• |
ide | kryesore

Pa përllogaritur emigracionin, popullsia e 50 bashkive në rënie

Lajme, Të fundit



Popullsia e vendit po tkurret me shpejtësi edhe pa efektet emigracionit ndërkombëtar.

Të dhëna të detajuara të INSTAT për ndryshimet e popullsisë tregojnë se nga 61 bashki, që ka vendi, në 50 prej tyre popullsia është në rënie të shpejtë edhe pa efektet e emigracionit ndërkombëtar.

Në fillim të vitit 2023, vetëm popullsia e 11 bashkive është rritur, duke marrë parasysh rritjen natyrore të popullsisë dhe migracionin e brendshëm neto, ndërsa të gjitha bashkitë e tjera patën një rritje negative të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar.

Bashkia e Tiranës ka pasur rritjen më të lartë të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar, pasi u shtua me 8.612 banorë, e ndjekur nga bashkia e Kamzës, e cila u rrit me 1.957 banorë.

Nga ana tjetër, bashkia Korçë kishte rënie të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar pasi ajo u ul me 726 banorë, e ndjekur nga bashkia Patos, e cila u ul me 595 banorë.  Siç shihet nga harta e mëposhtme popullsia pa përllogaritur efektet emigracionit jashtë vendit u rrit vetëm në bashkinë e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Krujës, Tiranës, Kamzës, Vorës, Shijakut, Kavajës, Vlorës dhe Sarandës.

Emigracioni i jashtëm është një ndër shkaktarët madhorë të rënies së popullsisë në vend, por aktualisht edhe pa këtë fenomen popullsia e vendit po shkon drejt pakësimit për shkak të rënies së lindjeve. Popullsia zyrtare e vendit përllogaritet rreth 2,7 milionë banorë, por rezultatet e sakta pritet të dalin nga censi i këtij viti.

Gjithashtu migrimi brenda Shqipërisë ka një ndikim të rëndësishëm në popullsinë e njësive administrative. Në vitin 2022, në nivel qarku, vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kishin një migrim të brendshëm neto pozitiv (më shumë të ardhur se sa të larguar), respektivisht me 7.366 Tirana, 1.182 Durrësi dhe 239 Vlora (të ardhur më shumë se sa të larguar). Të gjitha qarqet e tjera kanë pasur migracion të brendshëm neto negativ gjatë vitit 2022, në veçanti qarqet e Dibrës dhe Elbasanit, me -1.822 dhe -1.283 respektivisht.

Rezultati i ri mbi popullsinë reale që jeton në vendin tonë do të diktojë një riorganizim të ri territorial, pasi bashki të tëra rrezikojnë të shuhen në një të ardhme jo të largët nga pakësimi i banorëve dhe lindshmëria e ulët.

Në një skenar hipotetik me emigracion zero popullsia e Shqipërisë është rritur me vetëm 0.02% me 2022, pasi shtesa natyrore ishte vetëm 690 persona, ndërsa në tremujorin e parë 2023 shtesa natyrore u kthye në negative për shkak të rënies së lartë të lindjeve.

Por komponenti i emigracionit është faktor themelor në statistikën e popullsisë, pasi vendin tonë e ndikon më shuma se shtesa natyrore. Më 2022 emigracioni ka qenë i fortë. Vetëm azil kërkues ishin rreth 32 mijë persona në vendet e BE dhe në Britaninë e Madhe, pa llogaritur ikjet nga vendi me kontrata pune, bashkim familjar dhe nëpërmjet lotarive./ Monitor



2 Comments

  1. Programi i Cybrillocicit per zvoglimin e popullit shqiptar dhe largimin nga trojet e tyre po

    zbatohet pike per pike nga rilindasit. Kete program te Cubrillocicit nuk arriten ta zbatojne

    qeverite serbe ne Kosove dhe praktikisht Kosova nen Serbi pati rritje te popullsise kurse

    populli shqiptar nen regjimin e rilindjes eshte zvogluar ne 1/3 vetem gjate dy mandateve.

    Ky genocid ka ndodhur kryesisht ndaj popullit opozitar ku rreth 80% e te larguarve i

    perkasin popullit opozitar. Lexoni Memorandumin e Cubrillovicit dhe do shikoni ngjashmerine

    si dy pika uji me ate qe ben qeveria rilindase.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *