• |
ide | kryesore

Houthi, grupi jemenas që po u shkakton telashe Izraelit dhe SHBA-ve

Arkiva, F1, Planet
houthi



1.Kush janë Houthi?
Të njohur edhe me emrin “pasuesit e Allahut”, të besimit mysliman shiit, aktivë që nga vitet ’80 dhe ’90, ata u imponuan me luftën civile në Jemen në vitin 2014 kundër qeverisë qendrore. Ndihma e Teheranit, e kombinuar me vendosmërinë, i shndërroi ata në një ushtri prej tashmë 120 mijë vetësh.

Fillimisht ata u morrin me armiqtë e tyre të brendshëm, por më pas i shkaktuan humbje të rënda Arabisë Saudite dhe Emirateve, të cilët ndërhynë përkrah forcave vendase. Një sukses i tyrë që shkoi deri në pushtimin e kryeqytetit Sanaa dhe marrjen nën kontroll të pjesës perëndimore të vendit. Udhëheqësi i tyre është Abdulmalik al Houthi.

2 Sa i rëndësishëm është Teherani?
Irani ka garantuar mbështetje diplomatike dhe një fluks të vazhdueshëm armësh për Houthis. Pajisjet u dërgohen kontrabandë me anije tregtare, anije të rreme të peshkimit që perëndimorët janë përpjekur ta pengojnë duke sekuestruar ngarkesa të shumta. Shumë komponentë armësh kanë mbërritur të çmontuar dhe më pas janë bashkuar.

Së bashku me mjetet, Republika Islamike e Iranit ka konsoliduar me ta një marrëdhënie të cilësuar nga ekspertët si “pragmatike”. Houthi-t i janë bashkuar boshtit të rezistencës, frontit të milicive shiite që kundërshtojnë praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon dhe janë armiqësore ndaj Izraelit. Nga njëra anë ata bashkëpunojnë me Iranin në një fushatë sfilitëse ndaj kundërshtarëve të tyre nga ana tjetër po ngrenë prestigjin e tyre me inkursione.

Ata nuk janë kukulla, por protagonistë autonome që shfrytëzojnë konvergjencën e interesave me Teheranin. Loja është e ndërsjellë pasi iranianët, të cilët tashmë kërkojnë të prekin ngushticën e Hormuzit në Gjirin Persik, mund të thonë fjalën e tyre edhe në ngushticën e Bab el Mandeb, portën jugore të Detit të Kuq, një tjetër rrugë strategjike. Disa njësi detare të Teheranit operojnë në zonë dhe deri pak ditë më parë anija Behshad, një ngarkesë spiune e Pasdaran e stacionuar aty që nga viti 2021, ishte ankoruar pranë bregut të Jemenit.

3. Pse filluan sulmet?
Houthi-t shënjestruan anijet e lidhura me Izraelin pas fillimit të konfliktit në Gaza, një lëvizje e shoqëruar me përpjekje për të goditur shtetin hebre me pajisje me rreze të gjatë, në veçanti portin Eilat. Solidariteti me palestinezët është i natyrshëm për fraksionin, por është gjithashtu i dobishëm për Iranin në një pamje më të përgjithshme. Jemenasit shiitë kanë më pak kufizime për të ndërhyrë kundër izraelitëve sesa Hezbollahu libanez. Ky i fundit është i vetëdijshëm se çdo lëvizje e tij do të shkaktonte një hakmarrje të rëndë në të gjithë Libanin. Dhe për këtë qëllim gjuajtjet e tij kanë qenë të kufizuara.

4 Cili është qëndrimi i Riadit?
Arabia Saudite ka refuzuar t’i bashkohet zyrtarisht koalicionit të promovuar nga Uashingtoni. Së pari, sepse nuk dëshiron të konsiderohet pjesë e një grupi që mbron Izraelin. Dhe më pas, për shkak se ai ka arritur një armëpushim të brishtë me Houthis dhe ka frikë ta komprometojë atë. Por mbretëria saudite ndoshta është e bindur se mund të komunikojë në një farë mënyre me ajatollahët, të paktën për të ulur tensionet.

5. Cilat do të jenë reagimet?
Javët e fundit ka pasur një intensifikim të operacioneve kundër anijeve izraelite. Sulme të mundshme ka pasur edhe kundër “interesave britanike dhe amerikane” në rajon. Megjithatë Houthit e guximshëm dhe krenarë kanë disa dobësi. Situata ekonomike është katastrofike. Ata varen rreptësisht nga porti i Hodeidës për furnizime (përfshirë ushqimin) dhe për këtë arsye një bllokadë e mundshme detare e portit do të kishte pasoja serioze. Hipoteza e “mbylljes” së aksesit në Hodeida ishte një nga sugjerimet e ekspertëve. Ai do të nënkuptonte ndëshkimin të gjithë popullsisë dhe për këtë arsye nuk është marrë në konsideratë për momentin. ©Corriere, LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *