• |
ide | kryesore

Kolegji largon prokurorin Erion Pano për problemet në kriterin e pasurisë

Arkiva, Lajme, Të fundit
Kolegji largon prokurorin Erion Pano për problemet në kriterin e pasurisë



Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të hënën më 15 prill vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Erion Pano, duke e rrëzuar si të papbazuar vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e këtij subjekti rivlerësimi.

Pano u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 24 nëntor 2022, pasi u vlerësuan bindëse shpjegimet e tij për balancat negative për krijimin e një pjese të burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 83 m2 + 9.8 m2 sipërfaqe e përbashkët, në Tiranë. Po ashtu, u çmuan bindëse prapësimet e subjektit për konstatimet për disa çështje profesionale.

Komisionerja Publike, Irena Nino e gjeti të pabazuar vendimin e KPK-së dhe kërkoi në Kolegj shkarkimin e prokurorit Pano nga detyra për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe mangësitë profesionale.

Nino argumentoi se Pano kishte pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe rezultonte me balanca negative të parargumentuara. Sipas saj, deklarimi i kursimeve cash nga subjekti ishte kontradiktor dhe i pasaktë. Ajo kërkoi që kursimet cash të përllogariteshin bazuar në deklartat periodike vjetore.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Rezarta Schuetz tha se në përfundim të shqyrtimit të petendimeve të palëve është konkluduar se Pano gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. Sipas saj, KPA i gjen të drejta pamundësitë financiare të konstatuara nga Komisionerja Publike.

Schuetz tha se mosdeklarimi i gjendjes cash në vite, si e vetmja mënyrë ligjore për të konsideruar ato shuma në analizën financiare, e bëjnë të pabesueshëm deklarimin e mëvonshëm pranë ILDKPKI-së në deklaratën “veting”.

Për rrjedhojë, Kolegji e ka gjetur të drejtë pretendimin e Ninos për pamundësi të subjektit për krijimit e likujditeteve, për pagesën e këstit të parë të apartamentit, duke konkluduar se Pano gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.

Ndërsa problemet profesionale janë konsideruar nga KPA se nuk mund të shërbejnë si bazë për ta konsideruar subjektin si të papërshtatshëm në këtë kriter.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA, me shumicë votash ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së KPK për prokurorin Erion Pano dhe e shkarkoi atë me arsyetimin se nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë./BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *