• |
ide | kryesore

Vendimi i Apelit/ Të hetohet punonjësja e 5D që përmend Erjon Veliajn

Arkiva, Kryesore, Lajme


Hetimet e SPAK për kompaninë “5D” në pronësi të drejtorëve të Erjon Veliajt kanë marrë një kthesë tjetër pas vendimit të Apelit të Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjykatësi Florian Kalaja u ka kërkuar prokurorëve të thellohen në hetime, pasi nuk është dakort se Maringlen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha kishin pasur një bashkëpunim të thjeshtë për vjedhjen e fondeve publike. Sipas gjykatësit, mënyra se si kanë vepruar këta i ka të gjitha karakteristikat e një “grupi të strukturuar kriminal”.

“Gjykata ndan pikëpamje të ndryshme nga SPAK dhe Shkalla e Parë lidhur me kualifikimin juridik të faktit penal të bashkëpunimit i cili i kundrejtohet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, duke e kualifikuar sakaq bashkëpunimin e tyre, me personat e tjerë të proceduar apo jo eventualisht përgjegjës, persona fizikë apo persona juridikë, si bashkëpunim penal i posaçëm, dhe i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nën këtë logjikë, Gjykata vlerëson se edhe kualifikimi juridik i dyshimeve të arsyeshme të kundrejtuara ndaj Nestor Muhametllari, sipas nenit 244 të Kodit Penal, është i gabuar, pasi ai dyshohet arsyeshëm se është bashkëpunëtori-mëkëmbës dhe ndërmjetës i Redi Mollës dhe Mariglen Qatos në veprimtarinë e shoqërisë 5D konstruksion shpk” thuhet në vendim.

Ky arsyetim i Gjykatës së Posaçme të Apelit i rëndon pozitat për Qaton, Mollën dhe Tushën, të cilët janë në burg për skandalin me kompaninë “5D”. Nëse prokurorët binden dhe ndryshojnë akuzën, shtohen mundësitë që rrethi i të ndëshkuarve të shtohet dhe të ketë një dënim më të ashpër për korrupsionin në bashki.

Gjyqtari Florian Kalaja e ka shprehur qartë se nuk pajtohet me kualifikimin e veprës penale nga prokurorët e SPAK. Në vendim, ai thotë se bashkëpunimi mes të akuzuarve “nuk ka qenë i thjeshtë por, duke kaluar kufijtë e këtij organizimi sporadik dhe episodik, ka qenë i mirëmenduar, i planifikuar, me një kohëzgjatje të qëndrueshme dhe i vijueshëm ndër vite, nën një mekanizëm pothuajse identik në çdo episode të kryerjes së veprave penale materiale të dyshuara dhe me një pluralitet subjektesh si bashkëpunëtorë, karakteristika këto të cilat të marra parasysh dhe të vlerësuara të gjitha së bashku, plotësojnë parashikimin/ përkufizimin e pikës 4 të nenit 28 të kodit penal”.

Përveç kësaj, në vendim bie në sy një pikë tjetër, po aq e rëndësishme, që ka të bëjë me hetimin e mëtejshëm për pronarët realë të hotelit në Durrës.

Në këtë hotel, me vlerë disa miliona euro dyshohet se drejtorët e Veliajt po pastronin paratë që kishin përfituar nga tenderat e bashkisë.

Nga hetimet doli se një punonjëse e kompanisë “5D”, e quajtur Jona Bejko shkruante në Whatssap se hotelin në Durrës po e ndërtonin drejtorët e Veliajt, duke shtuar se “është aks. pronari jon… Lali eri… e kta” duke iu referuar kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt. (faximile më poshtë)

Për bisedën më sipër, të nxjerrë nga celulari i Jona Bejkos, gjykatësi Florian Kalaja u ka kërkuar prokurorëve të SPAK të interesohen dhe të ndjekin gjurmët që të çojnë tek e vërteta për investimin luksoz.

“Gjykata vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme për ecurinë e mbarëvajtjen e hetimit që Jona Bejko të pyetet dhe të hetohet lidhur me të dhënat e përmbajtjes së këtij komunikimi apo të kësaj dijenie të saj, duke e verifikuar gjithashtu edhe ekzistencën e këtij projekti në Durrës, natyrën e investimit të tij dhe kontributin apo përfshirjen e subjektit tregtar 5D KONSTRUKSION në këtë investim dhe gjithashtu edhe identifikimin e plotë të subjekteve që hasen apo që kanë interesa nga kjo shoqëri tregtare, qofshin ato persona fizikë, zyrtarë apo jo dhe qoftë edhe persona juridikë të tjerë të lidhur me të”.

Versioni se në krye të bandës së drejtorëve të bashkisë qëndron Erjon Veliaj përforcohet duke ditur se të arrestuarit kanë qenë miqtë e tij të afërt. Po ashtu kompania “5D” kishte përfituar një numër të madh tenderash në bashki dhe për këtë ishin investuar thuajse të gjithë drejtorët e bashkisë së Tiranës.

Por prova më e dukshme për implikimin e Veliajt në këtë aferë hajdutërie është qëndrimi që ai mbajti pas skandalit, kur mbrojti miqtë e tij të arrestuar nga SPAK për vjedhjen e taksave të qytetarëve.

Lexo edhe: Tjetër skandal në bashkinë e Tiranës/ Veliaj vijon të paguajë kompaninë 5D

Maringlen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha u arrestuan në 28 Mars të këtij viti për vjedhjen e tenderave të bashkisë me kompaninë “5D”. Tusha ishte i arrestuar më parë për procedurat e manipuluara të inceneratorit të Tiranës.

Vendimi i Apelit të GJKKO kërkon që prokurorët e SPAK të mos lënë asnjë detaj pa hetuar, pa u druajtur se gjurmët mund t’i çojnë tek Erjon Veliaj.

Por ky vendim i gjykatësit Florian Kalaja dëshmon njëkohësisht se një pjesë e veprimeve hetimore nuk janë kryer dhe se SPAK ka ngritur akuza më të lehta për autorët e një prej grabitjeve më të paturpshme të fondeve publike./Lapsi.al


7 Comments

  1. Gjyqtari nje hero ? Dihet si perfundojne herojte. Nuk ka per t’ia fale rilindja kete pabesi.
    Ai dhe shoket e tij jane vu aty per te mbyll dosjet e korrupsionit dhe jo per te hapur
    telashe sic po ben ky Binua, por shpejt do t’ia shikoje sherrin kesaj pune.
    Nuk ka shaka me korrupsionin e rilindjes.
    U be bytha e tij te dale kunder herojve te femijve tane. Jazek i qofte.

  2. Gjyqtari thesht po ben detyren. Gjate leximit te dosjes ka konstatuar elemente te tille te cilet te çojne ne perfundimin se ka element dhe fakte penale qe duhen vene ne kornizen e duhur ligjore.

    Personal qe merren me hetimin nuk mund te bejne te paditurin dhe te dergojne nje dosje tek gjyqtari dhe te bejne cilesime te ndryshme juridike nga sa jane faktet ne dosje.

    Gjyqtari I terheq vemendjen prokurorise qe te cilesoje drejt akuzen dhe te hetoje ne baze te gjetjeve dhe fakteve.

    Prokuroria jo rastesisht e shmang pergjegjesine e vet ne hetim dhe do te lere ” fajin ” tek gjyqtari per cilesimin e vepres penale si e kryer ne kuadrin e grupit te strukturuar kriminal .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *