• |
ide | kryesore

Urdhri për mospublikimin e dosjes “Zarka” censurë direkte mbi median

Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi për të disatën herë që të vulosë aktet hetimore në ngarkim të ish- kreut të arrestuar të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka si dhe të urdhërojë ndalimin e publikimit të pjesshëm apo të plotë të tyre përmes shtypit apo mjeteve të komunikimit masiv deri në përfundim të hetimeve paraprake.

Zarka akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm si dhe për korrupsion aktiv dhe pasiv në bashkëpunim me një oficere të Policisë Gjyqësore dhe dy persona të tjerë për lehtësimin e akuzës dhe mbylljen e hetimit pasuror për të pandehurit e dosjes së bujshme të njohur si “Toyota Yaris”, për sabotimin e letër-porosive të ardhura nga autoritetet belge si dhe për pushimin e një procedimi pasuror ndaj Suel Çelës.

Vendimi për ndalimin e publikimit u mor nga gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani me kërkesë e prokurorëve të SPAK mbi bazën e nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

“Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete,” njoftoi Gjykata e Posaçme.

Sipas këtyre përcaktimeve ligjore, edhe gazetarët ose mediat që publikojnë vendimin e gjykatës për masat e sigurisë ose akte të tjera të lidhura me çështjen rrezikojnë dënime deri në 3 vjet burg për “zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete”.

Një praktikë e tillë e ndjekur së fundmi nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme po krijon shqetësime mes organizatave të medias për cënimin e së drejtës për informim për çështje me interes të lartë publik.

Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, i tha BIRN se publiku ka të drejtë të informohet për çështjen në fjalë dhe se institucionet e drejtësisë duhet të kuptojnë dallimin mes mediave të përgjegjëshme dhe platformave të komunikimit publik, ku materialet mund të përfundojnë pa asnjë filtër.

“Në rastin konkret, ndalimi i kujtdo gazetari apo medie që i ka tashmë informacionet e çështjes për ta publikuar në mjetet e informimit publik është në kufinjtë e censurës,” tha Cukali.

“Drejtësia e re që presim, nuk do të jetë kurrë funksionale e as e drejtë nëse nuk garantohet transparenca në media,” shtoi ai.

Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit – një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.

Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve.

Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, një organizatë e re në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve e cilëson një praktikë të rrezikshme dhe arbitrare urdhërimin dhe ndalimin e publikimit të informacionit nga gazetarët dhe mediat.

“Mendoj që nuk është detyrë e gazetarëve që të ruajnë informacionin, përkundrazi, detyra jonë është krejt e kundërta, publikimi i tij, sidomos në raste të ndjeshme kur flitet për zyrtarë publikë dhe funksionarë të lartë, sidomos ata të drejtësisë,” tha Isa Myzyraj, kryetari i AGSH.

“Sigurisht, ne duhet të jemi të kujdesshëm për tema, informacion dhe akte që qartazi nuk kanë interes publik…por për çdo të dhënë tjetër që dyshohet se implikon zyrtarë të çdo niveli atëherë është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë e jona të informojmë qytetarët,” shtoi ai.

Urdhri për ndalimin e publikimit u kritikua edhe nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi përmes një postimi në Facebook, ku Bardhi publikoi edhe faqen e parë të vendimit për masat e sigurisë të gjyqtarit Erion Bani.

“Procedimi penal nr.26… ka vënë në pikëpyetje serioze kredibilitetin e sistemit të reformuar të drejtësisë në vend dhe ka vetëm një mënyrë për të vazhduar të ruhet besimi i publikut të drejtësia” Drejtësi e barabartë, transparente dhe pa vija të kuqe,” shkroi Bardhi.

“Është detyrë e SPAK dhe GJKKO, që pa fshehur të dhënat, me kurajo dhe një hetim të plotë e të gjithëanshëm, të përmbushin misionin për pastrimin e drejtësisë nga prokurorët e gjyqtarët e korruptuar,” shtoi ai./Reporter.al


3 Comments

  1. ne 8 vite qeverisje duke “noterizuar” grabitjen e prones nga komunizmi, por tani tani dalin protestojne per dyshime te SPAK per ndikim te paligjshem ne rastin Malltezi e nderkohe sulmojne Ramen pse gjykata u ka thyer fisit Koleka pronen e trasheguar.
    Dhe me keq akoma mbeshtesin kandidatet e Vorio-Epirit ne emer te mbrojtjes se pronave te banore te Himares!
    Parti pa busull morale dhe politike. Parti prone e nje njeriu.Kjo duhet bere per cdo hetim,gazetaret te lodhen jo me dokm e prokurorise te bejne tallava neper tv.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *