• |
ide | kryesore

Video/ Atalanta në histori, fiton Europa League: Lookman ‘terrorizon’ të pathyeshmit e Bayer

F1, Sport, Video
Lookman


Atalanta fiton Europa League 2023/24 dhe rrëmben trofeun e parë europian në historinë e saj, i dyti në histori 61 vjet pas Kupës së Italisë 1962/63. Bergamaskët e udhëhequr nga kapiten Gjimshiti mposhtën 3-0 Bayer Leverkusen në finalen në Dublin. Protagonisti absolut ishte Lookman, i cili orientoi ndeshjen me dy gola që në pjesën e parë (12′ dhe 26′) dhe më pas mbylli rezultatin me perlën që fiksoi një trigolësh legjendar (76′). Reagimi i gjermanëve në të dyja pjesët ishte intensiv, por jo shumë efektiv dhe faza e shkëlqyer mbrojtëse e zikaltërve në fund legjitimoi një triumf më se të merituar. Xabi Alonso pëson humbjen e tij të parë këtë sezon pas 51 ndeshjesh, Gian Piero Gasperini fiton titullin e tij të parë në karrierë, duke kurorëzuar tetë vite të mahnitshme në krye të Atalantës.

GJIMSHITI MONUMENTAL, LOOKMAN SPEKTAKOLAR

Ndeshja nisi me ritëm shumë të lartë, ku të dyja skuadrat nuk patën frikë të rrezikonin me një kundër një në të gjithë sektorët e fushës. Rasti i parë ishte i zikaltërve. Scamacca provoi në minutën e 8, në krosimin e Ruggeri, por goditja e tij me kokë u bllokuar me pak fat nga Hincapie. Kaluan vetëm pak minuta e Atalanta zhbllokoi ndeshjen. Goditja e Zappacosta kaloi para gjithë zonës së penalltisë dhe gjeti devijimin fitues të Lookman, që bëri rezultatin 1-0. Leverkusen u përpoq të reagonte, por djemtë e Gasperinit mbajtën mirë fushën, lanë pak hapësirë dhe në minutën e 26′ dyfishuan avantazhin. Lookman, pas një tuneli ndaj Granit Xhakës goditi në shtyllën e largët, duke mposhtur Kovar e duke shënuar dygolëshin personal.

Në fillimin e pjesës së dytë Alonso hodhi në fushë Boniface në vend të Stanisic, duke u përpjekur të futej në lojë. Sulmet e Leverkusen u bënë më këmbëngulëse, por jo më efektive. Atalanta u ngjesh mirë prapa e, në fakt, nuk rrezikuan pothuaj asgjë dhe 15 minuta nga fundi mbyllën llogaritë. Një Lookman i papërmbajtshëm bëri qesharak Tapsobah dhe lëshoi një goditje me të majtën që mposhti Kovar. Për nigerianin është trigolëshi që e projekton në legjendë, për Atalantën goli që certifikoi një triumf historik. Jo vetëm për të, por edhe për futbollin italian, i cili sapo kishte humbur dy finale (Inter 2020, Roma 2023) dhe që më në fund arriti të imponohet edhe në Europa League.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *