• |
ide | kryesore

Shkarkimi i kryetarëve, KQZ në Kosovë: Deri në orën 11:00 në veri votuan 85 persona

Lajme, Të fundit


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se deri në orën 11:00 në katër komunat në veri të Kosovës 85 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë. Ky proces po mbahet teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe.

“Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, tha Radoniqi, i cili shtoi se qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.

Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit”, tha DnV që po përcjell votimin nga afër përmes ekipeve mobile.

Edhe ekipet e gazetarëve të Radios Evropa e Lirë që gjenden në terren, raportuan se në orën e parë pas hapjes së vendvotimeve, nuk u panë qytetarë duke votuar në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç dhe Zubin Potok. KQZ njoftoi më herët se të gjitha qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, përjashtuar në disa që u hapën disa minuta me vonesë për shkaqe teknike, dhe ato do të mbyllen në orën 19:00.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, DnV ndërkaq ka kritikuar KQZ-në për vonesa që të informojë qytetarët se ku janë qendrat e votimit. Po ashtu tha se vendosja e kamerave të vëzhgimit në vendvotime mund të përbëjë cenim të fshehtësisë së votës, për shkak të pozicionit se ku janë vendosur. KQZ ka thënë se për herë të parë në këto votime janë vendosur kamera vëzhguese dhe një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe në proceset e ardhshme zgjedhore. Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Në Mitrovicë të Veriut, të drejtë vote kanë 18.796 persona. Në Leposaviq, ky numër është 13.674. Në Zveçan të drejtë vote kanë 7.209 persona, ndërkaq në Zubin Potok 6.877 persona. Që votimi për shkarkimin e kryetarëve të konsiderohet i suksesshëm do të duhen të votojnë 50 për qind plus një votues, në komunat përkatëse. Në katër komunat në veri janë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht. Sipas KQZ-së, në Leposaviq janë tetë qendra votimi, ndërkaq në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut nga pesë, numër shumë më i ulët i qendrave të votimit në veri nga 43 sa ishin miratuar fillimisht nga KQZ-ja.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së të mbajtur një ditë para votimeve, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri – që punojnë sipas sistemit serb- kanë thënë se kanë “aktivitete shkollore” dhe nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin votues. Prandaj, KQZ-ja ka vendosur që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022 në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në maj 2023, kur këta kryetarë, përjashtuar Atiqin shkuan në zyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.

Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët. Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja. Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët. Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme, nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar, dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.

Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet. Teksa KQZ-ja veçse kishte nisur procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet. Kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”./ REL


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *