• |
ide | kryesore

Girona, koinçidencat që e lidhin me legjendën e Leicester: ‘Hirushja’ spanjolle me CEO vëllain e Guardiolës

F1, Sport
Girona



15 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje në 19 ndeshjet e para të La Liga. Pa harruar nga katër gola të shënuar kundër Barcelonës dhe Atletico e vendi i parë në renditje të shoqërinë e Real Madrid. Që nga fillimi i sezonit, tifozët e Girona kanë jetuar një përrallë. Një version i përafërt me arritjet e Leicester në sezonin 2015/16, kur çuditërisht fituan Premier League pasi mbaruan në vendin e 14-të një sezon më parë. “Nuk mund ta mbajmë ritmin e Madrid, nuk duam ta etiketojmë veten si sfidues”, deklaroi trajneri Michel pas fitores së mbrëmshme piroteknike ndaj Atletico Madrid. Por koincidencat me ecurinë e pabesueshme të Foxes tetë vjet më parë i autorizon tifozët e skuadrës spanjolle të ëndërrojnë.

KOINÇIDENCAT

Ashtu si Leicester, edhe Girona ka shumë pak përvojë dhe traditë në ligën elitare: është vetëm pjesëmarrja e katërt në La Liga. Vitin e kaluar ata përfunduan në vendin e dhjetë (si të sapo promovuar), por mbi të gjitha, ashtu si ekipi i Ranierit në 2015/16, e përfunduan fazën e parë në vendin e dytë dhe me të njëjtat pikë si kryesuesit (Real kampion dimri për përballjen direkte). Tetë vite më parë skuadra e Ranierit ishte e para me Arsenal me 39 pikë, sot Girona ka fituar edhe 9 pikë më shumë…

Skuadra katalanase është një mrekulli e vogël, ka sulmin më të mirë në kampionat dhe me meritë kryeson tabelën. E gjitha kjo falë një loje sa spektakolare aq edhe efektive. Të mendosh se mund të triumfojë në fund të vitit nuk është herezi. Megjithatë, trajneri Michel nuk dëshiron të mendojë ende për këtë: “Për të folur për gjëra më të rëndësishme, si Champions League, duhet të arrijmë në 10 ndeshjet e fundit. Atëherë do të jem gati të flas për objektivin tonë të ardhshëm”, deklaroi ai. E tifozët katalanas tashmë po ëndërrojnë ta shohin atë të festojë në një konferencë shtypi siç bëri Ranieri (“Jemi në Champions League”).

KUSH ËSHTË MICHEL?

Mesfushori i talentuar i Rayo Vallecano mes viteve 90 dhe 2000, Miguel Ángel Sánchez Muñoz, i njohur si Míchel, në karrierën e tij si trajner solli në La Liga fillimisht Rayo (2018) dhe më pas Huesca (2020). Por pika e vërtetë e kthesës erdhi me kalimin te Girona. Në vitin 2022 arriti promovimin, vitin pasardhës arriti shpëtimin pa probleme dhe sot jeton ëndrrën për të qenë në krye të kampionatit falë një loje argëtuese dhe spektakolare të krijuar nga presingu dhe zënia e hapësirave. 4-3-3 është formacioni referencë dhe stili i lojës është i afërt me atë të Manchester City të Pep Guardiola…

Pas një jete në ligat e vogla spanjolle, dhjetë vjet më parë Girona duhej të përfshinte tifozët e tyre për të shlyer borxhet. “El Girona tambien es mio” (Girona është edhe e imja) ishte motoja e aksioneve popullore, të cilët duke mbledhur 300 mijë euro shmangën falimentimin e klubit dhe hapën dyert për hyrjen e pronarëve aktualë. Në gusht 2017, 44% e aksioneve u morën nga City Football Group dhe 44% të tjera nga Girona Football Group i drejtuar nga Pere Guardiola, vëllai i Pep, i cili sot mban rolin e presidentit të Bordit të Drejtorëve dhe CEO i klubit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *