• |
ide | kryesore

Video/ Shtylla ndal Murataj, por çfarë humbi Çoba në fund: Partizani e Vllaznia i japin asist Egnatias

F1, Sport, Video
Partizani



Shumë raste e asnjë gol. Partizani e Vllaznia barazojnë 0-0 në Arenën kombëtare, duke ndarë pikët për herë të tretë në katër përballje këtë sezon. Një asist për Egnatian, që mund të arratiset në krye të renditjes, nëse fiton me Erzenin. Murataj ishte i pafat në pjesën e parë kur goditi shtyllën, në betejën për vendin e dytë, por Çoba humbi një rast të pabesueshëm, i ndalur në mënyrë providenciale nga Qirko.

FATI NDALI PARTIZANIN

Mba provoi që në minutën e parë të vendoste diktatin e të tijve. Mungesat e forta të Hadrojit, Carës dhe Mehmetit e kishin detyruar Shehin për ca lëvizje në formacion, që u duk se funksionuan, të ndihmuar edhe nga rikthimi i Skukës. Për shkodranët njeriu i rrezikshëm është gjithnjë golashënuesi Balaj, që në minutën e 17’ rrezikoi për herë të parë portën e Qirkos, me një goditje që për pak u kthye në asist për Grudën.

Skuadrat luajtën hapur, edhe sepse kohë për të rikuperuar ndonjë gabim eventual kishte, me përgjigje e kundërpërgjigje si mes Zekollit e Malës në harkun e 5 minutave, përpara se Murataj të frikësonte vërtetë Qarrin me një të djathtë të harkuar që u stampua në shtyllë pas gjysmë ore lojë.  Në fundin e pjesës së parë ishte Vllaznia më pranë golit me Qirkon që në të 37’ u detyrua të ndalë me këmbë Alivodën dhe në të 43 Balajn.

Video/ shtylla e Murataj

QIRKO SHPËTOI TË KUQTË

Ritmi mbeti i lartë, por rastet u pakësuan në pjesën e dytë, pavarësisht lëvizjeve të bëra nga dy teknikët. Në minutën e 65’ Keko dhe Bintsouka morën vendin e Skukës dhe Mba në vijën e parë të sulmit. Te shkodranët në fushë Çoba. Asgjë për tu shënuar, përveç një goditje me kokë pa shumë pretendime të Grudës, ndërsa edhe Binstouka i dha shumë kënd diagonals së tij në minutën e 73’ i shërbyer nga Maguette. Episodi që mund të vendoste ndeshjen erdhi në të 77’ kur Çoba u shfaq vetëm me portierin, por goditjen e tij të sigurtë Qirko e ndali me dorën e hapur në mënyrë sensacionale.

Video/ rasti flagrant i Çobës

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *