• |
ide | kryesore

Mbledhja e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up, drejtorët e QSUT-së dhe spitaleve të tjera në vend do të dëshmojnë

Lajme, Të fundit



Mbledhja e parë e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, pas zgjatjes së afateve me tre muaj, u zhvillua në ‘paqe’ mes opozitës dhe mazhorancës. Ndonëse punimet e këtij komisioni në sesionin e kaluar parlamentar janë zhvilluar mes tensioneve dhe debateve, pa shumë diskutime sot palët ranë dakord për shkresat e informacioneve dhe listën e re të dëshmitarëve.

“Lista e dëshmitarëve. Këtë e kemi diskutuar dje gjatë në mbledhjen e kryesisë, jemi dakordësuar që meqë një pjesë e materialeve nga SPAK sa i përket check up, që arrijnë deri në 2019, ka ardhur vetëm disa ditë para, kemi vendosur që ta nisim me ata persona në listën e dëshmitarëve që nuk preken nga mungesa e këtij informacioni. Propozimi është që të thërriten ish-drejtorët e QSUT, drejtoresha aktuale, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, traumës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës, drejtori i Koco Gliozhenit, anëtarët e grupit të punës së check up, kanë qenë disa mjekë dhe mjekët që i kishim në listë para se të mbyllej sesioni i kaluar por nuk e bënë dot dëshminë”, tha Vokshi.

Opozita dhe mazhoranca miratuan në seancën e 25 korrikut zgjatjen e afatit për komisionin hetimor për dy koncesionet sterilizimin dhe check up. I vetmi deputet që votoi kundër ishte socialisti Erion Braçe.

Dosja e sterilizimit është një nga dosjet e bujshme të hetuara nga SPAK, që ka konstatuar shkelje në koncesionin 10 vjeçar me vlerë 100 milionë euro.

Tashmë dosja ka kaluar për Gjykim ndërsa nën akuzë për shpërdorim detyre është ish – ministri Ilir Beqaj, ndërsa bashkë me të masën detyrim paraqitje për sterilizimin është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe 7 persona të tjerë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *