• |
ide | kryesore

Xi dhe Vuçiç zotohen për “miqësi prej çeliku” dhe “të ardhme të përbashkët”

Arkiva, Lajme, Të fundit
Xi



“Miqësi e ndërsjellë prej çeliku” mes Kinës dhe Serbisë. Ky ishte mesazhi kryesor që presidentët e dy vendeve, Xi Jinping dhe Aleksandar Vuçiç, dhanë në Beograd, më 8 maj. Dy vendet do ta ngrenë bashkëpunimin e tyre “nga niveli i partneritetit strategjik në nivelin e një të ardhmeje të përbashkët”, thanë ata. “Ne do të punojmë së bashku me Serbinë për t’i mbrojtur interesat tona themelore dhe afatgjate”, tha Xi gjatë takimit të të dyja delegacioneve. “Miqësia prej çeliku e dy vendeve tona vetëm se është forcuar edhe në këtë dinamikë ndërkombëtare”, shtoi ai.

Xi arriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit dhe, përveç takimit me Vuçiçin, ai do të dëshmojë edhe nënshkrimin e më shumë se 30 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të kontratave tregtare.

Para Pallatit të Serbisë, atë e pritën mijëra qytetarë, që valëvitnin flamuj kinezë dhe serbë dhe brohorisnin “Serbia dhe Kina”. Vuçiç i falënderoi ata që, siç tha, erdhën për të përshëndetur “mikun e çeliktë të Serbisë”. Ai tha se Kina ka qenë me Serbinë “në momentet më të vështira” të saj. “Ashtu siç i kemi ne qëndrimet e qarta për çështjen e integritetit të Kinës, se Tajvani është Kinë, ashtu edhe ata e mbështesin territorin e Serbisë, pa asnjë rezervë”, tha Vuçiç.

Kina mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.

Serbia, në anën tjetër, e mbështet “politikën e një Kine”, sipas së cilës, ishulli i Tajvanit, i cili e konsideron veten shtet sovran, është pjesë e territorit kinez.

Një kapitull i ri në marrëdhënie

Në fillim të takimit të delegacioneve të Serbisë dhe Kinës, Vuçiç tha se dy vendet kanë “marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha sferat e jetës shoqërore”. “Si një vend i vogël, kur kemi probleme për shkak të presioneve me të cilat përballemi nga anë të ndryshme, për shkak të politikës së pavarur që udhëheqim, ne i telefonojmë miqtë tanë kinezë, juve president Xi dhe ju kërkojmë ndihmë”, tha Vuçiç.

Në të njëjtën kohë, shtoi ai, “Serbia është mike besnike e Kinës”. “Kur dikush na pyet për çështjet në Kinë, rreth Tajvanit, Ksinjiangut, Hong Kongut… përgjigjet tona janë shumë të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe në përputhje me parimet e politikës kineze dhe të së drejtës publike ndërkombëtare. Kështu ka qenë, kështu do të jetë”, tha presidenti serb.

Deri më tani, Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate ndërkombëtare kundër Kinës, edhe pse Pekini zyrtar është në shënjestër të kritikave për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe përballet me akuza për shtypjen e ujgurëve – një pakicë myslimane që jeton në provincën Ksinjiang. Vuçiç tha se marrëveshja e partneritetit strategjik me Kinën, nga viti 2016, kontribuoi ndjeshëm në përparimin ekonomik të Serbisë. “Falë bashkëpunimit industrial dhe bashkëpunimit në zhvillimin e infrastrukturës, vendi ynë është ngritur dhe është rindërtuar”, tha ai.

Xi, në anën tjetër, tha se miqësia mes Serbisë dhe Kinës është “reciproke dhe e sinqertë”. “Ka një ndjenjë të fortë miqësie mes dy vendeve tona – kjo më la një përshtypje jashtëzakonisht të thellë. Pritja që bëtë, tregon se marrëdhëniet tona janë në një nivel të lartë”, tha Xi. Ai shtoi se gjatë vizitës së tij të parë në Serbi, para tetë vjetësh, ky vend u bë partneri i parë strategjik i Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe se shfaqi shpresën që kjo vizitë “do të jetë po aq e frytshme”. Për vizitën e presidentit kinez në Serbi janë marrë masa maksimale të sigurisë dhe janë angazhuar mbi 6.500 policë, tha ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç./Rel/



2 Comments

  1. Nuk di por shqiptaret me duken 30 vite.. mbrapa.
    Xi nuk erdhi kot ne Europe.. vizitat e tij nuk jane si ato vizitat e “emisarit te larte amerikan” qe na lene pas vetem titujt e pamfleteve e komentet e Ngjela-ve per ndeshkimin e korrupsionit ne shqiperi.
    Serbia dhe Hungaria do lidhen me hekurudhe te shpejtesise se larte, investimet kineze ne hungari, vend me 8 milione banore, per kete vit kapin shifren e 16 miliardeve, po keshtu edhe ne serbi, investime ne metalurgji, high-tech komunikacion e te tjera.
    Shqiptareve u mjafton te veteemerohen miqte e USA e te bejne tifozllek per ukrainen. Per ekonomi, plane e te ardhme ska nevoje!
    Deri kur usa te mos e kete mendjen te shqiptaret dhe ukraina te ngreje flamurin e bardhe… e pastaj te fillojme prape sherrin se kush na i ka fajet Edi apo Saliu?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *