• |
ide | kryesore

Shkarkimi i kryetarëve shqiptarë/ Sot votohet në katër komunat në veri

Arkiva, Lajme, Të fundit
veri



Qytetarët në 4 komuna në veri të Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe, ku drejtues ishin 4 shqiptarë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë. Në katër komunat në veri do të jenë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.

Që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se deri në orën 11:00 në katër komunat në veri të Kosovës 85 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë. Ky proces po mbahet teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe.

“Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, tha Radoniqi, i cili shtoi se qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.

Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. “Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit”, tha DnV që po përcjell votimin nga afër përmes ekipeve mobile.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *