• |
ide | kryesore

Pushtuan fushën e sulmuan arbitrat, Disiplina fundos Kukësin: kartoni i kuq në Korçë i kushton rëndë Rrapaj

F1, Sport
Rrapaj



Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka patur punë me analizimin e situatave që kanë ndodhur në javën e fundit të futbollit shqiptar. Në shënjestër ngjarjet që ndodhën në Kukës e Korçë, por nuk ka shpëtuar as Egnatia e Tirana. Dënim i fortë për sherrxhinjtë Rrapaj e Janaqi, që kaluan nga fjalët te veprat në fushë. Sidoqoftë, ka shkuar keq për Blutë, sikur të mos mjaftojë fakti që janë të fundit në renditje.

Në Kukës ndeshja u ndërpre për 15 minuta, pas golit të Zekës, që përmbysi rezultatin në favor të Erzenit, me tifozët që pushtuan fushën dhe tentuan të sulmojnë arbitrat. Gjobë 300.000 lekë për klubin dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës. Edhe zyrtari i Kukësit Naim Halili për dhunë ndaj arbitrave të ndeshjes është përjashtuar dy vjet nga aktiviteti.

Ia kanë hedhur paq te Skënderbeu, pasi për incidentet në stadium në ndeshjen në Korçë kundër Partizanit, ku u sulmuan të tribunë drejtuesit e të kuqve, u gjobitën vetëm 300.000 lekë. Më keq e pati Egnatia, që për hedhje të sendeve në fushën e lojës janë dënuar me dy ndeshje pa tifozë, përvec gjobës.

Lexo më tej: Video/ Skënderbeu fiton me një penallti, dy përjashtime e sherr me Partizanin: kthim i hidhur në Korçë për Shehin

Lajmin më të keq e ka marrë Partizani që ka parë Arinaldo Rrapaj të dënohet për sherrin me Janaqin në ndeshjen Skënderbeu-Partizani. Kartoni i kuq do t’i kushtojë të dyve nga 3 ndeshje skualifikim, por Shehi do të humbasë pedinën më të rëndësishme të skuadrës së tij.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF

1. FK Egnatia e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1 dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (njëqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë.

2. KF Tirana e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

3. KF Skënderbeu e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe fyer tifozerinë mike. Në bazë të neneve 13/2, 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.

4. Lojtari i KF Skënderbeu, Dejvid Janaqi, e pëson për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë. Në bazë të nenit 14/1/i të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

5. Lojtari i FK Partizani, Arinaldo Rrapaj, e pëson për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë. Në bazë të nenit 14/1/i të KDE Rrapaj dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

NGJARJA NË KUKËS

6. FK Kukësi e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe duke lejuar hyrjen e spektatorëve në fushën e lojës. Në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.

7. Zyrtari i FK Kukësi, Naim Halili, e pëson për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes para fillimit të ndeshjes midis FK Kukësi kundër FK Erzeni. Në bazë të neneve 6/2/a, 13/2, 14/1/k, 14/1/l, 32, 59 dhe 77 të KDE, dënohet me 2 (dy) vite pezullim nga të gjitha veprimtaritë futbollistike të organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet dhe veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

KATEGORIA E PARË

8. Zyrtari i KF Lushnja, Mario Sula, e pëson për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

9. AF Elbasani e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

10. FK Tomorri e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *