• |
ide | kryesore

SHBA-Kinës: Nëse nuk ndalon mbështetjen e Rusisë, do të marrim masa

Arkiva, F1, Planet
SHBA, Kina



Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar se Uashingtoni do të veprojë nëse Kina nuk ndalon furnizimin e Rusisë me paisjet e përdorura në sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Duke folur për BBC-në në Pekin, kryediplomati amerikan tha se ai ua kishte bërë të qartë homologëve të tij se ata “po ndihmonin në nxitjen e kërcënimit më të madh” për sigurinë europiane që nga Lufta e Ftohtë.

Ai nuk tha se çfarë masash ishin të gatshme të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara.

Por Antony Blinken ishte gjithashtu i prirur të theksonte se ishte bërë përparim në disa fusha.

Sekretari i Shtetit vlerësoi Pekinin për përpjekjet në ndalimin e furnizimeve të drogës fentanol që arrin në SHBA.

Kina mbetet burimi kryesor i fentanolit për SHBA-në, për të cilin Shtëpia e Bardhë ka thënë se po shkakton një krizë të shëndetit publik në të gjithë vendin.

Blinken theksoi gjithashtu se ai ndjeu se Pekini mund të luajë një rol “konstruktiv” në Lindjen e Mesme, duke treguar se Kina ka përdorur “marrëdhëniet e saj me Iranin” për ta frenuar ndaj përshkallëzimit të mëtejshëm në konfrontimin e tij me Izraelin.

Vizita, e dyta në 10 muaj e bërë nga Blinken në Kinë, është pjesë e një rritjeje të konsiderueshme të dialogut dhe diplomacisë midis këtyre fuqive rivale, pasi ato përpiqen të vendosin marrëdhëniet në një nivel të barabartë pas një periudhe tensioni të jashtëzakonshëm vitin e kaluar.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë tensionuar nga pretendimet e Kinës mbi Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore dhe ndalimet e eksporteve të SHBA-së për teknologjinë e përparuar. Marrëdhëniet u dëmtuan më tej nga një grindje për një balonë spiune shkurtin e kaluar.

Ditët e fundit, SHBA miratoi një ligj që do të detyronte TikTok-un, në pronësi kineze, të shesë aplikacionin jashtëzakonisht popullor të videove ose përndryshe do të ndalohet në Amerikë, diçka që Blinken zbuloi se nuk ishte diskutuar në takimin e tij me Presidentin e Kinës Xi Jinping.

Presidenti Xi, i cili u takua me Blinken të premten pasdite në Sallën e Madhe të Popullit të Pekinit, ra dakord se të dy palët kishin “bërë një përparim pozitiv” që kur ai u takua me homologun e tij amerikan, Joe Biden, në nëntor.

Ai shtoi se vendet duhet “të jenë partnerë, jo rivalë”, duke thënë se nëse SHBA do të kishte “një pikëpamje pozitive për zhvillimin e Kinës”, marrëdhëniet “mund të stabilizohen vërtet, të përmirësohen dhe të ecin përpara”. 

Blinken i tha BBC-së se një nga rrugët kryesore për “marrëdhënie më të mira” midis Kinës dhe SHBA-së dhe Europës do të ishte që Pekini “ose disa prej ndërmarrjeve të tij” të ndalonin ofrimin e “komponentëve kritikë” që ndihmojnë Rusinë të prodhojë më shumë municione. Komponentët përfshijnë artikuj të tillë si “makineri, mikroelektronikë dhe optikë”.  

“[Kina] Po e ndihmon Rusinë të përjetësojë agresionin e saj kundër Ukrainës, por po krijon gjithashtu një kërcënim në rritje për Europën për shkak të agresionit të Rusisë,” shpjegoi ai, duke shtuar se “po ndihmon për të nxitur kërcënimin më të madh ndaj pasigurisë [të Europës] që nga fundi i Luftës së Ftohtë”. 

“Ne kemi ndërmarrë veprime tashmë kundër subjekteve kineze që janë të angazhuara në këtë,” tha ai. “Dhe ajo që unë e bëj të qartë sot është se nëse Kina nuk do të veprojë, ne do të veprojmë.” 

Blinken, i cili la të kuptohet për sanksionet si një rrugë e mundshme, ishte i prirur të theksonte se Kina nuk po e furnizonte drejtpërdrejt Rusinë me armë.

Në intervistën e tij me BBC, Blinken tha se mbetet e rëndësishme të shihet nëse të dy vendet mund të “ndërtojnë bashkëpunim më të madh në fushat ku kemi interes të përbashkët”, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe komunikimet ushtarake.

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *