• |
ide | kryesore

Transfertat bankare nga jashtë u rritën me 44.4% vitin e kaluar

Lajme, Të fundit



Transfertat hyrëse nga jashtë vendit në llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve në Shqipëri shënuan një rritje të ndjeshme vitin e kaluar.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, numri i transfertave nga jashtë arriti në sektorin bankar shqiptar arriti në 5.8 milionë, në rritje me 44.4% krahasuar me vitin 2022. Numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse ka shënuar nivelin më të lartë historik, ndërkohë që preku një rritje me 256% krahasuar me periudhën para pandemisë (viti 2019).

Rritja shumë e lartë e numrit të transfertave hyrëse në vitet e fundit duket se reflekton në një masë të madhe zhvillimin e sektorit të turizmit, por edhe rritjen e të ardhurave nga remitancat dhe nga zërat e eksportit të shërbimeve.

Rritja është mjaft e lartë si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.

Transfertat në llogaritë e individëve arritën në 376 mijë, në rritje me 27.5% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa transfertat në llogaritë e bizneseve arritën në më shumë se 5.4 milionë, me një rritje prej 45.7% krahasuar me vitin 2022.

Zhvlerësimi i Euros dhe valutave të tjera të huaja vitin e kaluar bëri që vlera e transfertave, e shprehur në Lekë, të pësonte rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të bizneseve dhe individëve arritën vlerën e 548.6 miliardë lekëve, në rënie me 16.2% krahasuar me një vit më parë. Pas muajit maj, kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie të fortë, rënie që arriti më shumë se 14% me bazë vjetore në pikun e sezonit veror.

Shifrat e bilancit të pagesave, të shprehura në Euro, deri në fund të 9-mujorit 2023, treguan se për herë të parë në historinë e saj Shqipëria kishte një bilanc të jashtëm pozitiv. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin 2023 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 28 milionë eurove. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria regjistroi një bilanc të llogarisë korrente pozitiv për periudhën.

Kontributin kryesor në përmbysjen e pozicionit të jashtëm të vendit e ka dhënë turizmi. Për 9-mujorin 2023, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 1.46 miliardë euro, në rritje vjetore me 73%.

Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit, duke filluar nga shërbimet e fasonerisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2023 fasoneria solli të ardhura neto në ekonomi në vlerën e 592 milionë eurove, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë.

Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 677 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë rimëkëmbur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit. Inflacioni i lartë dhe rënia e kursit të Euros gjatë dy viteve të fundit gjithashtu mund të ketë nxitur rritjen e remitancave, për të mundësuar ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve të varura prej tyre./MONITOR



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *