• |
ide | kryesore

19 organizata biznesi kundërshtojnë zyrtarisht anëtarësimin me detyrim në një Dhomë Ekonomike Kombëtare

Lajme, Të fundit



19 shoqata biznesi dhe dhoma tregtie i janë drejtuar me një letër Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, ku kundërshtojnë projektligjin që parashikon anëtarësimin me detyrim të të gjithë bizneseve në një Dhomë Ekonomike Kombëtare.

Në letër bizneset shprehen se, ndërkohë që organizimi i bizneseve në Dhoma Tregtie është një formë e mirë e zhvillimit dhe e përcjelljes së mendimit të çdo lloj kategorie biznesi, ato janë të shqetësuara për anëtarësimin e detyrueshëm të biznesit.

“Kjo bie ndesh me përpjekjen tonë të vazhdueshme për të mbrojtur të drejtën themelore kushtetuese të sipërmarrjes për të qenë e lirë, që të organizohet në shoqata publike apo private.

Modeli i paraqitur nuk jep argumente se perse ekzekutivi është duke menduar të kalojë nga një sistem liberal në një sistem me anëtarësim të detyruar dhe të rregulluar me ligj të organizimit të Dhomave.

Këtu gjejmë rastin të theksojmë, se liria e individit për të zgjedhur është tipari thelbësor i sipërmarrjes së lirë. Ne gjykojmë se përpara se të shkohet drejt një organizimi të ri të Dhomave Publike, duhet përfunduar një analizë e detajuar dhe vlerësim i performancës dhe funksioneve të dhomave aktuale publike, të cilat kanë në misionin e tyre, ofrimin e shërbimeve dhe forma të ndryshme të trajnimit,” thuhet në letër.

Sipas shoqatave të biznesit, nevojitet një studim i shërbimeve që janë ofruar deri më sot nga strukturat ekzistuese, për të qartësuar problematikat që janë shfaqur në performancën e këtyre organizmave publikë të tregtisë, si edhe mënyrën se si projektligj i ri mendon t’i zgjidhë përmes ristrukturimit.

Sipas organizatave të biznesit, zgjedhja me vullnet të lirë e marrjes së shërbimeve të caktuara në këmbim të tarifës së anëtarësimit është mekanizmi i efektshëm i tregut që bën funksionale marrëdhënien me biznesin.

“Projektligji flet për tarifa të regjistrimit të biznesit në bazë të xhiros vjetore, pa dhënë shpjegime për natyrën e shërbimeve që do t’i ofrohen sipas kategorive të biznesit, apo një listë të përfitimeve që biznesi do të ketë, sipas kategorisë ku do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme. Modeli i projektligjit të prezantuar për anëtarësim të detyrueshëm në Dhomën Ekonomike Kombëtare sjell vetëm kosto, si për buxhetin e shtetit, ashtu dhe për biznesin,” thuhet në reagim.

Subjektet shprehen që, edhe pse regjistrimi në dhomat publike të tregtisë është praktikuar në disa vende të Evropës, kjo vjen jo vetëm si rezultat i rolit të rëndësishëm historik të tyre, por edhe sepse këto vende i kanë deleguar këtyre dhomave, të drejtën për të kryer detyrat dhe shërbimet e autoriteteve publike.

Funksionalitete të QKB-së, si administrimi i regjistrit tregtar, funksionalitete të aktiviteteve të punësimit, katalogu i profesioneve, rregullimi i tregut dhe lëshimi i dokumenteve për tregtinë ndërkombëtare etj, janë shërbime që i ofrohen biznesit anëtar, pjesë e Dhomave Publike të Tregtisë. Në projektligj nuk parashikohet që Dhoma Ekonomike e re e krijuar do të ketë funksione të tilla dhe do të mund t’u ofrojë këto shërbime anëtarëve të vet.

Sipas shoqatave të biznesit, funksionimi i Dhomës Ekonomike Kombëtare duhet të jetë në respekt të fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe, si tipar themelor i demokracisë.

“Bizneset që regjistrohen me detyrim në dhoma publike që varen dhe financohen nga shteti, vendosin në diskutim ushtrimin e kësaj të drejte themelore. Projektligji parashikon që për një periudhë dyvjeçare, shteti shqiptar do të financojë Dhomën Kombëtare Ekonomike, duke krijuar kështu precedentë të varësisë dhe imponimit të mendimit. Gjithashtu, në projektligj është përcaktuar se do të jetë Ministri, autoriteti që do të aprovojë statutin dhe tarifat. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që projektligji të reflektojë dhe të sigurojë plotësisht lirinë dhe pavarësinë e bizneseve për të shprehur mendimet e tyre pa ndikim apo kufizim.

Shprehim edhe një herë qëndrimin tonë kundërshtues kryesor që lidhet me anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomën Ekonomike Kombëtare, i cili parashikon të unifikojë dhe të kontrollojë aktivitetin e organizatave të biznesit në vend. Qëndrimi ynë i përbashkët është që çdo individ i përfshirë në biznes dhe çdo kompani që kryen aktivitet në Republikën e Shqipërisë, duhet të gëzojë të drejtën për t’u bërë pjesë e organizatës, shoqatës, dhomës që e përfaqëson më mirë, duke përfshirë këtu edhe të drejtën që të mos bëhet pjesë e asnjërës prej tyre. Gjithashtu, vendosim theksin në domosdoshmërinë e një analize që garanton një reformim efektiv të sistemit të përfaqësimit të biznesit në Shqipëri, si dhe metodave më efikase të konsultimit publik,” thuhet në letër.

Letra është firmosur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AMCHAM), Dhoma Gjermane e Tregtisë në Shqipëri (DIHA), Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (ÇIA), Dhoma Franceze e Tregtisë në Shqipëri, Confindustria Albania, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (IÇ Albania), Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA), Shoqata Shqiptare e Energjive të Rinovueshme, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe, Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA), Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit (AITA), Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit, Dhoma Ekonomike e Gruas dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri -Japoni.



1 Comment

  1. Ne nje dhome te gjithe ka me autoritet dhe jo si deri me sot qe cdo lloj batakciu ben nje dhome per interesin e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *