• |
ide | kryesore

Serbët e Kosovës protestojnë kundër ndalimit të dinarit, pritet lehtësim i periudhës kalimtare

Arkiva, Lajme, Të fundit
Serbët



Grupe qytetarësh serbë protestuan të hënën në Mitrovicën e Veriut kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në të gatshme në zonat e banuara me shumicë serbe.

Protestuesit i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni mbi autoritetet në Prishtinë për anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me një shkurt, sipas të cilit euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Dushanka Gjoroviç nga Shoqata e Pensionistëve tha se vendimi për heqjen e dinarit nënkupton heqjen e së drejtës për jetë.

“Vendimi për heqjen e dinarit, është për të na e pamundësuar të tërheqim pensionet, do të thotë të na hiqet buka, po na hiqet e drejta e jetës”, tha ajo duke kërkuar reagim ndërkombëtar për këtë çështje.

“Ne nuk kërkojmë asgjë, po i bëjmë thirrje të gjithë botës demokratike të na dëgjojë. Ne jemi të shqetësuar, duhet që ky vendim të anulohet dhe të mundësohet shpërndarja e dinarëve në bankat dhe postat tona”, tha zonja Gjoroviç.

Dragisha Milloviç nënkryetar i Listës Serbe tha se autoritetet në Prishtinë nuk kanë të drejtë të ndalojnë përdorimin e dinarit.

“Ky vendim drejtpërdrejtë shënjestëron popullin tonë serb dhe kërcënon mbijetesën e tij nëse mbetet në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zhbërjen e institucioneve serbe në këto zona”, tha Dragisha Milloviç.

Vendimi i Bankës Qendrore ka nxitur reagimin e zemëruar të udhëheqësve të Serbisë të cilët thonë se qëllimi i tij është “përndjekja e serbëve të Kosovës” të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë.

Javën e kaluar autoritetet në Prishtinë ndaluan në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë hyrjen e një shume të parave në dinarë që sipas autoriteteve të Serbisë ishin pjesë e pagesave për qytetarët serbë.

Ndalimi i këtyre përfitimeve në dinarë serb ka ngritur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në disa raste kërkuan nga qeveria e Kosovës pezullimin e vendimit të Bankës Qendrore dhe një periudhë të mjaftueshme kalimtare për zbatimin e tij.

Autoritetet në Kosovë janë pajtuar për një periudhë kalimtare, ndërsa kryeministri Albin Kurti shkroi të hënën në rrjetet sociale se qeveria e tij, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës kalimtare ndërsa u bëri thirrje edhe institucioneve tjera që të mbajnë të njëjtin qëndrim. Një ditë më parë përmes një videomesazhi në gjuhën serbe, kryeministri Kurti tha se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin serb, por futjen e tij me thasë përmes kufirit.

Banka Qendrore e Kosovës publikoi sot veprimet me të cilat do të lehtësojë qasjen në institucionet financiare për serbët e Kosovës. Kjo Bankë tha se me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre 3 muaj, do të lehtësojë kushtet për hapjen e llogarive bankare, lehtësimin e procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara, posaçërisht në katër komunat në veri të Kosovës./VOA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *