• |
ide | kryesore

Arratisje nga policia për të fshehur refugjatët/ Tetë të vdekur në aksident

Arkiva, Kryesore, Lajme
Lushnje



Tetë jetë të humbura në aksidentin që ndodhi duke u gdhirë e marta në Këlcyrë, pranë fshatit Kuqar. Shtatë prej të vdekurve ishin emigrantë dhe ende nuk janë identifikuar. I teti, që ishte edhe drejtues i makinës tip “Benz” kishte marrë përsipër t’i transportonte nga jugu drejt veriut të vendit.

Policia njoftoi se drejtuesi i mjetit ishte Edison Bregaj. Në përpjekje për t’i ikur një patrulle policie, ai ka lëvizur me shpejtësi dhe mungesa e njohurive për rrugën i kushtoi jetën.

Mjeti ra në anë të lumit Vjosa, pasi doli nga rruga në një zonë malore. Përplasja ka qenë fatale dhe nga sa duket në videon më poshtë, mjeti është copëtuar tërësisht bashkë me trupat e emigrantëve që ishin “ngjeshur” aty.

Mëngjesin e sotëm, mjeti i shkatërruar u gjet nga uniformat blu. Mendohet se makina ka “fluturuar” rreth 500 metra nga rruga në drejtim të shtratit të lumit Vjosa. Trupat e pajetë u gjetën të shpërndarë pranë mjetit të shkatërruar.

Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, doli në një prononcim për gazetarët për të dhënë detaje më të sakta në lidhje me aksidentin.

Çipa sqaroi se makina tip “Benz” është pikasur për herë të parë rreth orës 02:20 të mëngjesit nga patrulla e policisë së Këlcyrës teksa lëvizte me shpejtësi. Efektivët i kanë bërë thirrje shoferit, Edison Bregaj që të ndalojë dhe ky i fundit është ndalur, për t’u kthyer me shpejtësi drejt Përmetit. Efektivët kanë reaguar menjëherë dhe janë vënë në ndjekje të makinës.

“Rreth orës 03:55 duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla me një automjet ka lëvizur në drejtim të Përmetit duke marrë kontakt dhe me qytetarë të ndryshëm të cilët i ka pyetur lidhur nëse kanë parë apo jo një mjet të tillë i cili ka ikur me shpejtësi. Duke qenë se nuk ka marrë informacion ka filluar inspektimin e gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi ku ka ndodhur dhe aksidenti ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas ka mundur të lokalizojë automjetin që ka rënë në afërsi të lumit Vjosa. Ka zbritur poshtë dhe menjëherë ka transmetuar informacionin shërbimeve që më pas kanë njoftuar prokurorin dhe grupin hetimor për të ardhur në vendngjarje”, u shpreh drejtori i policisë Çipa.

Prokurori i çështjes Petrit Çano tha se do të bashkëpunojë me ambasadat për identifikimin e emigrantëve. Ndërkohë tha ai, automjeti i Edison Bregut është marrë me qira në Shkodër dhe nuk është pronar drejtuesi.

“Automjeti është marrë me qira në një nga pikat në Shkodër, nuk është pronar drejtuesi. Viktimat e tjera janë shtetas të huaj nga vendet e treta, që donin të kalonin në vendet e tjera të BE-së. Se dimë akoma se cilave shtete u përkasin”, deklaroi për gazetarët Prokurori i Rrethit Petrit Çano.

Ajo u shpreh se dyshohet që makina të ketë “fluturuar” rreth 500 metra dhe si pasojë rreth e rrotull mjetit janë shpërndarë trupat e pajetë. Zona në fjalë njihet për transportin e klandestinëve.

Aksidentet me emigrantë të parregullt në vendin tonë kanë ndodhur edhe me herët. Shifrat tregojnë se transporti i klandestinëve mbetet ende problematik. Përveç emigrantëve nga vendet e Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme, janë kapur edhe emigrantë nga India dhe Nepali.

Aksidenti i sotëm u pasqyrua edhe nga agjencia Reuters, që e trajtoi si fenomen kalimin e emigrantëve nga vendet e Lindjes, nga Shqipëria drejt Europës. Por në shkrim përmendej edhe marrëveshja Rama-Meloni që pritet të sjellë mijëra afrikanë meshkuj në vendin tonë përmes kampit të Gjadrit. “Muajin e kaluar, Shqipëria, e cila është anëtare e NATO-s dhe aspiron të anëtarësohet në BE, ratifikoi një marrëveshje emigracioni me Italinë, sipas së cilës Roma do të ndërtojë qendra të pritjes së emigrantëve në vendin ballkanik” shkruan Reuters./Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *