• |
ide | kryesore

Anulimi i taksës 15%/ Pse lindi konflikti mes profesioneve të lira dhe tatimeve

Arkiva, Kryesore, Lajme


Po bëhet një javë nga shfuqizimi i taksës 15% tatim mbi fitimin për profesionet e lira dhe deputetja e opozitës Jorida Tabaku u ka bërë thirrje avokatëve, dentistëve, inxhinierëve dhe profesionistëve të tjerë që të mos e paguajnë në tatime. Shkak janë bërë emailet që vijnë nga tatimet për profesionet e lira, ku vazhdon të kërkohet pagesa e 15% tatim mbi fitimin.

Gjithsej janë rreth 25 mijë subjekte që duhej ta kryenin këtë pagesë, ndërsa mendohet se rreth 10 mijë prej tyre e kanë bërë tashmë këtë gabim.

“Nuk ka drejtor apo drejtori tatimesh në botë që çon automatikisht email. Unë pyeta dhe më thanë se, është çështje sistemi automatik, që vazhdon e dërgon njoftime. Por kjo është e patolerueshme sepse është bërë një debat publik për këtë çështje dhe Kushtetuesja ka marrë një vendim për këtë çështje dhe askush nuk ka të drejtë ti kërkojë profesionistëve të lirë, pagimin e kësaj takse.

Në këtë rast u bëj thirrje të gjithë profesionistëve të lirë, që të mos e paguajnë këtë taksë sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë” tha Tabaku.

Deputetja ka bërë përpjekje për të sqaruar ata që janë konfuzë, për mënyrën se si do të veprohet me një taksë të shfuqizuar, por që ende kërkohet për t’u paguar nga tatimet.

Shfuqizohet tatimi me 15% për profesionet e lira

Paqartësitë lindën për shkak se vendimi i Gjykatës Kushtetuese u vonua deri në 27 qershor, ndërkohë që afati përfundimtar për pagesën ishte data 1 korrik.

Koha në të cilin u mor vendimi i Gjykatës Kushtetuese çoi në krijimin e problemeve edhe për ata që nuk e kishin paguar taksën, por edhe për ata që e kishin paguar tashmë.

Grupi i parë ka marrë një email nga tatimet që vazhdojnë kërkojnë paratë. Grupi i dytë pret t’i kthehen mbrapsht paratë që ka paguar, pasi taksa u shfuqizua me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Por a ishte kjo një pakujdesi e rastësishme?

Juristi Bledi Dervishaj i ka bërë një analizë të detajuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyrës se si u publikua. Sipas Dervishajt, Kushtetuesja nuk ka sqaruar në vendimin e saj se deri kur i shtrin efektet vendimi për ta shfuqizuar taksën. Duke lënë të paqarta këto afate kohore në vendim, është krijuar amullia mes taksapaguesve dhe autoriteteve shtetërore.

“Gjykata Kushtetuese ose i ka harruar pa i shqyrtuar fare, ose i ka harruar pa i publikuar, të paktën deri më tani, ose jemi të gjithë legjitim të mendojmë se ka një “harresë” të kujdesshme, që ka krijuar hapësirë që qeveria nën intepretim të vjelë sa të mundet me një ligj tashmë të konstatuar si antikushtetues, disa para nga profesionistët e lirë derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të hyjë në fuqi, sipas ligjit, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do shprehet fare në vendim për këto detaje sikur të mosekzistonin dhe të mos e kishin shqetësuar.

Ndoshta qeveria mund të vjelë nga profesionistët e lirë ato tatime me këtë ligj të shpallur antikushtetues, aq sa për të mbuluar financiarisht në buxhet rritjen e rrogave të vet gjyqtarëve kushtetues, projektligj ky që pret të votohet në Kuvend” shkruan juristi Dervishaj.

Sipas tij, Kushtetuesja duhej ta kishte bërë sqarimin para datës 1 korrik, përndryshe do të krijojë mbingarkesë me çështje të panevojshme në Gjykatat Administrative të Shkallëve të Para, pasi ata që kanë paguar do t’i drejtohen gjykatës për shfuqizimin e detyrimeve/gjobave, kamatave, dhe çdo kosto shtesë.

“Nëse e lë pa zot zbatimin e vendimit të saj, do krijojë terren që besimi tek kjo gjykatë të ribjerë sërish si jo rrallë herë këtë vit” shkruan Dervishaj./Lapsi.al


4 Comments

  1. Po mire mo profesionista, ishalla ate taken nuk e paguani. Po ato cmimet qe I ngritet mqs do ju rritej taksa a do ti ulni tani?

  2. O Loqe profesionista, po arsyeja qe dhate ne media e publik per rritjen e cmimeve ishte vendosja e takses nga qeveriu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *