• |
ide | kryesore

Shqipja rrezikon të mos jetë më “gjuhë zyrtare” në Maqedoninë e Veriut

Arkiva, Lajme, Të fundit
veriut



Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të vendosë brenda muajit shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë Ligjin për Gjuhën. Nëse do të ndodhë kjo e dyta, shqipja nuk do të jetë më “gjuhë e dytë zyrtare” në këtë vend.

Ligji i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar. Kërkesa për kushtetueshmërinë e ligjit për gjuhët u bë në vitin 2019 nga 13 iniciativa nga qytetarë, shoqata dhe parti politike. Ata pretendojnë se ligji nuk ka fuqi pasi nuk mori firmën e presidentit të kohës Gjorgje Ivanov.

Që nga ajo kohë ankesa ka qëndruar në sirtar, por tashmë që në qeveri është një forcë tjetër duket se dhe fryma ndaj shqiptarëve ka ndryshuar. Pak ditë para marrjes së këtij vendimi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski tha se me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilema.

I pyetur nëse Kushtetuesja do të shfuqizojë apo do ta lërë në zbatim ligjin, Kostadinovski thotë se gjykata do të sjellë vendim të argumentuar dhe me bazë juridiko-kushtetuese.

Koalicioni Fronti Europian në opozitë që udhëhiqet nga BDI kërkoi që të mos preket gjuha shqipe, ndërsa paralajmërimet për “heqje të dilemave” i shohin si të motivuara politikisht. Këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur me amandamentet kushtetuese me ligjet tjera në fuqi ishte paralajmërimi i Frontit Europian.

“Fronti Europian” thotë se hapja e temave të tilla dhe shfuqizimi eventual i ligjit, çon drejt rikthimit të Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit.

Lidhur me këtë debat ka reaguar edhe koalicioni VLEN, që tashmë është pjesë e koalicionit qeverisës. Nismën në Kushtetuese e konsiderojnë si tentim për grusht shteti. Thonë se nuk duan ta cenojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, por shtojnë se nëse ky ligj përdoret për politika ditore, do të sjellë rreziqe.

“Duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”, – deklaruan nga VLEN.

Në një takim të bërë së fundmi thuhet se me të njëjtën logjike mund të rrëzohet edhe ndryshimi i emrit të Maqedonisë që futi vendin në NATO, pasi as ai nuk u firmos nga Presidenti i kohës.

“Nëse një iniciativë e tillë pranohet, hapet Kutia e Pandorës për të gjitha arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u realizua pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, e që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të minonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik” – thuhet në reagimin e VLEN.

Lidhur me deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që mundësinë e heqjes së gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni e quan “aventurë të rrezikshme”. ©LAPSI.al


2 Comments

  1. Fyromit dhe bullgaro-jevgo-vllehet e Fyromit po luajne me ekzistencen e tyre.

    Ishalla tentojne kete gje sepse kemi justifikim per ta ndare fyromin bashke me Bullgarine.

    Kemi rastin e duhur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *