• |
ide | kryesore

Parashikimi i motit: Vendi vijon në ndikimin e të nxehtit afrikan

Lajme, Të fundit
Moti,


I nxehti afrikan vijon ndikimin e tij edhe gjatë ditës së martë, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura të larta, ku vlera ekstrem priten në zonat jugore deri në 42 gradë Celcius. Orët e pasdites sjellin prezencë të vranësirave të pakta në të gjithë territorin e vendit, ku më të dukshme do të jenë në zonat verilindore dhe juglindore, por mundësia për reshje është thuajse zero. Rritet ndjeshëm lagështira relative në ajër duke bërë që i nxehti të ndjehet edhe më shumë.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes, por mesdita mbetet me vlera konstante duke u luhatur vlerat ditore nga 17°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 42°C vlera më e lartë përgjatë Ultësirës Perëndimore. Era do të fryjë e lehtë dhe herë pas herë mesatare me shpejtësi mbi 30 km/h nga drejtimi permanent perëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Kosova

Orët e para të mëngjesit në Kosovë do të jenë nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta, por pas mesditës dhe në vijim pritet që gradualisht vranësirat të bëhen të dukshme, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore të vendit. Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të vijojnë më kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin e Kosovës. Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në mëngjes, por rriten lehtë në mesditë duke u luhatur nga 16°C vlera më e ulët dhe maksimumet do të ngjiten deri në 38°C. Era do të fryjë e lehtë, por herë pas here mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 30 km/h nga drejtimi perëndimor.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV përgjatë paradites do të mbizotërohet nga intervale të gjata kthjellimesh dhe temperaturave shumë të larta. Ndërkohë orët e pasdites dhe në vijim do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare në pjesën më të madhe të MV, por më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat Verilindore duke krijuar mundësi për momente me pika shiu. Parashikohet që të njëjtat kushte meteorologjike të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por vijojnë konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 17°C vlera minimale deri në 41°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites, por deri mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi permanent perëndimor.

Europa

Do të vijojnë kushtet e paqëndrueshme atmosferike për Britaninë e Madhe dhe Europën veriore duke sjellë reshje shiu, ku herë pas here do të jenë në formën e rrebesheve. Po ashtu me vranësira të shpeshta dhe rrebeshe afatshkurtra do të jenë Alpet e Europës si edhe zonat përreth tyre ndërsa për sa i përket pjesës tjetër të kontinentit Europian do të paraqitet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta si pasojë e zhvillimit prej disa ditësh të anticiklonit të Azoreve, sërish i goditur nga vlera ekstreme të larta do të jetë rajoni i Ballkanit.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *