• |
ide | kryesore

Yamal mbush 17 vjeç, por nuk dëshiron dhurata: “Futbolli im vjen nga rruga, dua të fitoj Europianin”

F1, Sport
Yamal


Lamine Yamal mbush sot 17 vjeç dhe tashmë e pret një takim me historinë. Të dielën në mbrëmje, ylli i ri i Barcelonës do të ketë shansin të ngrejë në qiell trofeun e Euro 2024 në finalen e Berlinit kundër Anglisë, në të cilën Spanja u kualifikua edhe falë golit të tij kryevepër në gjysmëfinale kundër Francës: “I thashë mamasë sime se nëse fitojmë nuk dua asgjë si dhuratë – ishin fjalët e thëna për të përditshmen Marca në ditëlindjen e tij -. Kërkoj vetëm të jem në gjendje të festoj fitoren në Madrid, me shokët e mi të skuadrës. Kaq është e gjitha. Mund të jetë një ditë e çmendur me tifozët të çmendur nga gëzimi që na presin në aeroport”.

Për Yamal është mundësia e parë e madhe e një karriere që sapo ka nisur. Palmaresi i tij përfshin La Liga 2022/23, por në atë sezon ai luajti vetëm 7 minuta, ato të debutimit të tij zyrtar me fanellën e Barçës. Tani, shansi për një triumf si protagonist absolut: “Duhet të vazhdojmë siç bëmë kundër Gjermanisë ose Francës. Të qëndrojmë vetvetja, të mbajmë zotërimin e topit për të kontrolluar lojën në çdo moment. Besoj se jemi më të mirët në këtë dhe askush nuk mund të na ndalojë nëse e bëjmë. Po shohim se si skuadër nuk ka asnjë në nivelin e Spanjës. Në fund, ai intensitet është çelësi”.

Kombëtarja e De La Fuente shembi skepticizmin e shumëkujt me paraqitje të nivelit më të lartë: “Që përpara kampionatit europian kemi thënë se meritonim besimin dhe se mund të ishim ndër favoritët, edhe pse njerëzit nuk e mendonin kështu. Thuhej se nuk do të arrinim në pesëshen më të mirë U desh pak kohë, por kushdo që do të hyjë në garë do të jetë i mirëpritur”.

“FUTBOLL RRUGE”

Yamal foli edhe për lidhjen e tij me të kaluarën: “Futbolli im vjen nga rruga, nga loja me shokët. Nga kjo vjen gjithashtu edhe shikimi në një drejtim dhe pasimi i topit në anën tjetër. Aty mësohet. Shokët e mi? Po çmenden fare. Më thanë se në rrugën time, në Mataró, të gjithë bërtisnin emrin tim. Disa do të vijnë në Berlin, por të tjerët nuk do të munden. Do të përpiqem të sjell vetë ndonjë”.

Lexo më tej: Video/ Morata tallet me Yamal në stërvitje: kapiteni i bën një lëvizje turpëruese për ditëlindje

Së fundi, ai shpjegoi marrëdhënien e tij me lojtarët më me përvojë dhe të afirmuar, brenda dhe jashtë kombëtares spanjolle: “Të gjithë më trajtojnë shumë mirë, jo si një fëmijë 16, 17 vjeç, por si dikush më i madh. Cili më ka kërkuar për fanellën deri tani? Mbappe, në dhomat e zhveshjes dhe Chiesa ma kërkoi kur u përballëm me Italinë”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *