• |
ide | kryesore

Heshtja pas tritolit/ Kush ka frikë nga Nuredin Dumani

Arkiva, Kryesore, Lajme


Nuredin Dumani dha prova se mbetet ende një nga njerëzit më të rrezikshëm në Shqipëri. Për një grindje dhe disa fjalë në Tik Tok, u nisi pakon me tritol motrave Nikolli në shtëpinë e tyre në Elbasan.  Nga shpërthimi, fqinji i tyre, një djalë 26 vjeç i quajtur Enea Thomaraj, vazhdon të jetë në spital në luftë për jetën.

Nga rrëfimet në prokurori, kuptohet se Dumani është një njeri për t’u pasur frikë. Ka rrëfyer se si negocionte çmimet për jetën e viktimave të tij, se si i ndiqte dhe i organizonte vrasjet kundrejt pagesës. Kontaktet ishin nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin, kudo që një bandë kishte probleme me konkurencën.

Por pas konfliktit të fundit, ranë në sy dy reagime kundrejt vrasësit me pagesë. I pari, ishte ai i motrave Nikolli që iu përgjigjën dhëmbë për dhëmbë kërcënimeve të Nuredin Dumanit dhe i dyti, ishte ai i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla që kur u pyet për këtë ngjarje, qepi gojën në mënyrë të çuditshme.

Motrat Nikolli denoncim publik për Nuredin Dumanin

Pas shpërthimit të tritolit, dy motrat Nikolli kanë pranuar se kishin vetëm një konflikt, me vetëm një njeri; Nuredin Dumanin.

Njëra prej tyre, Xhovana ia kishte përmendur emrin në videot që shpërndante në rrjetet sociale. Pas shpërthimit, i nisi një mesazh publik, ku shkruan: “Burrni është të merresh me femra! Ti s’je burrë por k****! Unë çfarë them nuk e tërheq mbrapsht deri në frumën e fundit. Nuk jam ajo femër që dorëzohet aq lehtë, o Nuredin Dumani. Hajde më hidh prapë tritol në qoftë se je burrë me bole, mos nis këlysha natën. Se more në qafë njerëzit e gabuar mor ordiner.’- shkruan Xhovana Nikolli”.

As motra tjetër, nuk u tërhoq. Alda Nikolli pati guximin të dalë publikisht në Top Channel ku hodhi dyshime se si policia, ashtu edhe prokuroria është e kompromentuar në rastin e Dumanit. Ajo dha prova se vrasësi me pagesë, aktualisht i penduar i drejtësisë jeton në kushte të privilegjuara, ku nuk mungon edhe komunikimi i tij me jashtë burgut nëpërmjet internetit. “Nuredini është drejtori i burgut” ka rrëfyer Alda Nikolli.

Alda Nikolli tregoi se bëri denoncim, por policia e refuzoi, ndërsa në SPAK i thanë se Dumani ka dashur “vetëm ta trembë”.

“Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit. Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin”, tregoi ajo. (Rrëfimi i plotë në Top Channel)

Heshtja e ministrit të brendshëm, Taulant Balla

Dy vajza që i dalin publikisht kundër vrasësit me pagesë, ndërsa Ministri i Brendshëm nuk guxon t’i përmendë emrin. Në Komisionin e Sigurisë, Taulant Balla u pyet disa herë nga deputeti Ervin Salianji, se si shpjegohet që Dumani jeton në kushte luksi dhe i jepet mundësia të organizojë atentate me tritol, por Ministri i Brendshëm ka heshtur.

“Del Nuredin Dumani që duhet të ruhet nga njësia, që pjeshkëron 24 orë me kë i do qejfi e vendos gjoba. Keni ju ministër përgjegjësi, pse me pezullimin e dy policëve, ata e kanë lejuar të bëjë atë që bën?!” ishte pyetja e parë e Salianjit, që u shmang nga Balla.

“A ka përgjegjësi ky departament dhe a keni marrë masa që një personazh ndër më të rrezikshmit ka mundësi, ka salltanete, komunikon?” ishte pyetja e dytë e Salianjit, që sërish u shmang nga Balla.

Heshtja e Ministrit të Brendshëm për Nuredin Dumanin është një skandal brenda skandalit.

Duke qenë i penduar i drejtësisë, Dumani është në përgjegjësinë e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, një strukturë e posaçme qëndrore e Policisë së Shtetit.

Sipas ligjit, “struktura dhe organika e drejtorisë miratohen nga Ministri i Brendshëm” që në këtë rast është Taulant Balla.

Masat që mori Balla ishin qesharake. Dy policë u pezulluan nga detyra për këtë çështje, ndërsa dyshimet se Dumani gëzonte privilegje falë lidhjeve të krimit me politikën në këtë rast janë të forta.

Kontratat e Nuredin Dumanit me Suel Çelën

Suel Çela
Suel Çela

Në dosjen e rrëfimit të Nuredin Dumanit, ai ka pranuar se kishte disa kontrata për vrasje me pagesë me disa nga bandat më të rrezikshme të vendit, përfshirë edhe ato të Elbasanit, ku drejtues politik për shumë vite ka qenë Taulant Balla.

Dy prej këtyre porosive nga vetë rrëfimet e Dumanit kanë qenë nga Suel Çela, një prej emrave më të njohur të krimit në Elbasan, person në arrati pikërisht nga rrëfimet e Dumanit.

Tentativa e vrasjes së Lulzim Mashës në Tiranë

Më 18 janar të vitit 2022, në orën 9:40 të mëngjesit, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një person ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit “Mercedes Benz ML”, që drejtohej nga Lulzim Masha, i cili ka mbetur i plagosur.

Rrethanat e kësaj ngjarje janë sqaruar nga Nuredin Dumani, po ashtu edhe nga Skerdi Tase. Dumani pretendon se porosinë e kishte marrë nga Suel Çela. Ai ka deklaruar se porosia ishte ekzekutimi i administratorit të shkollës private, Lulzim Masha, por ngjarja mbeti në tentativë. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte komunikuar me Suel Çelën. Ky i kishte dhënë kontaktin e një mikut të vet që ishte i interesuar për eliminimin e Mashës. Pasi ka komunikuar me personin e interesuar, i ka kërkuar 150 mijë euro për vrasjen.

Nuredin Dumani: I thashë Rikut që do t’i jepja 100 mijë euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin Matrix. Ai pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Riku ka ardhur në Kosovë dhe i dhashë një armë “Skorpions” që e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen, Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku.

Tentativa për të vrarë Elton Kilën

Më datë 29 mars të vitit 2022, rreth orës 17:25, Policia e Elbasanit është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Papër, ku gjithashtu ndodhej edhe një makinë e braktisur. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarjen që ndodhet pranë vendit të quajtur “Ura e zezë”, në kryqëzimin e rrugës Elbasan-Cërrik- Belsh- Gramsh. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur 9 gëzhoja arme zjarri, ndërsa përreth janë fiksuar copa xhamash të thyer. Policia ka vijuar me këqyrjen e automjetit të braktisur, një fuoristradë e zezë, “BMë X5”, që derën e parë të pasagjerit e kishte të hapur plotësisht.

Makina ishte e ndezur dhe me dy gomat e krahut të djathtë të çara, të shfryra plotësisht. Pranë saj, në tokë, Policia gjeti edhe një bidon me benzinë e një çakmak. Mbi sinjalin e pasmë, në anën e majtë kishte vrima të shkaktuara nga plumbat dhe xhami në derën në të njëjtin krah ishte thyer plotësisht, ndërsa xhami i parë ishte i krisur e me një vrimë të çrregullt. Nga verifikimi, automjeti rezultoi me numër shasie të dëmtuar dhe të palexueshëm. Brenda mjetit, ekspertët fiksuan gjurmë papilare dhe mbetje biologjike që u ekzaminuan.

E pikërisht në këtë mjet, rezultoi të ishte plagosur i shumëkërkuari Nuredin Dumani. Ditën kur mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua, Nuredin Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën, i njohur me pseudonimin “Oti”.

Këtë ngjarje për SPAK e ka zbardhur Henrik Hoxhaj, i cili ka thënë se Dumani ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë, për të cilën e kishte porositur më parë. Më tej Hoxhaj ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin, foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredin Dumani.

Dumani i ka premtuar se do të paguhej 70 mijë Euro. Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredin Dumani që ta kryenin bashkë.

Më datë 26 mars 2022 kanë shkuar të dy për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë. Më tej Henrik Hoxhaj shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan 3 ditë më vonë, më 29 mars për të mbaruar punën e lënë në mes. Por teksa janë nisur me makina të ndryshme, Hoxhaj tregon se në një moment ka marrë një mesazh nga Dumani që i ka thënë se e kanë plagosur. Më pas ai e ka marrë dhe e ka çuar në Fier dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Henrik Hoxhaj: Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë…. Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan, emrin e të cilit nuk e di por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh në krah të një karburanti dhe mobilierie. Kam shkuar disa herë në Elbasan që të vrisja personin, foton e të cilit ma kishte sjellë Nuredini. Ai me pati premtuar se do të paguhesha 70 mijë euro. Pasi kam studiuar terrenin e pashë që e kisha të vështirë ta vrisja, prandaj ka ardhur Nuredini që ta kryenim vrasjen bashkë.

E duke qenë se nuk e realizonte vrasjen i vetëm, më 26 mars është kthyer nga Kosova Nuredin Dumani dhe janë organizuar që ta kryenin vrasjen bashkë. Ata kanë vendosur që më 29 mars të shkonin në Elbasan për të vrarë Elton Kilën.

Henrik Hoxhaj: Jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15 unë dhe Nuredini, ai me “BMë X5” dhe unë “Benz”. Unë isha para për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në “BMë” dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për t’i hedhur karburant makinës time në një karburant që nuk kishte kamera. Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Unë vazhdova për në qytet duke marre unazën, ndërsa Nuredini ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht, tek kryqëzimi i Cërrikut. Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim.

Gjatë kësaj kohe Henrik Hoxhaj ka futur makinën në lavazh dhe ka qëndruar në një lokal e më vonë ka bërë një xhiro pranë pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnin. Ndërsa lajmëronte edhe Nuredin Dumanin se nuk po e shihte atë person, por kishte parë një “Benz” të dyshimte.

Henrik Hoxhaj: Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur.

Ai tregon të gjitha detajet, lëvizjet që ka bërë në vendngjarje, marrjen e provave, armëve e më pas transportimin e Nuredin Dumanit drejt Fierit, ku ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore për të. Të gjitha këto thënie të Henrik Hoxhajt, janë provuar nga grupi hetimor.

Nuredin Dumani ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë Elton Kilën. Sipas tij, Suel Çela i dërgonte foton e Elton Kilës në telefon./Lapsi.al


6 Comments

  1. per mu esht e bome. varet kush i ka pagu kto kurvat qe te behen shkak qe nuredinit ti hiqet statusi dhe mos flasi mo.

  2. Ministri hesht thjesht sepse e ka koken me cepa….

    Do kohe t’i shkoje informacioni nga njeri cep ne tjetrin.

    Mos bullizoni kokat e njerezve!

    1. Sarebbe curioso a sapere quanti dose di veleni hanno utilisato gli USA e suei aleti da quango hanno iniziato a avelenarmi siciramenete per ucidermi. Non so se hanno utilizato altri modi.

  3. Chi ha distruto la convivenza civile con ingano di dominare il mondo anche utilisado le scriture sacre, e giurare sulle bibbia, ripondera davanti al Dio

  4. Ministri hesht se keta kriminelet e kane ndihmuar ne Elbasan per votat e PS-se. Jane keta qe e bejne kete loqen e Librazhdit minister.
    Ku ka degraduar ky vend!?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *