• |
ide | kryesore

Shqetesimi për kostot e banesave arrin rekord në vendet e pasura

Lajme, Të fundit



Pakënaqësia mbi kostot e strehimit ka arritur kulmin në të gjithë vendet e pasura, duke u ngritur mbi shqetësimet e tjera, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Gjysma e të anketuarve në vendet e OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) janë të pakënaqur me disponueshmërinë e banesave të përballueshme, sipas shifrave të Gallup Analytics, një rritje e mprehtë, që kur bankat qendrore rritën normat e interesit, për t’u përballur me periudhën më të keqe të inflacionit në një gjeneratë.

Në SHBA, çmimet e banesave janë rritur pavarësisht rritjes së normave të interesit. Pothuajse 60 % e të anketuarve në ekonominë më të madhe në botë, thanë se ishin të pakënaqur me sasinë e banesave me çmime të përballueshme.Ndërkaq, qiratë janë rritur, në një kohë kur çmimet më të larta për sendet e tjera thelbësore, si ushqimet dhe karburantet, kanë ulur të ardhurat.

Studiuesit fajësojnë pjesërisht mungesën e ndërtimit të shtëpive të reja për krizën e përballueshmërisë. Andrew Wishart, analist në Capital Economics, tha: “Tendencat e popullsisë mund të lëvizin shumë më shpejt, sesa mund të ndryshohet oferta e banesave.”

Pakënaqësia për strehimin do të luajë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e këtij viti, veçanërisht në SHBA, ku votuesit shkojnë në qendrat e votimit në nëntor. Çmimi mesatar i banesave tani është pothuajse 38 % më i lartë se kur presidenti amerikan Joe Biden mori detyrën në janar 2021, sipas indeksit Case-Shiller.

Studimet e Universitetit të Harvardit, treguan se pagesa mujore e strehimit për një shtëpi me çmim mesatar me një kredi me depozitë të ulët, siç favorizohej nga blerësit për herë të parë, ishte tani 3,096 dollarë – krahasuar me rreth 2,000 dollarë në janar 2021. Ndërkohë, shumë pronarë ekzistues kanë mbyllur hipotekat 30-vjeçare me tarifa jashtëzakonisht të ulëta dhe në tërësi po paguajnë më pak për shërbimin e borxhit, si përqindje e të ardhurave se në çdo kohë, që nga viti 1980, sipas Harvardit.

Të dhënat e Gallup, bazuar në përgjigjet e më shumë se 37,000 njerëzve në 37 vendet, që përbëjnë OECD, tregojnë se pakënaqësia për përballueshmërinë e banesave është më e larta tek moshat nën 30 vjeç dhe ata të moshës 30 deri në 49 vjeç, shumë prej të cilëve mund të jenë duke u përpjekur të zotërojnë prona.

Rreth 44% e moshave mbi 50, ishin të pakënaqur me strehimin në vendet e OECD-së, por përqindja u rrit në 55% për moshat nën 30 vjeç dhe 56% për ata të moshës 30 deri në 49 vjeç.

Në Angli, çmimet e banesave tani janë tetë herë më shumë se paga mesatare vjetore, sipas statistikave zyrtare. Ky është më shumë se dyfishi i raportit të parë, kur qeveria e fundit laburiste mori detyrën në 1997. Numri i familjeve, që jetojnë në strehim të përkohshëm në Angli është gjithashtu në një rekord të lartë.

Rreth 30% e popullsisë në vendet e pasura ishin të pakënaqur me sistemin e kujdesit shëndetësor, arsimin dhe transportin publik. Pakënaqësia me standardin e jetesës u rrit në vitin 2023, por vetëm pak, duke u rritur nga 24 në 25%.

Sondazhi Botëror i Gallup përpilohet çdo vit, me sondazhin e vitit 2023 bazuar në përgjigjet e 145,702 njerëzve në 142 vende dhe të peshuara sipas popullsisë. Të anketuarit janë pyetur për një sërë çështjesh socio-ekonomike dhe politike.

Disa vende ku të dhënat e 2024 janë tashmë të disponueshme, kanë treguar një rritje të mëtejshme të pakënaqësisë mbi strehimin këtë vit. Në Gjermani, pjesa e atyre, që janë të pakënaqur për disponueshmërinë e banesave të përballueshme, u rrit në një nivel të ri prej 46%, nga 42% në 2023 dhe më shumë se dyfishi i niveleve deri në vitin 2012. Në Spanjë, përqindja e atyre, që janë të pakënaqur me strehimin, u rrit në 62% në 2024, më e larta që nga kriza financiare. / Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *