• |
ide | kryesore

Rekord në Tiranë/ Sa persona jetojnë në një kilometër katror

Lajme, Të fundit


Në kryeqytetin shqiptar, në një kilometër katror jetojnë 562 persona. Në Tiranë, dendësia e popullsisë për kilometër është më se pesë herë më e lartë sesa mesatarja e vendit. Pas Tiranës, vjen Shkodra, me 251 banorë për kilometër katror. Më pak banorë ka Gjirokastra, me vetëm 21.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, kryeqyteti shqiptar ka dendësinë më të lartë të popullsisë, sipas të dhënave që bëhen publike nga Eurostat. Me diferencë të ngushtë është Beogradi i Serbisë (536), i ndjekur nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut (536).

Edhe si shtet, Shqipëria dominon në rajon, me 99 banorë për një kilometër katror. E dyta vjen Serbia me 90.5, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 73.7. Mali i Zi, i cili raportohet vetëm si shtet, ka një dendësi prej 45.6 banorësh për një kilometër katror, ndër më të ulëtat në Europë. Të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën mungojnë.

Ndonëse në rajon, Shqipëria dhe kryeqyteti kanë dendësinë më të madhe, sërish treguesi është shumë më i ulët se në vendet e tjera, sidomos kryeqytetet e mëdha.

Rekordin e mban Parisi me 20.5 mijë banorë që jetojnë në një kilometër katror. Në qendër të Athinës, densiteti është 11.3 mijë, në Bruksel 7.7 mijë, në Vjenë gati 5 mijë. Në Romë ka 799 banorë për kilometër katror, në Madrid 855. Në Stamboll jetojnë rreth 3 mijë persona në një sipërfaqe prej një kilometër.

Në rang vendi, Shqipëria renditet në vendin e 21, nga 37 shtete që raporton gjithsej Eurostat. Rekordin në Europë e mbajnë Malta (1693), Holanda (518), Belgjika (384), Mbretëria e Bashkuar (275) dhe në fund të listës është Islanda, ku gjen vetëm 3.8 banorë në një kilometër katror.

Në Tiranë rritet dendësia e popullsisë, në Shqipëri bie

Pas viteve ’90, kryeqyteti ka qenë një magnet për të tërhequr banorët që vinin nga rrethet. Tirana dhe Durrësi janë të vetmet që kanë shënuar emigracion të brendshëm, ndërsa qytetet e tjera kanë parë një rënie të vazhdueshme të popullsisë, për shkak të rënies së emigracionit dhe të lindjeve.

Sipas Eurostat, në krahasim me vitin 2012, dendësia e Tiranës është rritur me 18%, ose me 84 banorë më shumë për një kilometër katror. Ndërkohë për gjithë vendin dendësia e popullsisë ka rënë me rreth 2% për të njëjtën periudhë.

Europa

Sipas Eurostat, dendësia e popullsisë në BE varion nga 18 në 1,693 njerëz për km².

Dendësia e popullsisë, që do të thotë numri i njerëzve për kilometër katror (km²), ishte mesatarisht 109 persona për km² në BE në vitin 2022.

Kjo vlerë ndryshonte ndjeshëm midis vendeve të BE-së. Dendësia më e lartë e popullsisë u vu re në Maltë (1 693 persona për km²), e ndjekur nga Holanda (518) dhe Belgjika (384). Nga ana tjetër Finlanda (18 persona për km²) dhe Suedia (26) kishin dendësinë më të ulët të popullsisë.

Krahasuar 2022 me 2002, ka pasur një rritje të densitetit të popullsisë në 18 nga vendet e BE-së, me rritjen më të madhe në Maltë (nga 1 255 në 1 693 persona për km²), Luksemburg (nga 173 në 253) dhe Belgjikë (341 në 384).

Rumania (95 me 81) dhe Bullgaria (71 me 60) patën uljet më të mëdha. Mesatarisht në BE, dendësia e popullsisë u rrit nga 105 persona për km² në 109 gjatë kësaj periudhe./ Monitor


3 Comments

  1. dicka normale kur merr parasysh faktin qe nuk eshte synuar nje zhvillim homogjen i vendit ,nese 3-4 qytete jane ato qe ofrojne mundesi punesimi eshte normale qe pjesa tjeter shpopullohet duke ju drejtuar ose qytetit te madh ose emigrimit.Tregues i qarte i politikave te ketyre 34 vjeteve tranzicion

  2. Duhet te llogarisni se kjo shifer vlen vetem per ata qe banojne ne Tirane. Nese fusni edhe mijera apartamente, shtepi apo kate shtepiash qe rrine bosh, si edhe mijera te tjera ku ka vetem 1-2 pleq, situata urbane eshte edhe me keq. Pale po te shtosh edhe katastrofen e zenies/pushtimt te hapesirave publike, trotuareve, lulishteve etj. Tamam Tiranastan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *