• |
ide | kryesore

Shpërbëhet Tirana, nesër 13 futbollistë dalin lojtarë të lirë: Hoxhallari e Najdovski e mbyllën

Sport
Hoxhallari


Një sezon i vështirë u mbyll, por një tjetër i tillë ndoshta po projektohet. Ndoshta, sepse në futbollin tonë, gjërat ndryshojnë me orë dhe nuk është e thënë që situate të mos ndryshojë. Tirana pa trajner, pas largimit të Erbim Fagut, rrezikon të mbetet edhe pa skuadër. Kapiteni Erion Hoxhallari ka dhënë lamtumirën e dytë nga bardheblutë, si ka konfirmuar vetë klubi, por nuk është i vetmi. Duke përjashtuar portierët, të gjithë titullarët janë në skadencë kontratë dhe nga nesër lojtarë të lirë për tu akorduar me një klub të ri.

Erjon Hoxhallari ndërpreu bashkëpunimin që e kishte dy-vjeçar dhe tani është lojtar i lirë. Ish-kapiteni i Tiranës, që luajti me bardheblutë për 7 sezone, që nga viti 2015 deri në 2022, kur u transferua në Rumani te UTA Arad, për t’u rikthyer edhe njëherë te ekipi i tij i zemrës sezonin që sapo u mbyll, nuk duket se iku me dëshirë. Sipas asaj që filtron Tirana e ka konsideruar të papërshtatshëm pagën e lojtarit me nivelin e lojës së treguar prej tij. Arkat e klubit po kalojnë një nga momentet e krizës dhe është koha me sa duket të rrudhen shpenzimet. Gjatë sezonit, Hoxhallari ishte një nga lojtarët më të aktivizuar te bardheblutë. Lojtari koleksionoi 41 takime, duke shënuar 2 gola e 3 asiste, si dhe ka qenë në fushën e lojës 3535 minuta.

NESËR, 70% E EKIPIT PA KONTRATË

Çështja që frikëson më shumë bardheblutë është ajo që lidhet me organikën aktuale. Pothuaj vetëm tre portierët Selmani, Kozi e Abdullahu janë ende nën kontratë, të tjerët janë në skadencë dhe në pritje të bisedimeve për rinovimin ose jo. Situata delikate financiare megjithatë nuk e bën të favorshme negociimin, kështu që vetëm për pak prej tyre mund të ekzistojë bindja se do të vazhdojnë të luajnë me fanellën kryeqytetase. Nuk duhet harruar edhe se koha shtrëngon, menjëherë pas Euro 2024 nisin eliminatoret e kompeticioneve europiane dhe Tirana duhet të jetë gati për tu përballur në Conference League. E në këtë rast duhet marrë parasysh të gjithë skenarët, edhe atë të të gjendurit para faktit të nevojës për të ndërtuar një skuadër nga e para.

Lexo më tejNajdovski shkëlqeu me Kukësin, Fagu vazhdon komedinë; “Ishte i sëmurë”

Emër për trajnerin e ri nuk ka, e nuk ka sepse gjithcka në klub është pezull, edhe pse tashmë me liçensimin në Europë është zhbllokuar merkato, pas pagesës së rreth 200 mijë euro për Hasanin, Dajën e Vairinen. Dy qendërmbrojtësit titullarë nuk janë më, sepse bashkë me Hoxhallarin është larguar edhe Filip Najdovski. Maqedonasi në fakt mezi po priste të mbyllej sezoni për tu larguar nga bardheblutë. Raporti i tij me presidentin Halili ishte thyer prej kohësh dhe rinovimi dihej që nuk ishte opsion. Në skadencë kontrate nga disa e nesërme janë edhe Përgjoni, Deliu (një hap nga Dinamo), Mici, Lushkja, Patrik Lulaj e Latifi. Sulmuesi shpreson të transferohet jashtë Shqipërisë e askush nuk dëshiron të qendrojë më te Tirana në një situatë të paqartë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *