• |
ide | kryesore

Hapja e urës mbi Ibër, Osmani takon kreun e KFOR

Arkiva, Lajme, Të fundit



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës në Mitrovicë. Osmani i bëri këto komente gjatë një takimi të hënën me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, njoftoi Presidenca.

Derisa e përsëriti qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet të bëhet temë e dialogut me Serbinë, Osmani ritheksoi se hapja e urës “si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Javën e kaluar, ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Po ashtu javën e kaluar, Osmani u kërkoi autoriteteve në vend që të sigurohen që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit, e as prani të shtuar të KFOR-it në atë pjesë të vendit. KFOR-i ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë./ REL


1 Comment

  1. LIRIJA NUK LLUROHET AJO FITOHET PER JET A VDEKJE ESHTE NJE PROCES I TILL , thotë:

    FILLOJ LUFTA NE KOSOV NUYK DUHEJ LEJUAR TE HYNTE NATO PERDERI SA PRENDIMI NA COPTOJ ,HYRI NATO JA SI BLLOKOJN PER HIR TE ZHVILLIMIT INTETERESIT TYR ,NE SI SHQIPTAR DUHET NE UNITET MENDIMI DHE VEPRIMI TI DALIM PERZOT VETES I KEMI MUNDESIT VEC DUHET LARGOJM TRALLTIN DHE RRISIM URTESIN NE MEZIN TON ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *