• |
ide | kryesore

Osmani: Heqja e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe ka ndikim negativ

Lajme, Të fundit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Këshillit të Bashkimit Europian për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën”.

Ky vendim, sipas saj, atakon edhe përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Osmani tha se i bëri këto komente në një takim të martën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për tema të tjera, përfshirë: pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s dhe një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet e Kosovës.

Më 22 korrik, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian morën vendimin për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Kosova nuk i njeh pasaportat e këtij mekanizmi që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga aeroporti i Prishtinës. Vendimin e BE-së e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si “të padrejtë dhe të dëmshëm”.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës. Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti./REL


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *