• |
ide | kryesore

Tragjedia me dy akte e Bedrie Lokës

Arkiva, Blog
Bedrie



Bedrie Loka, që humbi jetën pas përdorimit të fotoksinës këtë fillimjanari, u lakua në titujt e lajmeve si viktimë e denigrimit në rrjete sociale. Por kjo ishte vetëm gjysma e historisë e servirur nxitimthi në media. Ajo që që u la në hije për pak kohë ishte dhuna sistematike në familje nga i shoqi, siç treguan dëshmitë dhe provat e mbledhura. Viktima kishte denoncuar përndjekjen në tik tok, por jo dhunën në familje. Faktoje sjell në retrospektivë vetëvrasjen e Bedrie Lokës, si një tragjedi në dy akte, ku përndjekja në tik tok, u përdor si alibi edhe nga bashkëshorti dhunues, si shkaku i vetflijimit të gruas.

Nga Anila Prifti

Postimet fyese në Tik Tok dhe vdekja e Bedrie Lokës

Në dhjetor 2022 Bedrie Loka, 41 vjeçe nënë e katër fëmijëve dhe punonjëse fasonerie pranë Durrësit, u paraqit në polici me këtë denoncim: “Unë quhem Bedrie Loka. Më kanë hapur një llogari në Tik-Tok, ku kanë hedhur një foto timen dhe kanë shkruar shumë fjalë denigruese dhe ofenduese për mua. Dyshoj se këtë faqe e kanë hapur dy persona që banojnë në lagjen 4. Quhet Albina D. rreth 30 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Bilbil D. Arsyeja është se kjo vajza Albina D., punon me mua dhe të gjitha komentet që i ka shkruar i ka bërë rreth punës sime.”

Thuajse një vit pas këtij dnoncimi, në 2 janar 2024 gruaja dha shpirt në një nga pavionet e QSUT, pasi u dërgua në gjendje të rëndë nga konsumimi i fostoksinës, i njohur tashmë si helmi i vetëvrasjes. Edhe policia konfirmoi si shkak të vdekjes, përdorimin e fostoksinës.

Po atë ditë dhe në vijim, mediat online dhe ato tradicionale mbushën faqet dhe edicionet e lajmeve me titujt: “U vetëvra pas bullizimit në Tiktok”, “Profil fals në Tik Tok, vetëvritet gruaja”, etj.

Pas nxitimit të mediave, për të dalë në konkluzionet e ngjarjes, ende pa u informuar plotësisht, rrjeti shpërtheu nga komentet dhe opinionet që merrnin të mirëqenë, vetëm njërën anë të medaljes, atë që kishte servirur media 24 orët e para nga vdekja e 41 vjeçares.

Të dhënat nga CrowdTangle, titujt e disa mediave për vetëvrasjen e Bedrie Lokës
Të dhënat nga CrowdTangle, titujt e disa mediave për vetëvrasjen e Bedrie Lokës

Shumë nga indinjata e të tjerë duke e lidhur me politikën e ditës, ata që reaguan duket se nuk kishin mundur të informoheshin për pjesën tjetër të së vërtetës që u la në hije të paktën për ca ditë.

“Denoncimi për denigrimin në Tik Tok u bë nga vetë Bedrie Loka. Janë marrë disa persona në pyetje. Nga kompania e Tik-Tok nuk kemi mundur të marrim të dhëna në kohë” – konfirmoi për Faktoje Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hitaj.

Referimi i policisë në Prokurori u bë po në dhjetor të vitit 2022, dhe vepra penale e regjistruar është “Falsifikim kompjuterik” në kuadër të krimit kibernetik. Hetimet fillimisht u bënë nga një prokuror i cili u largua nga vetting-u dhe çështja i kaloi një prokurori tjetër.

“Për sa kohë Kodi Penal është duke u rishqyrtuar, ky do të jetë një kapitull që do të ketë një vëmendje më të madhe, sepse kërkon një rishikim të të gjithë kuadrit ligjor, duke respektuar lirinë e medias, por nga ana tjetër për të marrë masat ndaj gjithë qytetarëve që janë viktima të këtyre rasteve dhe veçanërisht në rrjetet sociale, komenteve, që nuk kanë një kontroll, një rishikim apo një ndalim kur cenojnë dhe fyejnë qytetarët”, tha për Faktoje, Etilda Gjonaj, ish-ministre e Drejtësisë, Nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Çështjeve Europiane.

“Sot që flasim Shqiperia ka nivelin më të lartë të dhunës online dhe gjuhës së urrejtjes. Bedria, si pak kush denoncoi dhe ndoqi të gjitha hapat që duhej të ndiqeshin. Kjo e bën më të rëndë rastin. Për të adresuar bullizmin dixhital kërkohet një qasje shumëdimensionale, duke përfshirë shtetin, individë, komunitete dhe platformat online”, shpjegon eksperti i IT-së Besmir Semanaj.

Në fakt, edhe të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme flasin për shifra domethënëse për shkeljet në hapësirën kibernetike, ku përfshihet edhe rasti në fjalë. Sipas raportimit zyrtar, 255 procedime të krimit kibernetik janë regjistruar vetëm për vitin 2022, me 30 të pandehur dhe 8 të dënuar.

Por a ishte denigrimi në rrjetet sociale i Bedrie Lokës, shkaku i vetëvrasjes (një pistë komplekse për rrethanat në të cilat ka ndodhur)? Tezën e bullizimit në TikTok e përdori si alibi edhe bashkëshorti i viktimës, Xhemal Loka.

“Gruan time e vrau Tik-Toku, unë e doja Bedrien”, citohet të ketë thënë ai duke iu referuar postimit me foton e Bedries, shoqëruar me fjalë denigruese.

Postimi në tik tok me fjalë denigruese (foto dhe fjalët të censuruara)
Postimi në tik tok me fjalë denigruese (foto dhe fjalët të censuruara)

Xhemal Loka u arrestua më 8 janar, gati një javë pas vdekjes së gruas, ndërsa karakteri i tij problematik nisi të qartësohej edhe publikisht me të tjera të dhëna, ndër të cilat disa precedentë të mëparshëm penalë.

Dhuna ndaj Bedries nisi para se të shpikej TikToku

“Që në mars 2000, që kur është martuar motra ime, ai e ka trajtuar keq. E ka dhunuar disa herë fizikisht. Besoj se këtë veprim e ka bërë vetëm prej dhunës së Xhemalit dhe nuk ka lidhje me Tik-Tok”, thotë ndër të tjera Avdi Bushi, vëllai i viktimës duke folur me gazetarët pas ngjarjes tragjike.

Dëshmitë e familjarëve që rrodhën njëra pas tjetrës zbardhën zanafillën e historisë, Bedrie Loka ishte viktimë e dhunës sistematike vite përpara se ajo të deningrohej në rrjetet sociale.

Dëshmi që konfirmojnë dhunën, për të cilën familjarët pohojnë se ishin në dijeni, por që të gjithë e kanë pranuar dhe zgjodhën të heshtin, përfshirë edhe vetë viktimën Bedrie Loka. Policia e Durrësit konfirmon se nuk ka pasur denoncim nga Bedrie Loka për dhunë nga i shoqi.

Sukth i ri, vendi ku banonte Bedrie Loka
Sukth i ri, vendi ku banonte Bedrie Loka

“Përsa i përket dhunës nga bashkëshorti, nuk kemi pasur asnjë denoncim. Ai aktualisht nga hetimet e deritanishme po akuzohet për shkaktim i vetëvrasjes”, konfirmon për Faktoje Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hitaj.

“Më 27 dhjetor kur babi erdhi në shtëpi, u zu me mamanë, pasi thoshte se kishte dëgjuar fjalë të njerëzve të tjerë për të. Ai i tha mamasë lloj-lloj fjalësh. I tha po kështu se do të vras, e ka ofenduar me fjalë të rënda dhe e ka goditur mamanë me grushte dhe shkelma. Madje e akuzonte duke i thënë që ke zënë dashnor”, citohet të ketë dëshmuar Kledjan Loka, djali i vogël i familjes.

Ishte njëri nga djemtë e çiftit, ai që regjistroi videon që dëshmonte dhunën dhe presionin e ushtruar ndaj viktimës pak ditë para se e ndjera të ndahej nga jeta, në rrethana që mbeten ende për t’u qartësuar.

“Kam dyshime dhe kam bindje se motra ka pirë helm për shkak të marrëdhënies, presionit që kishte nga bashkëshorti i saj. E njoh shumë mirë Xhemalin, ai ka qenë i dhunshëm dhe nuk e ka trajtuar mirë motrën, sidomos këto dy vite. Këtë fakt që ai nuk e trajtonte mirë, ma ka thënë motra ime disa herë dhe i kam thënë Xhemalit shumë herë që të mos e keqtrajtonte motrën time”, thotë vëllai tjetër, Mahmut Bushi.

Edhe prokuroria, teksa hetimet vijojnë, saktëson, se nga të dhënat e deritanishme rezulton se vetëvrasja nuk ka ardhur për shkak të denigrimit në rrjetin social Tik-Tok, por nga dhuna e shtrirë në kohë e bashkëshortit. Ekspertë psikiatër dhe kriminalistë, gjithashtu argumentojnë se si ndikon dhuna në përfundime tragjike.

“Ne nuk dimë nëse Bedrie Lokës iu afrua fostoksina nga dikush tjetër, apo e mori vetë. Nuk ishte me probleme mendore, ishte në shantazh, dhunë psikologjike dhe fizike të vazhdueshme. I takon antikrimit të zbulojë, nëse është bashkëshorti i saj Xhemali, ai që përmes shantazhit i ka afruar helmin apo jo”, thotë një psikiatër me emër, i cili preferon të mos identifikohet publikisht.

Në të njëjtën linjë qëndron dhe Xhevair Çeloaliaj, Ekspert Kriminalist.

“Nga momenti që në Tik-Tok është hapur një adresë false, ajo është vendosur para denigrimit dhe shantazhit; i ka shkaktuar plogështinë dhe pozicionin e personit të zënë në faj. Mund të jetë bashkëshorti që e ka bërë këtë gjë”, sugjeron Çeloaliaj.

Vetëvrasja edhe vrasja e grave

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja, hetimet vijojnë për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, me të pandehur bashkëshortin e viktimës, por dyshimet janë të shumta. Fakt është se 41-vjeçarja Bedrie Loka, iu shtua listës së viktimave, pas dhunës së shfaqur në disa forma, asaj fizike e psikologjike brenda mureve të shtëpisë dhe paragjykimit e bullizimit në shoqëri.

“Është viktimë e një pandemie denigruese ndaj grave, pandemi që duket se nuk po ka fund. Reagimi ndaj denoncimeve të grave shpesh është i vakët dhe vjen vetëm kur një jetë ka humbur dhe ndjeshmëria social-ligjore shtohet”, thotë për Faktoje, Vali Qyrfyqi, gazetare me përvojë e çështjeteve sociale në Durrës.

Shifrat ilustrojnë situtën alarmante të dhunës së të gjitha formave ndaj grave. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se 1038 persona u dënuan për dhunë në familje, gjatë 2022. Për të njëjtin vit, rapotohem 4 mijë denoncime të dhunës në familje dhe lëshimi i 2400 urdhër-mbrojtjeje për gratë dhe vajzat.

Raporti i publikuar nga OBSH e rendit Shqipërinë të dytën pas Rumanisë sa i takon këtij fenomeni në Evropën Qendrore; Po në të njëjtin vit, për shkaktim të vetëvrasjes, ka 233 procedime të regjistruara, por vetëm 2 të dënuar. Nga 90 vetëvrasje në total, 30% prej tyre janë gra. Të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit për Faktoje, tregojnë se nga viti 2010 deri sot, janë 159 gra viktima të krimit në familje. /faktoje.al

Shifrat për viktimat e krimit në familje gra/vajza (Burimi INSTAT)
Shifrat për viktimat e krimit në familje gra/vajza (Burimi INSTAT)



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *