• |
ide | kryesore

KFOR-i rrit praninë në urën mbi lumin Ibër

Lajme, Të fundit



Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht.

Mbi këtë urë, që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë, me atë të Veriut të banuar me shumicë serbe, përveç makinave, më herët gjatë ditës u pa edhe një kordon i pjesëtarëve të KFOR-it. Më pas, ky kordon u tërhoq.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur KFOR-in pse ka rritur praninë mbi urë, por nga ky mision nuk kanë kthyer përgjigje. Por një pjesëtar i forcave italiane të KFOR-it në urën i Ibrit i tha korrespondentes së REL-it në terren se, gjatë ditës së sotme, “nuk pritet ndonjë gjë e veçantë” dhe se ato gjenden aty “për shkak të operacioneve rutinore”.

Teksa në urën mbi Ibër u pa numër i shtuar i KFOR-it, një grup i organizatave joqeveritare dhe i qytetarëve aktivistë në veri i bëri thirrje këtij misioni që “urgjentisht të vendosë postblloqe para institucioneve” që, siç tha, “ofrojnë shërbime për popullatën shumicë në veri”.

“Ne besojmë se vetëm veprimet e KFOR-it mund të garantojnë paqe dhe siguri në zonat serbe në veri të Kosovës, si dhe të ofrojnë hapësirë për një dialog politik nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, i cili do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

“Përndryshe, vazhdimi i sjelljes së dhunshme të institucioneve të Kosovës do të sillte pasoja të pallogaritshme për jetën e serbëve në komunat me shumicë serbe dhe statusin tashmë të dëmtuar të Kosovës multietnike”, thuhet në komunikatë.

Rritja e pranisë së KFOR-it mbi urën mbi lumin Ibër vjen një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës. Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ekzekutivi kosovar po ashtu është përballur me kritika kohëve të fundit nga bashkësia ndërkombëtare sepse ka shprehur synimin që ta hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe KFOR-i janë shprehur kundër hapjes së urës tani. KFOR-i dhe BE-ja kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë. KFOR-i ka prani të përhershme në urën mbi lumin Ibër. /REL


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *