mendoj se euforia pati ndikimin e vet pas kalimit në avantazh. Kemi shumë lojtarë të rinj që luajnë për herë të parë në Superiore. Një mos përqendrim maksimal në këtë kategori, të dëmton në çekuilibrim”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *