• |
ide | kryesore

Lehtësohen kushtet për investitorët në hotele me 4 dhe 5 yje

Lajme, Të fundit



Qeveria ka lehtësuar kushtet për investitorët që marrin statusin special për investimet e tyre në struktura akomoduese me 4 apo 5 yje. Një vendim i fundit i miratuar këtë të mërkurë përcakton që investitorët me status special të cilët duhet të kenë një vlerë investimi 8 milionë euro dhe 15 milionë euro sipas kategorisë ku investojnë nuk kanë detyrimin të të paraqesin dokumente mbi menaxhimin e strukturave të njëjta në të shkuarën. Sipas vendimit të vjetër qeveria kishte vendosur ndër të tjera kushte të tilla si:

-Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;

ii) Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to; si dhe

iii) Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian; apo

iv) Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizmit.

Në vendimin e ri këto kushte nuk janë më por janë përmbledhur në pikën (a) duke e riformuluar se struktura që do të ndërtohet nga investitori duhet të “menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen, i lidhur me aplikuesin me një marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit”

Lehtësohet garancia për marrëveshjen

Të gjithë investitorët që arrijnë të marrin statusin duke lidhur më pas një marrëveshje për zhvillimin e projektit duhet që të paguajnë një garanci. Më herët me vendimin e vjetër garancia ishte në nivelin 10 për qind të vlerës së investimit.

“Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon: a) Për hotelet me 4 yje 10% e vlerës 8 milionë euro (800 mijë euro); dhe b) Për hotelet me 5 yje 10% e vlerës 15 milionë euro (1.5 milionë euro)” thuhet në VKM e vjetër të vitit 2018.

Në vendimin e ri qeveria sanksionon se “Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon: a) Për hotelet me 4 yje për vlerën 240 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 4 yje prej 8 milionë eurosh); b) Për hotelet me 5 yje për vlerën 450 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 5 yje prej 15 milionë eurosh)”./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *