• |
ide | kryesore

SPAK ngarkon Lefter Kokën edhe për inceneratorin e Tiranës (akuza)

Arkiva, Lajme, Të fundit



Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe ka dërguar për gjykim 12 të pandehur.

Mes tyre është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili së bashku me të pandehurit e tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola përbëjnë listën e të pandehurve që janë dërguar për gjykim.

Ajo që bie në sy është se edhe për Tiranën, SPAK ka ngarkuar me faj Lefter Kokën dhe antarët e komisionit të dhënies së konçensionit që hartuan dokumentat, por nuk ka asnjë akuzë për Erjon Veliajn që doli garant për pagesën, apo për Edi Ramën si firmëtar i bonusit 8% që kishin gatuar më herët Klodian Zoto dhe të tjerët.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.255/1, të vitit 2020, (ndarë nga procedimi penal nr.255,i vitit 2020) dhe ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurve Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal me objekt hetimi kontrata e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë ”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të mësipërm të marrë në cilësinë e të pandehurit, veprime të kryera para fazës së procedurës, si dhe gjatë procedurës së dhënies sëkoncesionit, që konsistojnë si më poshtë:

–Në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë kryer veprime të kundërligjshme para fazës së zhvillimit të procedurës, në kundërshtim me ligjin nr.125/2103 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, e ndryshuar.

Anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

-Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit me objekt: “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzituese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”, rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k)ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura. Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

-Në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumenteve standarte të koncesionit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion, partneritet publik privat”, i ndryshuar.

Dokumentet Standarte të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.

Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili jua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, të pandehurve Alba Thoma dhe Bledar Karoli.

Në këtë kohë, këta dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka,është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.

–Në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, si dhe në kundërshtim me VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, i ndryshuar, përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët. Komisioni i Dhënies së Koncesionit nuk ka përfshirë të ardhurat që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.

-Nga aktet e administruara rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të pandehurit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, si dhe VKM nr.1008, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”. Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime të mëtejshme në kuadër të procedimit penal nr.255, të vitit 2020, për të gjithë subjektet e tjerë të regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individ dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e secilit prej personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.


4 Comments

  1. Nuk ishte budalla Nasipi qe nuk doli per te pire vere dhe ja ku eshte sot jashte. Ky qe piu vere me sulltanin dhe beri edhe video ta mbaje rrocken mu ne birre te burgut

  2. Ndoshta po e ngarkojne qe te flasi por ky i paska lare duart me mendjen! Kush e di sa kokaine e kurva i cojne ne burg, nqse eshte loqe e genjejne vetem me raki! Ah mor Teri ce hengre, po fol te pakten trego shoket e shoqet o lumadhi ti..

    1. Ne 2004 kane qene kokat e Durresit. Me vjen keq kube kane degraduar. Edhe tenimagjinosj qe ky dhe i vellai ishen kumbaret e aleances se qelbesirave qe bene Ramen km. Ca te flasi se pergjegjesite dhe kush ka firmosur eshte e qarte. Rama eshte koka dhe lali eri qelbesira i dyti ne perfitime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *