• |
ide | kryesore

Video/ Chiesa shënon, Alex Sandro përshëndet Juventus me gol: Montero fiton, Monza dorëzohet

Sport, Video
Alex Sandro


Juventus mbyll kampionatin e Serie A duke fituar 2-0 ndaj Monza, në javën e 38 e të fundit. Në Allianz Stadium, të besuarit e teknikut Montero e zgjidhën problemin që në pjesën e parë. Dy gola të shpejtë që fundosën skuadrën e Palladinos. Në minutën e 17′ ishte Chiesa që kaloi në epërsi bardhezinjtë, më pas Alex Sandro (28′) shënoi të dytin pas një asisti nga këndi i të rikthyerit nga pezullimi, Fagioli. Juventus u ndal edhe nga shtyllat në konkluzionet e Fagioli dhe Chiesa, por falënderoi Pinsoglio që ishte protagonist në pjesën e dytë me dy super pritje ndaj Birindelli dhe Djuric. Bardhezinjtë, të cilët e mbyllën sezonin me 71 pikë, vlejnë për momentin, në pritje të dy ndeshjeve të Atalantës, vendin e tretë. Nga ana tjetër, Monza me 45 pikë është e sigurt për vendin e 12-të.

Juventus e mbyll kampionatin me fitore. Ndaj Monza, në Allianz, vendosën golat e Chiesa dhe Alex Sandro, në ndeshjen e tij të fundit bardhezi. Braziliani shënoi në pjesën e parë dhe më pas u largua i përlotur, i duartrokitur nga tifozët e tij. Largohet nga klubi në fund të kontratës së tij pas 9 vitesh. Te Juventus, Pinsoglio, portieri i tretë, ishte protagonist me të paktën tre pritje vendimtare. Për tu përmendur edhe ndeshja e shkëlqyer e Fagioli. Mesfushori, i cili hyri në listën paraprake të teknikut Spalletti për Kampionatin Europian, dha asist për Alex Sandro nga goditja e këndit. Edhe Chiesa bëri mirë, duke shënuar një gol të mrekullueshëm. Juventus i rikthehet fitores pas 5 barazimeve radhazi dhe e mbyll kampionatin me 71 pikë, ndërsa Monza mbetet në 45. Në finale Palladino mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq për Zerbin.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *