• |
ide | kryesore

Letra e Begajt, paralajmërim për goditjen e Gent Sejkos

Arkiva, Kryesore, Lajme


Kur dukej se zhurma e mikrokredive po shuhej si shumë skandale të tjera, çështja ka marrë një kthesë të beftë nëpërmjet një letre publike të presidentit Bajram Begaj.

Kreu i shtetit bën direkt fajtore kupolën drejtuese të Bankës së Shqipërisë që nuk parandaloi grabitjen dhe kërkon hetim parlamentar për institucionin, në mënyrë që skema kriminale me kreditë e këqia të mos përsëritet më.

Qëndrimi i Begajt vjen pas një komunikimi zyrtar që ai ka pasur me Gent Sejkon dhe Ulsi Manjën, përkatësisht guvernatori dhe ministri i drejtësisë, dy drejtuesit e institucioneve që lejuan bllokimin abuziv të pronave për shtresat më të varfra të popullsisë nga institucionet e mikrokredive dhe nga përmbaruesit.

Presidenti e kundërshton hapur Gent Sejkon në letrën e tij, duke e cituar madje në fjalët që ai ka thënë se “blerja e kredive me probleme nga subjektet jobanka përbën “një zhvillim pozitiv për sistemin financiar shqiptar”.

Begaj i del kundër dhe thotë se mënyra se si u institucionet jo banka u sollën me konsumatorin “përbën një zhvillim tejet negativ”.

Kreu i shtetit vazhdon në letrën e tij se Banka e Shqipërisë nuk i mori seriozisht ankesat e qytetarëve dhe kur ata iu drejtuan institucionit, BSH “nuk nxiti verifikime dhe masa mbikëqyrëse”.

Në fund, presidenti thotë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me retorikë politike, por me masa konkrete, ndaj i kërkon parlamentit të hetojë veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në mënyrë që skema kriminale të mos përsëritet më.

“Komisionet parlamentare kanë mundësi ligjore dhe institucionale të hetojnë rreth performancës së strukturave të brendshme institucionale” shkruan presidenti.

Letra e Begajt vjen në një moment kur SPAK ka dy dosje të hapura për skandalin e mikrokredive dhe po heton mbi përgjegjësitë e Bankës së Shqipërisë në këtë çështje.

Oficerët e BKH kanë bërë disa vizita në zyrat e institucionit dhe kanë marrë disa dhjetëra dosje me dokumente në funksion të hetimeve.

Përpjekja e Begajt që tenton papritur t’i imponohet mazhorancës erdhi si një akt i panatyrshëm. Mjafton të kujtohet se të dielën pasdite, presidenti u detyrua të dilte në punë, pasi Rama lajmëroi ndryshimet në qeveri gjatë Kongresit të Partisë Socialiste. Kuptohet se edhe letra e publikuar të mërkurën mbetet në të njëjtën linjë.

Pikërisht për këtë, askush nuk e lexon atë si presion të Bajram Begajt mbi mazhorancën, por më shumë si një sinjal për drejtësinë që tashmë e ka pëlqimin për të vepruar ndaj Gent Sejkos.

Letra e presidentit 31 korrik 2024

Kam ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë institucional e qytetar informacionet publike lidhur me çështjen penale të ashtuquajtur “grabitja me mikrokreditë”, sikurse edhe seancat dëgjimore dhe debatin parlamentar rreth kësaj çështjeje. Viktima të “grabitjes me mikrokreditë” janë bërë një numër i lartë individësh, të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që, si rregull, janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse.

Kjo rrethanë duhet t’i ngrejë në alarm institucionet, jo thjesht për dramën e papërballueshme individuale të viktimave të këtij abuzimi, jo aq për t’iu përgjigjur pozitivisht ndjeshmërisë dhe solidaritetit njerëzor që shoqëria shfaqi pa kursim dhe me vetëdije për ta, por më shumë për të treguar se shteti dhe institucionet janë aty për njerëzit dhe në shërbim të tyre. Sistemet mbikëqyrëse ligjore ngrihen për të mbrojtur, së pari, këto shtresa. Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë.

Këto pretendime përbëjnë shqetësim të vërtetë dhe kërkojnë përgënjeshtrim bindës nga të gjitha institucionet kompetente. Unë kam ndjekur me vëmendje dhe e mbështes procedimin penal që ka nisur dhe po zbardh rolin e aktorëve të përfshirë dhe gjithë mekanizimin kriminal, por nuk mund të qëndroj pa konstatuar se përballë kemi një rast flagrant abuzimi, që ka qenë i shtrirë në një kohë relativisht të gjatë dhe, për më tepër, një vepër penale të kryer nga subjekte të cilat kanë qenë, për shkak të funksionit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore (kompanitë e mikrokreditit nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, kurse përmbaruesit privatë nën mbikëqyrjen e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë dhe të Ministrisë së Drejtësisë).

Në mënyrë të veçantë, modus operandi dëshmon për abuzime flagrante të përmbaruesve me tagrat e tyre ligjore, të cilat duhet të ishin zbuluar dhe korrigjuar nga çdo inspektim rutinë i autoriteteve shtetërore.

Nga ana tjetër, informacionet publike evidentojnë një numër të lartë denoncimesh drejtuar institucioneve lidhur me këto abuzime, të cilat, në një masë të caktuar, nuk kanë marrë seriozitetin që meritonin. Analiza e ngjarjeve më bën të besoj se “grabitja me mikrokreditë” nuk duhet të perceptohet thjesht si një çështje penale që duhet të ndjekë rrugën e vet procedurale, por rasti duhet të shihet në një këndvështrim më të gjerë.

Rasti kërkon vlerësim edhe në këndvështrimin administrativ për të parë shkallën e funksionimit të mekanizmave mbikëqyrës ligjorë, sepse mund të ketë nevojë për korrigjime dhe përmirësime, me qëllim që të parandalohet shumëfishimi i modelit abuzues dhe kërcënimi që ai sjell për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare. Nga pozicioni zyrtar jam përpjekur të zhvilloj dialog konstruktiv institucional me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrin e Drejtësisë, z. Ulsi Manja, për të kuptuar dhe vlerësuar në thellësi ngjarjet dhe fenomenin. Shfrytëzoj rastin për të falënderuar publikisht dy titullarët e institucioneve për bashkëpunimin, transparencën dhe sinqeritetin e këtij komunikimi.
Informacionet që kam mbledhur në këtë proces më kanë vënë përballë disa fakteve, një pjesë prej të cilave jo shumë të njohura:

I. Lidhur me kuadrin ligjor të blerjes së kredive me probleme:

1. Subjektet financiare jobanka kanë nisur që nga viti 2012 praktikën e blerjes së kredive me probleme, krahas veprimtarisë kredidhënëse për të cilën kanë qenë të licencuara. Kjo veprimtari, deri në mars të vitit 2016, ka qenë e pambuluar nga licenca që iu ishte dhënë nga Banka e Shqipërisë.

Deri në atë kohë, licencat jepeshin për veprimtari të tilla si të gjitha format e kredidhënies, faktoringun, qiranë financiare, ofrimin e garancive dhe marrjen e angazhimeve, këmbimin valutor dhe shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse (neni 5 i rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, nr. 1, datë 17.1. 2013).

2. E njëjta rregullore specifikonte se institucionet financiare të mikrokredisë mund të kishin objekt të aktivitetit të tyre vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 4), kurse subjektet financiare jo banka duhet t’i kërkonin paraprakisht leje Bankës së Shqipërisë që të mund të ushtronin veprimtari të tjera financiare (neni 18 i rregullores).

3. Në mars të vitit 2016, Banka e Shqipërisë njohu gjendjen e faktit (shoqëritë e mikrokreditit kishin blerë kreditë me probleme të bankave, pa kërkuar lejen e BSH-së) dhe vendosi ta ligjërojë praktikën, duke modifikuar rregulloren. Por ky rregullim dëshmonte inkoherencë.

4. Nga njëra anë, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të njihte blerjen e kredisë si një nga format e kredidhënies (d.m.th. deri në këtë datë kjo praktikë nuk ishte kredidhënie), sikurse njohu dhe pranoi në rrethin e subjekteve që mbikëqyr “subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme”.

5. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë nuk ndërmori asnjë masë për veprimin jashtë kushteve të licencës nga shoqëritë e mikrokredisë që kishte licencuar deri në këtë datë. Kjo formë e “tolerancës institucionale” ndaj subjekteve nën mbikëqyrje meriton të trajtohet me instrumentet e komisionit parlamentar, për të ndikuar që vigjilenca e të gjitha enteve të pavarura mbikëqyrëse ndaj praktikave të kësaj natyre të rritet, sepse dalja nga kushtet e licencës, pa pasur frikë se mekanizmi ligjor të ndëshkon, nuk ka se si të jetë fenomen ekskluziv financiar.

6. Banka e Shqipërisë ka prezantuar një arsyetim juridik për të shpjeguar kontekstin e vitit 2016. “Disa institucione financiare, krahas aktivitetit kredidhënës, për të cilin ishin licencuar nga Banka e Shqipërisë, kishin kryer edhe blerje të portofolave të kredive me probleme nga bankat, aktivitet ky i mbështetur në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive (përkatësisht nenet 499, 507 dhe 705)”, – thuhet në fjalën e Guvernatorit Sejko në seancën dëgjimore të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme (21.5.2024). “Kjo praktikë e zakonshme, e njohur dhe e praktikuar edhe në shumë vende të tjera, në Shqipëri gjen mbështetje në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive…” – thuhet në përgjigjen drejtuar Presidentit të Republikës (28.6.2024).

Në asnjë prej këtyre prononcimeve nuk analizohet nëse “praktika” binte ndesh me licencën, sikurse nuk analizohen shkeljet eventuale të dispozitave të rregullores bazë të cituar më sipër. Kufizimet e vendosura nga licenca dhe legjislacioni i fushës nuk mund të anashkalohen nga dispozitat e Kodit Civil, të cilat formojnë rregullim të përgjithshëm të marrëdhënieve juridiko-civile. Subjektet e licencuara mund të hyjnë në marrëdhënie juridike civile (të lidhin marrëveshje sipas Kodit Civil) vetëm për gjëra që janë në funksion të objektit të licencuar të veprimtarisë, por jo të krijojnë një objekt të ri veprimtarie mbështetur në lirinë kontraktuale që njeh Kodi Civil. Komisionet parlamentare kanë të gjithë mundësinë që të ndikojnë mbi institucionet e pavarura për të uniformizuar praktikën e interpretimit të ligjit dhe për të mos lejuar favorizimin e subjekteve nën mbikëqyrje, duke dobësuar pushtetin mbikëqyrës të vetë institucioneve.

7. Me amendamentet e marsit të vitit 2016, rregullorja e sipërcituar e BSH-së përcaktoi se “subjekt financiar jobankë, që blen kredi me probleme është subjekti, i cili 100% të portofolit të kredisë e ka të përbërë nga kredi me probleme të blera nga banka ose subjekte të tjera financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë”, (shkronja “j” e nenit 4 të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, nr. 1, datë 17.1.2013). Sipas këtij përkufizimi, kushdo merrej me kreditë me probleme, mund të merrej vetëm me to. Komisionet parlamentare kanë mundësi për të verifikuar nëse kjo dispozitë ligjore është zbatuar në rastin e mikrokredive, si dhe për të analizuar nëse zbatimi rigoroz i saj do të ishte instrument i mjaftueshëm që e prishte ose, së paku, e dobësonte skemën e grabitjes me mikrokreditë.

8. Banka e Shqipërisë çmon, edhe pas shpërthimit të skandalit me mikrokreditë, se blerja e kredive me probleme nga subjektet jobanka përbën “një zhvillim pozitiv për sistemin financiar shqiptar”. Ngjarjet dëshmojnë se mënyra se si subjektet jobanka u sollën me menaxhimin e portofolit të kredive me probleme, përbën një zhvillim tejet negativ për konsumatorin shqiptar. Në gjykimin tim, këto dy anë të së njëjtës medalje duhet të merrnin të njëjtën vëmendje nga Banka e Shqipërisë. Nëse anëtarët e komisionit parlamentar kanë të njëjtin perceptim, atëherë ata kanë edhe instrumentet për t’ia bërë këtë prezent Bankës së Shqipërisë, pa cenuar pavarësinë institucionale të saj.

II. Lidhur me mekanizmat e brendshëm institucionalë të BSH-së:

1. Ankesat dhe denoncimet e individëve që i paraqiten BSH-së si institucion mbikëqyrës i sistemit bankar janë një instrument i vlefshëm për bankën qendrore për të marrë sinjale për performancën e njësive të veçanta të sistemit. Ato formojnë perceptim subjektiv dhe jo neutral, sepse individët vihen në lëvizje për interesin e tyre, por prej tyre mund të qëmtohen sinjale të dobishme, të cilat mund të vënë në lëvizje mekanizmat e kontrollit, për të hetuar në thellësi çështje që indikojnë performancë të dyshimtë.

2. Faktet e bëra publike tregojnë se ankesat e administruara në kontekstin e kredive me probleme nuk kanë nxitur verifikime dhe masa mbikëqyrëse nga ana e BSH-së. “Ankesat e adresuara pranë Bankës së Shqipërisë konsiderohen si shqetësime, të cilat Banka e Shqipërisë i përcjell për sqarim dhe verifikim pranë subjekteve përkatëse të referuara në ankesë”, – ka informuar Presidentin e Republikës Guvernatori i BSH-së. “Më tej vijohet me kthimin e përgjigjes ankimuesit dhe, në të njëjtën kohë, në rastet e konstatimit të parregullsive nga subjektet kërkohen plane korrektuese dhe/ose aplikohen masa mbikëqyrëse…”.

3. Informacioni i dhënë tregon se ankesat me këtë temë janë trajtuar si ankesa “që kanë pasur si burim moskuptimin e duhur të legjislacionit në fuqi dhe mungesën e njohurive financiare”. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se ankimet për penalitetet, për cedimin e kredive nga bankat tek IFJB-të, për bllokimin e kundërligjshëm të pasurive nga ana e përmbaruesve, për shqetësimin e vazhdueshëm verbal të familjarëve apo të njerëzve të afërm me kredimarrësin etj., kanë qenë, ose çështje kontraktuale, ose çështje jashtë kompetencës së saj. Duket se Banka e Shqipërisë nuk ka dalluar te këto shqetësime, shenjat e një skeme kriminale në dëm të kredimarrësve. Trajtimi me formalizëm i ankesave, pa qëmtuar tek ato interesin institucional për të njohur dhe korrigjuar praktikat e dëmshme, meriton të tërheqë vëmendjen e komisioneve parlamentare, sepse ato kanë mundësi për të korrigjuar shënjestrën e institucioneve të pavarura dhe për t’i bindur në nevojën për reformimin e praktikave të deritanishme.

4. Përveç temës së vigjilencës institucionale, një temë e rëndësishme për performancën e BSH-së është dhe reagimi institucional. Ngjarje të papëlqyeshme, të pavarura nga vullneti i institucioneve mbikëqyrëse, mund të ndodhin, pavarësisht përpjekjeve për t’i parandaluar. E rëndësishme është se si institucionet reagojnë ndaj tyre. Komisionet parlamentare kanë mundësi ligjore dhe institucionale të hetojnë rreth performancës së strukturave të brendshme institucionale, të cilat merren drejtpërdrejt me mbikëqyrjen e subjekteve të licencuara, për të vlerësuar nëse janë ato instrumenti i duhur, nëse ato kanë kapacitetet apo resurset e duhura, nëse drejtohen me profesionalizëm dhe me kompetencë, etj. Ngjarjet që kanë ndodhur janë një motiv shumë i fortë për reflektim. Komisionet parlamentare lipset të ndihmojnë institucionin në këtë reflektim.

III. Lidhur me bashkëpunimin institucional dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë:

1. Në komunikimin publik, Banka e Shqipërisë ka njohur mungesën e kompetencës ligjore për të trajtuar çështje që kishin lidhje me ekzekutimin e urdhrave përmbarimorë që në hapat e para të paraqitjes së ankesave lidhur me administrimin e kredive me probleme. Guvernatori konfirmon se BSH-ja ka qenë në komunikim të shpeshtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka kërkuar bashkëpunim institucional, sidomos ngritjen e grupeve të përbashkëta për të bërë të mundur adresimin konkret të problematikave.

2. Rrethi i çështjeve të shtruara për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë ka qenë i gjerë dhe nuk jepen të dhëna nëse midis tyre përfshihej denoncimi i abuzimit nga ana e përmbaruesve me kompetencat përmbarimore, kërkesa për kryerjen e inspektimeve te përmbarues specifikë apo kërkesa për procedimin disiplinor të tyre, etj. Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë e ka çmuar të frytshëm, si bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, edhe bashkëpunimin me bankat e nivelit të dytë. Ministri i Drejtësisë ka parë te ky bashkëpunim një burim të padiskutueshëm informacioni për procedimin disiplinor energjik të strukturave të veta mbikëqyrëse dhe për dokumentimin e shkeljeve për procedimin penal.

3. Aktorët e fushës, në prononcimet e tyre publike, kanë ngritur tezën se abuzimi i përmbaruesve privatë me mekanizimin e sekuestrimit të pasurive të debitorëve ka ardhur për shkak të mangësive në legjislacion, të cilat u kanë dhënë mundësinë përmbaruesve abuzues që të sekuestrojnë pasuri në shumëfishin e detyrimit. Për fat të keq, bashkëpunimi institucional nuk ka arritur të sqarojë as të vërtetën e thjeshtë, se të gjitha sekuestrot e vendosura përtej shumës së detyrimit kanë qenë akte të kundërligjshme, sepse vinin ndesh me nenin 527 të Kodit të Procedurave Civile, i cili përcakton qartë se “kur kërkohet ekzekutimi i një detyrimi në të holla, përmbaruesi gjyqësor… fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke venë̈ sekuestro mbi kreditë̈ e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit”.

4. Të dhënat tregojnë se devijimi nga detyrimi që përcakton neni 527 i Kodit të Procedurave Civile formon modus operandi të përhapur te përmbaruesit privatë, gjë që imponon nevojën për një kontroll tematik në masën e gjerë të përmbaruesve privatë dhe për të bërë publike konkluzionet, me qëllim që Kuvendi dhe publiku të njihen më në thellësi me situatën. Komisionet parlamentare disponojnë instrumente solide dhe të efektshme për krijuar qartësi të plotë dhe për të nxitur korrigjimin e shpejtë të sjelljes së përmbaruesve në këtë drejtim.

5. Ministri i Drejtësisë ka marrë nismën “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve të ligjit nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, si dhe akteve nënligjore të nxjerra në funksion dhe për zbatim të tij. Kjo nismë i përket muajit qershor 2024. Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se “situata paraqitet tejet serioze dhe kërkon adresim të menjëhershëm në të gjitha instancat ligjzbatuese që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit”, (shkresa e datës 19.7.2024 drejtuar Presidentit të Republikës). Përmirësimet ligjore meritojnë të jenë pjesë e agjendës së komisioneve parlamentare që në ditët e para të sesionit të ardhshëm të Kuvendit.

IV. Konkluzion:

Ndjeshmëria publike ndaj abuzimit me administrimin e kredive me probleme është shumë e lartë dhe shqetësimi qytetar është legjitim. Çështja do të krijojë qetësi kur publiku të perceptojë se institucionet janë në sintoni të plotë me këtë shqetësim, kanë identifikuar dhe po punojnë për zgjidhjet e duhura. Qytetarët kanë nevojë të kuptojë se shteti dhe institucionet janë me ta dhe kundër abuzuesve. Kjo çështje nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme. Kuvendi është adresa më e saktë dhe më kompetente për t’i dhënë fenomenit zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme. Si President i Republikës, shpreh besimin se mesazhet e përfshira në këtë shkresë kanë për të marrë vëmendjen e duhur institucionale.


4 Comments

  1. Dio ha Scelto il Suo popolo, la Germania e Suei aleatet fedeli di metere la pace nel mondo.
    Questa civilta ipocrita, gia da tempo nei limiti della degenerazione della razza umana.
    Contrario alle leggi di Dio, e leggi del uomo. Crudelta!

  2. Berisha i shqetësuar: Dumani nuk po lejon Xhovanën të takojë të dashurin në burg,o lapsexhinj po serbi salih eshte dakort me presidentin begaj per guvernatorin,mukro kredite u krijuan ne fundin e qeverise se salihut.

    1. U formuan ndoshta në fund të qeverisjes Berisha por u shndruan në organizata në qeverisjen Rama që tani u bo m..i mullar do të dënojë Guvernatorin që nuk i survejoi sepse ishin të gjitha të lidhura me rilindjen o 21:31. PD ju përgjigj menjëherë ftesës se presidentit për komision hetimor!! Informohu dhe mos lësho mbroçkulla nga goja o patronazhist!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *