• |
ide | kryesore

Ish-presidenti slloven kërkon vendin e Lajçak në negociatat Kosovë – Serbi

Arkiva, Lajme, Të fundit
Kosovë



Gazeta sllovene “Delo.si” ka shkruar këtë të mërkurë se kryeministri i këtij vendi Robert Golob po mbështet pa kushte ish-presidentin Borut Pahor që ta marrë postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas të njëjtave burime, muajin e kaluar Golob ka lobuar tek krerët e vendeve të BE-së që Pahor ta marrë vendin e sllovakut Miroslav Lajçak.

Zyra e kryeministrit slloven konfirmoi se i kanë dhënë mbështetje të pakushtëzuar Pahorit të marrë postin e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Në reagim thuhet se gjatë muajit të kaluar Golob ka zhvilluar bisedime të shumta bilaterale me liderët e vendeve evropiane si dhe me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, për këtë çështje.

Kryeministri shprehet i bindur se “ish-presidenti Pahor ka dëshmuar me punën dhe përvojën e tij politike të deritanishme se është një mik i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e tij, si dhe përpjekjet e Sllovenisë, kanë për qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë të gjithë Evropën”.

Mandati i Miroslav Lajçak përfundon në muajin gusht. Ende nuk dihet nëse BE do t’i japë një tjetër mandat. Një zëdhënës i BE-së tha për Klan Kosova se po presin verën për të folur për diçka të tillë, atëherë kur edhe do të votohet nga shtetet anëtare.

“Në fakt, aktualisht është i angazhuar një përfaqësues special, dhe ai është Miroslav Lajçak. Mandati i tij aktual vazhdon ende dhe pritet të ndryshojë në verë nga shtetet anëtare. Tani nuk duam të përfshihemi në spekulime se çfarë mund të ndodhë më pas”, – u shpreh zëdhënësi i BE. Lajçak është akuzuar disa herë në të kaluarën nga qeveria e Albin Kurtit për njëanshmëri në procesin e dialogut. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *