• |
ide | kryesore

“Serbia sakrifikohet për mbijetesën e Vuçiç”/ DW: Diskutime për rrënojat e Shtabit të Përgjithshëm

Lajme, Të fundit



Prishja e monumenteve të kulturës për të ndërtuar një hotel duhet të parandalohet, thonë opozitarët. Ata thonë se tema e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd nuk është diskutuar, edhe kur të bëhet, qytetarët do të njoftohen. Në rast se kjo ndodh, në ambientet e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm do të ketë një qendër përkujtimore, për të cilën do të pyetet Qeveria e Serbisë. Por Beogradi nuk mund t’ia lejojë vetes të ketë “rrënoja” në qendër të qytetit edhe për një çerek shekulli tjetër.

Ky është thelbi i daljeve në media të ministrit të Ndërtimit, Goran Vesiç, që ishte autorizuar të nënshkruante memorandum për “rivitalizimin” e Shtabit të Përgjithshëm me kompanitë e Jared Kushner. “Rivitalizimi” në fakt do të thotë shembje e kompleksit monumental të arkitektit Nikolla Dobroviq, siç u zbulua nga vetë Kushner në pamjet që ai publikoi në rrjetet sociale. Sipas imazheve në vend të kompleksit monumental aty do të shfaqeshin ndërtesa gjigante, për të cilat thuhet se do jenë hotele dhe apartamente.

Kështu publiku serb e kaloi 25-vjetorin e bombardimeve nga NATO-s duke diskutuar për një nga simbolet e bombardimeve të vendit në vitin 1999, aty ku mund të ndërtojë dhëndri i ish-presidentit amerikan dhe ndoshta të ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump.

Kështu, qeveria e Aleksandar Vuçiçit, e cila zakonisht në çdo rast flet për “krimet” e NATO-s, guxoi të prekte një nga simbolet e bombardimeve. Godinës së Shtabit të Përgjithshëm iu dha një rëndësi thuajse mitike në publik, ndaj prishja e saj vështirë se do të mund të kalonte në heshtje. Lëvizja “Lëviz-ndrysho” po mbledh firma për një peticion për të rindërtuar ndërtesat në vend të prishjes së tyre dhe për t’i bërë parcelat jo tërheqëse për investitorët e huaj, e kjo duhet të parandalohet.

Quta paralamëron protesta

“Serbia nuk është bufe suedeze dhe Vuçiç nuk është kamarier. Kjo nuk është pronë e tij private”, thotë Aleksandar Jovanoviç Quta, njeriu i parë i kryengritjes ekologjike. Ai i prezantoi publikut vendimin e diskutueshëm të Qeverisë që autorizon Vesiçin të bëjë marrëveshje me Kushnerin.

“E njëjta gjë po ndodh edhe me pasuritë tona natyrore, me lumenjtë, pyjet. Aleksandar Vuçiç po jep gjithçka me vlerë dhe nuk i informon njerëzit, se cilat janë kontratat dhe cilat janë përfitimet për qytetarët e Serbisë”, tha Jovanoviç për DW.

Ai thotë se do të bëjë atë që di më së miri – thirrje për protesta. E para është caktuar për 6 prill, gjithashtu një datë plot histori, sepse në atë ditë të vitit 1941, aeroplanët e Wehrmachtit shkatërruan Beogradin. Protesta sërish në mënyrë simbolike do të nisë nga ora 5 deri në 12 pasdite. Ai thotë po ashtu se në fund qytetarët do të mbrojnë Shtabin e Përgjithshëm pasi kanë penguar më parë Rio Tinto ose kanë luftuar kundër hidrocentraleve të vogla në Stara Planina. “Nëse dikush do të përpiqej të bënte diçka të tillë në Gjermani, do të duhej të shkonte fillimisht në psikiatri e më pas edhe në burg. Këtu kemi të bëjmë me një grup kriminal që nëpërkëmb jetën, sepse i intereson fitimi dhe asgjë tjetër”, shton Jovanoviç.

Sipas New York Times, ‘hileja’ është dhënia e parcelave të tokës me qira “falas” për 99 vjet ndaj sipërmarrjes së Kushnerit në Beograd.

Bobiç: Shteti duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme

Arkitekti i famshëm Gjorgje Bobiç, i cili dy dekada më parë ishte edhe kryearkitekti i qytetit të Beogradit, i pyetur se çfarë i kundërshton një “rivitalizimi” të tillë të zonës së Shtabit të Përgjithshëm, nuk di nga të fillojë. Ai thotë se është i lidhur edhe emocionalisht me këtë pjesë, sepse mësuesi i tij ka qenë krijuesi i kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm Dobroviç, dhe se ndërtesa është kryevepër e arkitekturës jugosllave dhe serbe, e njohur në mbarë botën si kulmi i modernizmit.

“Prandaj u mor vendimi për njohjen e statusit të monumentit të kulturës të rangut më të lartë. Kjo mjafton që shteti të marrë përsipër detyrimin për të investuar para dhe për ta rikthyer objektin në gjendjen në të cilën ishte para aktit kriminal të NATO-s”, thotë Bobiç për DW. Është arrogante, thotë ai, që thjesht po rrënohet, po ndërtohet një lloj hoteli dhe se “fuqisë së huaj” që bombardoi Beogradin në vitin 1999 po i “dhurohet vendi më i çmuar” në qytet “për interesa politike apo personale”.

“Vetë ideja është pafundësisht fyese. Njerëzit e këtij qyteti dhe shteti do të duhej të bënin një lloj kryengritjeje për ta parandaluar atë, “me hir a pa hir”. “Qytetarët duhet të ndëshkojnë ashpër njerëzit nga maja e shtetit që bëjnë këtë gjest shkatërrues”, shton arkitekti.

Grenell i emocionuar

Përgjigja e qeverisë për gjithçka është se Beogradi dhe Serbia duhet të zhvillohen. Argumentimi është i ngjashëm me ndërtimin e projektit Beogradi mbi ujë (një projekt ndërtimi godinash në afërsi të lumit Sava).
Arkitektja dhe urbanistja Iva Çukiç kujton se që nga viti 1999 kanë nisur debatet për të ardhmen e Godinës së Shtabit të Përgjithshëm dhe ka pasur ide të ndryshme. Ajo e vlerëson çështjen si “shqetësuese”, jo vetëm për rëndësinë e kompleksit si monument kulture me vlera të jashtëzakonshme arkitekturore, “por mbi të gjitha për kujtesën kolektive të kësaj shoqërie”.

Ndërsa Beogradi zyrtar thotë se ende nuk është nënshkruar asgjë, Richard Grenell, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trump, i cili gjithashtu është i përfshirë në këtë projekt, ka folur në një intervistë për gazetën Politika, se ky projekt paraqitet si “Urë Miqësie”. “Ne jemi të nderuar të bashkëpunojmë me serbët për ta kthyer këtë vend në një projekt shumë-qëllimësh të klasit botëror, qendra e të cilit do të ishte Memoriali, si një vend për të kujtuar historinë e tij,” tha Grenell.

“Jam i emocionuar të shoh idetë që do të prezantohen nga ekspertët serbë, në mënyrë që arkitekti origjinal, ndërtesat, emocionet dhe patriotizmi të nderohen në këtë lokacion”, shtoi ai.

Llogaritje politike?

Në disa komente të shtypit vendas dhe të huaj – për shembull, Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe New York Times – shkruhej se Vuçiç me këtë projekt shpreh edhe bindjen për fitoren e Donald Trumpit. Behoset se me një biznes fitimprurës për familjen e tij, Vuçiçi do t’i hapë vetes derën e Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa vetë Vuçiqi thotë se këto janë vetëm trillime qesharake të opozitës.

“Vendi i kujt është ky? Ne u dhamë rusëve gaz dhe naftë, Vuçiç u dha bakër dhe ar kinezëve, Rio Tinto planifikon të nxjerrë litium ku njerëzit bëjnë bujqësi dhe na ushqejnë. Vuçiq është sundimtari i parë i Serbisë, i cili mendoi të dëbojë një fshatar serb nga vendi i tij dhe atë tokë t’ia japë dikujt tjetër në shfrytëzim”, thotë Aleksandar Jovanoviç Quta.

“Serbia është një vend i sakrifikuar për hir të mbijetesës së Vuçiçit dhe ekipit të tij. Rezultati është zhdukja. Të gjitha rezultatet, si dhe prodhimi i brendshëm bruto me të cilën mburret Vuçiç, janë të parëndësishme. Parametri i vetëm është se sa njerëz janë larguar nga Serbia në 12 vitet e fundit, e kjo shifër është 700.000 njerëz kanë ikur nga vendi”, shton ai.

Tema e godinës së Shtabit të Përgjithshëm paraqitet në një moment të pavolitshëm për qeverinë. Jo vetëm para përvjetorit të bombardimeve, por edhe disa muaj para zgjedhjeve që duhet të përsëriten në Beograd, ndërkohë që lufta për kushte më të mira zgjedhore vazhdon dhe qeveria akuzohet për vjedhje votash./ DW



1 Comment

  1. 700 mije ne 12 vjete? Diletante. Rama deboi 1 milione ne 10 vjet. Dhe me nje popullsi sa gjysma e serbise. Mesoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *