• |
ide | kryesore

“Kur nuk na plasi zemra sot”: Devolli në ekstazë premton “luftë” në finale, Fagu i pangushëllueshëm

Sport
Devolli



“Kur nuk na plasi zemra sot, nuk na plas më. Jam i lumtur për djemtë se e di që kanë vuajtur gjithë vitin. Jam i lumtur për klubin, për veten, se më në fund erdhi dita. Kam vuajtur shumë unë e familja ime për të ardhur kjo ditë. Por me punë arrihet gjithçka”. Bledar Devolli është një lumë i fryrë dhe pas arritjes së finales së Kupës me një skuadër që ra nga kategoria, heq disa guralecë nga këpucët. “Kemi punuar me shumë seriozitet, entuziazëm. Gjëja kryesore që kemi futur në ekip është pozitiviteti. Kemi më shumë harmoni me njëri-tjetrin. Pa punën, disiplinën e harmoninë nuk shkon asgjëkund. I kemi bërë bashkë dhe ja ku janë frytet e punës”.

Lexo më tejVideo/ E bujshme, Kukësi i rënë nga kategoria në finale të Kupës: eliminohet Tirana

Devolli pastaj theksoi se nuk është kryer ende puna. Kukësi ka një objektiv të madh… finalen: “Një ndeshje teke është, do japim jetën në fushë. Nuk kam frikë me këto djem, e keni parë në këtë periudhë. Edhe sot dhanë shpirtin. Nuk më intereson kush është në finale”, përfundoi Devolli, që në fund premtoi edhe se skuadra e tij do respektojë veten dhe kampionatin deri në fund, pavarësisht rënies matematike.

FAGU: “NA MBYTI PRESIONI I REZULTATIT”

“Jam i zhgënjyer për eliminimin se krijuam volum loje. Kishim gjithë kohës topin. Kukësi u mbrojt mirë, nuk arritëm të shënonim golin e dytë që mund të na lironte më shumë. Tani të shohim përpara se kemi kampionatin tashmë”. Erbim Fagu nuk ka shumë për të thënë në një ndeshje në të cilën i provoi të gjitha, edhe 5 sulmuesit. Tekniku i Tiranës provoi eliminimin nga një skuadër e rënë nga kategoria, pavarësisht fitores 1-0 ndaj Kukësit. “Ne u munduam gjatë gjithë kohës të shënonim golin e dytë, por presioni i rezultatit na mbyti. Duhej të ishim më të qetë në momentet vendimtare kur ishim në zonë për të shënuar. Ky ishte ngërçi që nuk arritëm të shënonim edhe golin e dytë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *