• |
ide | kryesore

Vijon puna në kampin e refugjatëve në Shëngjin

Arkiva, Lajme, Të fundit


Një ditë përpara nisjes së zbatimit të një marëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë, që emigrantët e shpëtuar në det që përpiqen të arrijnë tokën italiane do të tranferohen në tokën shqiptare, njëra nga qendrat e pritjes nuk është ende gati. Marrëveshja pesëvjeçare, e nënshkruar nga kryeministrja italiane dhe kryeministri shqiptar Edi Rama nëntorin e kaluar, parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur, si gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali.

Emigrantët e shpëtuar në det që përpiqen të arrijnë tokën italiane pritet që të transferohen në Shqipëri duke filluar nga data 1 gusht, ndërkohë që kërkesat e tyre për azil do të përpunohen sipas një marrëveshje mes dy vendeve.

Duke folur gjatë një vizite në Shqipëri në muajin qershor, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se dy qendrat e krijuara për të strehuar emigrantët do të ishin gati për të pritur 1000 personat e parë në fillim të muajit gusht. Marrëveshja pesëvjeçare, e nënshkruar nga kryeministrja italiane dhe kryeministri shqiptar Edi Rama nëntorin e kaluar, parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare.

Ato do të kontrollohen fillimisht në bordin e anijeve që i kanë shpëtuar, përpara se të dërgohen në Shqipëri. Qendrat do të strehojnë vetëm burra, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur, si gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali. Familjet gjithashtu nuk do të ndahen, tha ambasadori. Ata që dërgohen në Shqipëri do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të aplikuar për azil në Itali dhe për t’u trajtuar kërkesat e tyre atje, por lëvizja e tyre brenda dhe jashtë qendrave në Shqipëri do të kufizohet. Atyre që u refuzohen aplikimet përballen me dëbim direkt nga Shqipëria, thotë më tej ambasadori Italian në Tiranë.

Dy qendrat në Shqipëri do t’i kushtojnë Italisë 670 milionë euro gjatë pesë viteve. Ambientet do të drejtohen plotësisht nga Italia dhe të dyja qendrat janë nën juridiksionin italian, ndërsa rojet shqiptare do të ofrojnë siguri për perimetrin e jashtëm.

Një prej qendrave, në portin e Shëngjinit, në bregdetin e Adriatikut, është gati prej më shumë se një muaji. Por qendra tjetër për pritjen e emigrantëve, pranë ish-aeroportit ushtarak në Gjader, është ende larg përfundimit. Sipas ambasadorit italian në Shqipëri vonesat në ndërtimin e kësaj qendre janë të lidhura me rrëshqitjet e dheut si dhe temperaturat e larta që kanë detyruar autoritetet vendase të mos lejojnë punën gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Agjencisë së lajmeve Associated Press nuk iu lejua hyrja në kamp, por provat e ndërtimit intensiv ishin të qarta, me dy ekskavatorë dhe një vinç që punonin. Kryeplaku i fshatit Gjadër dhe banorët vendas thanë se puna në qendër ishte larg përfundimi, ndërsa ata mbështetin ndërtimin e kësaj qendre që sipas tyre sjell një bum ekonomik në zonën e varfër rurale. Në Shëngjin, qëndra e pritjes së emigrantëve është gati po gazetarëve të agjencisë Associated Press nuk iu lejua qasja.

Dërgimi i azilkërkuesve në vendet jo anëtare të BE-së për të përpunuar kërkesat e tyre ka qenë një çështje e diskutueshme në Evropë. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se marrëveshja e Italisë me Shqipërinë rrezikon sigurinë e refugjatëve.

“Këto qendra janë nën juridiksionin italian, duhet të ndjekin ligjet italiane. Por ne nuk e dimë se si do të respektohen këto ligje aty dhe padyshim që do të jetë më e vështirë të monitorohet situata, duke marrë parasysh që qendrat aty janë në thelb një burg, janë një hapësirë e mbyllur, shumë e izoluar. Dhe kështu do të jetë padyshim më e vështirë për njerëzit që të kenë akses në burime të jashtme”, thotë Sara Bonfanti, nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit.

Nuk është hera e parë që një vend i zhvilluar kërkon të transferojë strehimin e azilkërkuesve. Kryeministri i ri britanik ka hequr dorë nga plani shumë i kritikuar dhe i kushtueshëm i ish-qeverisë konservatore për të dërguar emigrantë në Ruandë për të përpunuar kërkesat e tyre për azil./ VOA


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *