• |
ide | kryesore

Gjyqtari Tonin Sterkaj jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjyqtari i Shkodrës, Tonin Sterkaj u përball të martën më 3 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe bilancin negativ në vlerën 28.3 milion lekë, si dhe për një sërë gjetjesh në aspektin profesional.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Sterkaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger. Tonin Sterkaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.

Barrat e provës për pasurinë

Komisioni konstaton pamundësi financiare të gjyqtarit Sterkaj për blerjen e një trualli me sipërfaqe 240 m2 në Shkodër nga bashkëshortja në vitin 2001 për çmimin 500 mijë lekë, me burim krijimi të ardhurat nga puna e tij. Sipas relatores Qirko, bilanci negativ ka rezultuar në shumën 240 mijë lekë.

Po ashtu, u konstatua balancë negative dhe për investimin e kryer në një banesë me tre kate të ndërtuar mbi këtë truall në vitet 2002-2003, si dhe pasaktësi në deklarime.

Sipas Qirkos, subjekti ka shënuar në deklaratën veting se banesa me sipërfaqe 123 m2 është ndërtuar në vitet 2002-2003 për një vlerë rreth 3.5 deri në 4 milionë lekë. Ndërkohë, në deklarimin e bashkëshortes për legalizimin e kësaj pasurie është shënuar se banesa është me tre kate dhe se është përfunduar ndërtimi brenda vitit 2003. KPK konstaton se, duket se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, duke mos pasqyruar sipërfaqen reale të objektit.

Bazuar në formularin e vetëdeklarimit për këtë objekt informal ku është shënuar se punimet kanë përfunduar në vitin 2003, si dhe në kostot sipas Enit Kombëtar të Banesave, EKB, vlera e investimit është përllogaritur në vlerën e rreth 10 milionë lekëve.

Si burim krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e familjes së tij, si dhe ndihmë nga vëllezërit që jetojnë e punojnë prej vitesh në Gjermani, ku kanë fituar dhe nënshtetësinë. Subjekti ka deklaruar se një prej vëllezërve i ka dhuruar 6000 euro dhe tjetri 4000 euro. Po ashtu, Sterkaj ka deklaruar se është ndihmuar me 2000 euro dhe nga kunati i ndjerë që jetonte në Itali.

Megjithëse dhurimi nga vëllezërit është provuar me deklarata noteriale të vitit 2014, si dhe fakti se ata kanë jetuar dhe punuar në Gjermani, sipas Komisionit, nuk është arritur të vërtetohen të ardhurat. Për rrjedhojë, nuk janë konsideruar në analizë shumat e dhuruara. Po ashtu, për dhurimin e shumës 2000 euro nga kunati, Komisioni vëren se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion ligjor për të vërtetuar këtë rrethanë. Sterkaj ka shpjeguar se është në pamundësi për të vërtetuar dhurimin nga kunati, pasi ai ka ndërruar jetë në vitin 2011.

Nga analiza financiare për ndërtimin e banesës me tre kate në vitet 2002-2003, Sterkaj ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 10.2 milionë lekë.

Në vitin 2004, shtëpia e subjekti është djegur dhe janë rindërtuar pjesët e dëmtuara. Sterkaj ka shpjeguar se për rindërtimin e banesës ka shpenzuar të ardhurat e tij, si dhe se është ndihmuar nga familjarët, të afërmit, miqtë dhe kolegët. Sipas Komisionit, duket se për rindërtimin janë shpenzuar rreth 1.9 milion lekë, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.6 milion lekë.

Gjyqtari Stërkaj kundërshtoi bilancet negative. Ai solli në vëmendje se kishte filluar të punonte e të krijonte të ardhura që kur ishte 15 vjeç. Sipas tij, nëse përllogariteshin të gjitha të ardhurat që nga momenti kur kishte filluar punonte, si dhe nga pagat si gjyqtar, atëherë ai rezutlon me bilanc pozitiv për blerjen e truallit.

Për banesën ai tha se ishte përfunduar në 2003-in si karabina, por se ishte pjesërisht e jetueshme. Sipas subjektit, të përfunduara dhe të gatshme për jetesë në vitin 2003 kanë qenë kuzhina, dy dhoma gjumi dhe banja. Ndërsa pjesa tjetër ishte karabina. Subjekti shpjegoi se vetëm nga jashtë objekti dukej i përfunduar. Madje, ai pretendoi se dhe aktualisht nuk është përfunduar ndërtimi i banesës, duke argumentuar se kanë pasur parësor investimin në shkollimin e fëmijëve.

Ai shtoi se kur i është djegur banesa është ndihmuar nga të gjithë të afërmit e të njohurit për rikonstruksionin e pjesëve të dëmtuara. Stërkaj kërkoi të konsiderohen dhurimet e kryera.

Subjekti ka rezultuar në pamundësi dhe për blerjen e një automjeti të llojit Audi, të blerë në vitin 2009 në Gjermani, për shumën 12 mijë e 700 euro. Si burime të kësaj pasurie, Sterkaj ka deklaruar dy hua. Ai ka shpjeguar se huatë i ka marrë për qëllime mjekësore, por pasi ka vendosur të mos e kryejë ndërhyrjen kirurgjikale në Gjermani, i ka përdorur shumat e marra për blerjen e makinës. Një prej huave e ka shlyer në vitin 2015, ndërsa tjetër nuk e ka shlyer.

Nisur nga ndryshimi i destinacionit të vlerave të marra hua si dhe vonesa në shlyerjen e tyre, kanë ngritur dyshime tek Komisioni mbi këto marrëdhënie. Megjithatë, huadhënësit e pretenduar nga subjekti janë konsideruar si persona të lidhur dhe është kryer analiza financiare për mundësinë e tyre për të dhënë huatë. Sipas KPK, nuk është vërtetuar mundësia e huadhënësve, nga për rrjedhojë ka rezultuar bilanc negativ në shumën 2.1 milion lekë për blerjen e mjetit në 2009-ën.

Stërkaj sqaroi në seancë se është paralizuar dy herë, kur ishte 7 vjeç dhe 15 vjeç. Subjekti tha se vuan nga një sëmundje gjenetike që i ka dëmtuar shtyllën kurrizore dhe se për këtë arsye kishte menduar të kryente ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani. Ai pohoi se ky kishte qenë dhe shkaku që kishte marrë edhe huatë, por pasi mjekët kishin thënë se nuk jepnin garanci të plotë për suksesin e ndërhyrjes kirurgjikale, e kishte anuluar dhe kishte blerë makinën me ato vlera monetare.

Balancë negative në shumën 1 milion e 350 mijë lekë është konstatuar dhe për blerjen e një makine tjetër në vitin 2012 për çmimin 441 mijë lekë.

Në vijim Qirko relatoi ngastrën e tokës me sipërfaqe 6300 m2, me 300 truall dhe një banesë në një fshat në Malësi të Madhe, pasuri që sipas subjektit i janë dhuruar nga xhaxhai, i cili e ka rritur që kur ishte 6 muajsh.

Banesa në fshat është rikonstruktuar, por Sterkaj ka deklaruar se punimet janë kryer nga djali dhe bashkëshortja e tij, shtetase italiane. Qirko vërejti se nga verifikimet e kryera prej Komisionit, duket se është kryer dhe një ndërtim i ri dhe se është shtuar një kat, duke u dalë jashtë lejes ndërtimore.

Subjekti deklaroi se kishte bërë deklaratë noteriale se nuk ka asnjë lloj të drejte mbi asnjë prej pasurive që zotërojnë prindërit e tij biologjikë. Ai këmbënguli se ai ka qenë dhe është njohur gjithmonë si djali i xhaxhait i cili e kishte rritur dhe kujdesur që kur ishte 6 muajsh.

Lidhur me investimin, subjekti sqaroi se është kryer nga djali, i cili kishte nostalgji për banesën në fshat. Ai tha se kishin blerë materialet dhe se punimet ishin kryer nga familjarët, të cilët atë punë kanë kryer gjithë jetën.

Sterkaj pretendoi se nuk kishin pasur shpenzime për shkollimin e një fëmije në Itali, duke shpjeguar se kishte qëndruar tek familja e një mikeshe të bashkëshortes, që ishin nga e njëjta zonë. Kur Qirko e pyeti nëse do të mundej ta mbante pa shpërblim fëmijën e një miku të tij, subjekti tha se po të kishte qenë në Itali, dhe ai do të bënte një gjë të tillë. “Ku do hamë ne, do hanin dhe ata”, tha Sterkaj.

Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme e kryer për periudhat 1995-2003 dhe 2004-2016, ka rezultuar një bilanc negativ total në vlerën 28.3 milionë lekë.

Megjithëse Komisioni nuk evidentoi konkluzion paraprak për figurën gjatë seancës dëgjimore, u konstatua se të dhënat e administruara për këtë kriter do të shqyrtohen në raport me disa çështje profesionale.

Për aspektin profesional, relatorja Qirko evidentoi ndër të tjera gjetje lidhur me tejkalim të afateve të zbardhjes së vendimeve; vonesa në zhvillimin e seancave gjyqësore dhe shtyrje pa arsye; vendimarrje jashtë tagrave ligjorë; mosregjistrimi audio i seancave; si dhe gjykime tej afateve të përcaktuara.

Duke ju referuar dhe dosjeve të sinjalizuara nga institucionet ligj zbatuese të gjykuara nga subjekti, në vijim të relatimit si dhe gjatë procedurës së pyetjeve, Qirko vërejti se qëllimi i reformës në drejtësi është rikthimi i besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Ajo e pyeti subjektin se, a mund t’i rikthehet publikut besimi në sistemin e drejtësisë, kur për të pandehur për vrasje me dashje, shitje të narkotikëve e mbajtje pa leje të armëve luftarake aplikohet pezullimi i dënimit apo pafajësia. Relatorja solli në vëmendje një vendimmarrje të subjektit për pafajësi pasi palët në konflikt ishin dakordësuar, megjithëse rezultonte se krimi ishte kryer.

Subjekti deklaroi se kishte bërë përpjekjet maksimale gjatë ushtrimit të detyrës me qëllim që të reflektonte besimin e publikut. Sipas Sterkajt, dënimi nuk duhet të jetë vetën ndëshkues, por edhe rehabilitues. Ai tha se ka përcaktuar dënimet sipas parashikimeve ligjore dhe solli në vëmendje të Komisionit se ka afro 30 vjet që mban funksionin e gjyqtarit, kur gjatë karrierës së tij ka dhënë dhe 5 dënime me burgime të përjetshme, megjithëse e ushtron detyrën në vendin ku është rritur.

Për pafajësinë, subjekti pretendoi se e kishte bazuar në prova. Për vlerësimin ndryshe nga Apelit, tha se kishte të bënte me çmimin e provave. Lidhur me dhënien e masave të dënimit më të buta nga sa ka kërkuar prokuroria, Sterkaj tha se kishte mbajtur në vëmendje një rekomandim të Këshillit të Evropës për dënimet.

Ndërkohë, subjekti pranoi se një pjesë e seancave nuk ishin regjistruar pasi ishin vetëm dy salla me pajisjet përkatëse dhe ishte e pamundur. Për vonesat në fillimin e seancave ai pohoi se kishin ndodhur pasi të paraburgosurit vinin nga Lezha.

Gjyqtari Tonin Sterkaj e cilësoi korrekt procesin e vetingut të zhvilluar ndaj tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 4 shtator, në orën 16:00./Reporter.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *