• |
ide | kryesore

Kurti i gatshëm për të diskutuar datën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

Lajme, Të fundit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në mbrëmje se është i gatshëm të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.

Ai i bëri këto komente pas një darke me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në të cilën ishin ftuar edhe dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por të cilat refuzuan të marrin pjesë.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi se zgjedhjet e reja janë çështje e viteve, por e muajve. Andaj edhe unë jam i interesuar që ta diskutojë me Partinë Demokratike, Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dimë që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, tha kryeministri Kurti, mandati i të cilit përfundon në fillim të vitit 2025.

“Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”, theksoi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi, tha pas takimit se zgjedhjet e parakohshme janë shndërruar në domosdoshmëri për Kosovën, duke e kritikuar kryeministrin Kurti për qeverisje jo të mirë.

Ai theksoi se në rrethanat aktuale “është e rëndësishme të kthehemi te qytetari për të marrë mendimin e tyre”, duke ju referuar edhe siç tha situatës së vështirë mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Gjermania dhe Franca e kanë shndërruar themelimin e Asociacionit në kusht për votimin e tyre në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë dhe ky qëndrim duket se e la Kosovën jashtë rendit të ditës së Këshillit të Ministrave të kësaj organizate që mblidhet këtë javë.

“Konsideroj se duhet ta përshpejtojmë punën për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve”, tha Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët nëse qeveria e Kosovës ka ndryshuar qëndrim ndaj kërkesave perëndimore për Asociacionin, kryeministri Kurti tha se “nuk kam asgjë të re t’ju them për këtë sepse ne tashmë i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Tash unë besoj që fjalën nuk e kemi ne por e ka Këshilli i Europës, përkatësisht Këshilli i Ministrave”.

Kryeministri Kurti tha se do të këmbëngulë të takohet me të gjitha partitë opozitare, për të kërkuar bashkëpunimin e tyre për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare./VOA


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *