• |
ide | kryesore

Video/ Egnatia eliminohet me 11 metërsha nga Borac: Lushkja nuk shënon dy herë penalltinë e tij

F1, Sport, Video
Borac


Egnatia eliminohet në raundin e parë të Champions League pas goditjeve të penalltive nga Borac Banja Luka. Rrogozhinasit përmbysën humbjen e ndeshjes së parë, duke fituar 2-1 në Elbasan Arena e duke e cuar ndeshjen në kohët shtesë e më pas te penalltitë. Pikërisht aty gaboi Aleksi e Lushkja, që pa t’i pritet dy herë penalltia (edhe e përsëritur) nga portieri Siskovski, ndërsa futbollistët boshnjakë u treguan të gjithë të saktë.

Duke patur parasysh cfarë ndodhi në Bosnje një javë më parë, me ndeshjen e ndërprerë për koret kundër Kosovës, dy kartonat e kuq për rrogozhinasit dhe humbjen e minutave shtesë, në Elbasan Arena kishte pritshmëri të madhe për ndeshjen e kthimit. Tetova, kishte edhe mungesën e tre lojtarëve titullarë, por gjeti stabilitetin në mesfushë, ndërsa përpara Kasa e Ibrahimoglu ishin impenjativë për prapavijën e Borac. E pikërisht turku në minutën e 16′ shënoi golin e avantazhit, duke barazuar rezultatin e ndeshjes së parë. Ibrahimoglu shkoi pranë golit të dytë edhe në të 24′ por topi këtë herë kaloi mbi traversë. Provoi edhe Lushkja një minutë më pas, pa sukses dhe këtu erdhi barazimi i papritur. Në aksionin e parë të rrezikshëm të Borac, Lukic kaloi tre kundërshtarë dhe barazoi ndeshjen në 1-1.

JOEL ILUZIONOI, PENALLTITË FATALE

Një ndeshje me shumë raste në të cilën, Lukic edhe mund të kalonte boshnjakët në avantazh, por të njëjtën gjë mund të bënte edhe Joel. Sidoqoftë, Egnatia e rriti presionin në pjesën e dytë, duke shkuar pranë golit me Lushkjan në minutën e 60′, përpara se një aksion model i rrogozhinasve të zgjidhte situatën. Kasa shërbeu për Aleksin që pasoi në shtyllën e dytë për Joel, që e pati të thjeshtë të shënonte me portën bosh. Një rezultat që e coi ndeshjen në kohët shtesë, ku lodhja kondicionoi skuadrat.

Egnatia në disa raste edhe rrezikoi kapitullimin, por në fund duheshin penalltitë për të vendosur kualifikimin. Aleksi goditi shtyllën, ndërsa Lushkja u hipnotizua nga Siskovski, edhe pasi Maresca kërkoi që penalltia të përsëritej për lëvizjen e portierit të Borac. Rezultati ishte i njëjtë dhe Borac shkon në raundin e dytë të Champions ku e pret PAOK, ndërsa Egnatia zbret në Conference League.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *