• |
ide | kryesore

OKB nis hetimin e akuzave për lidhje të personelit të tij me Hamasin

Arkiva, Lajme, Të fundit
okb



Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres njoftoi të dielën se zyra e OKB-së për Shërbimet e Mbikëqyrjes së Brendshme kishte nisur një hetim rreth pretendimeve se 12 anëtarë të personelit të agjencisë për refugjatët palestinezët, UNRWA, ishin përfshirë në sulmet terroriste të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Në deklaratën e zoti Guterres thuhej se “Komisioneri i Përgjithshëm i kësaj agjencie, Philippe Lazzarini kishte shkëpur kontratat për nëntë nga personat që dyshohet të jenë përfshirë, një tjetër sipas tij është konfirmuar i vdekur dhe po punohet për identifikimi e dy personave të tjerë”.

Po kështu kreu i OKB, Guterres u bëri thirrje vendeve që kanë pezulluar fondet për këtë agjenci, që të vazhdojnë kontributet e tyre për 2 milionë civilët në Gazë, që varen nga kjo ndihmë për mbijetuar. Deri më tani, 9 vende përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë kanë ndërprerë financimin për agjencinë. Së bashku, ato siguruan rreth 60% të buxhetit të agjencisë në vitin 2022. Ministri i Jashtëm izraelit bëri thirrje që më shumë vende të ndërpresin ndihmat për këtë agjenci.

Ndërkohë demonstrues izraelitë të krahut të djathtë, së bashku me anëtarë të familjeve të pengjeve që mbahen në Gazë organizuan një protestë në anën izraelite të pikë-kalimit Kerem Shalom, në një përpjekje për të bllokuar kalimin e kamionëve me ndihma në Rripin e Gazës. Policia izraelite arriti t’i mbajë larg dhe lejoi kalimin e disa prej kamionëve për herë të parë pas disa ditësh.

Si pasojë e konfliktit në Gazë janë vrarë më shumë se 26 mijë palestinezë, sipas zyrtarëve të ministrisë së shendetësisë që drejtohen nga grupi militant. Lufta nisi pas një sulmi terrorist të Hamsit më 7 tetor të vitit të kaluar, si pasojë e të cilit u vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë. Po kështu militantët morën rreth 250 persona si pengje.

Dy zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bidenit thanë se negociatorët amerikanë po përparonin në një marrëveshje të mundshme, sipas së cilës Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake kundër Hamasit për dy muaj si dhe do të lejonte më shumë ndihma humanitare në këmbim të lirimit të më shumë se 100 pengjeve të mbetura.

Nëse do të arrihej, marrëveshja do të zbatohej në dy faza, sipas personave në dijeni të kësaj çështje. Pavarësisht progresit të dukshëm në këtë drejtim, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti në një konferencë për mediat se lufta do të vazhdojë deri në “fitoren e plotë’ të vendit të tij ndaj Hamasit. /VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *